Kategori
Uncategorized

Vangjel Zhapa, themeluesi i vërtetë i shkollës së parë shqipe.

Nga Albano Zhapaj

 

Emri i filantropit Vangjel Zhapa lidhet ngushtësisht me rilindjen e Lojërave Olimpike të lashtësisë, që nga viti 1859 e vazhdim. Ky shqiptar i madh konsiderohet nga studiuesit e atëhershëm dhe të tanishëm evropianë, si njeriu i lindur në ballkan por me ide dhe mentalitet evropian.  Ka qenë pikërisht falë mbështetjes dhe dhurimeve të Vangjel Zhapës, që i shquari Naum Veqilharxhit solli në dritë dy abetaret e para të gjuhës shqipe, pikërisht “Ëvetari” në vitin 1844 dhe “Fare i ri Ëvetar shqip”, që përveç se u quajtën “abetaret e abetareve” u hodhën hapat e parë të arsimit shqip.

Mësimet e para të gjuhës shqipes, e kanë realisht zanafillën në vitin 1860, në shkollën e Labovës, ku u hapën klasat e para të gjuhës shqipe, e cila njihej edhe si shkolla e Zhapës. Është pikërisht gazeta “Pellazgu”, gazetë shqip e asaj kohe, që në numrin e datës  01.03.1861 bën të ditur se “në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht por edhe shqip”, dhe kjo sepse gjuha shqipe ndihmonte edhe në mësimin e gjuhës greke. Kjo shkollë përbëhej nga katër cikle, duke filluar nga ajo foshnjore, e duke vazhduar më tej me klasën fillore, tre klasa qytetëse dhe duke përfunduar me dy klasa gjimnaz.

Vangje Zhapa në Shqipëri hapi edhe shumë shkolla të tjera, historianët numërojnë rreth 177, dhe këto sipas modelit të shtetit grek të asaj kohe. Shkollat fillonin nga Labova, në Lekël, në Përmet, në shumë fshatra aty përreth, dhe vazhdonin deri në Delvinë, Filat, Qeparo, .. etj.

Për të gjitha shkollat e ngritura, Vangjel Zhapa, paguante rregullisht çdo vit, shpenzimet për shkollën dhe pagat për mësuesit, ndërkohë që në vitin 1878 , hapi në Labovë edhe shkollën për vajza me konvikt. Mësonjëtorja e Korçës, dhe data 7 mars 1987,  që njihet konvencionalisht si fillimi i shkollës së parë shqipe, janë larg prej 27 vitesh nga shkolla e vërtetë shqipe e vangjel Zhapës. Paradoksi i madh është se Vangjel Zhapa, i cili në veprat e tij të bamirësisë, padyshim mishëron dukshëm vlerat e mëdha shpirtërore që bartin shqiptarët më të mirë, nuk pasqyrohet në asnjë emërtim shkolle apo gjimnazi, edhe pse jo vetëm themelues i vërtetë i shkollës së parë shqipe, por edhe si financues i qindrave milionë dollarë në fushën e arsimit shqip dhe kulturës.  Shkollat shqipe të ndërtuara nga Vangjel Zhapa, akoma 150 vjet të shkuara, dalloheshin aq shumë për nga cilësia dhe akomoditeti që kishin për atë kohë, sa do t`i kishin zili edhe ndërtuesit e shkollave të sotme, që ne të gjithë e dimë se të ç`cilësie janë.

 

Vangjel-Zhape

Po kush është Vangjel  ZHAPA?

Vangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë e Madhe të Gjirokastrës. Larguar nga Labova aty nga mosha 12-13 vjeçare dhe ka shkuar në Janinë, ku mësoi dhe filloi të ushtronte profesionin e mjekut popullor në Vilajetin e Janinës. Vangjeli shërbeu si ushtar në garnizonin e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa viti 1820 e gjen përkrah kryengritësve suliotë të Marko Boçarit. Më tej Vangjel Zhapa u largua drejt Rumanisë ku vazhdoi të ushtronte profesionin e mjekut popullor, të cilin e kishte konsoliduar nga ana e njohurive dhe suksesit qysh I ri, mes banorëve të të Janinës dhe me luftëtarët e plagosur në luftë. Në këtë periudhë u shfaqën prirjet e tij të para të bamirësisë, pasi bënte vizita pa marrë shpërblim nga të sëmurët, dhe kjo gjë bëri që fama e tij të vazhdonte të rritej në një kohë të shkurtër.

Fama e shëronjësit të shquar mori përfundimisht vulën e fatit kur Mbretit të Rumanisë, Maruzi, i ishte paralizuar e bija nga gangrena, dhe gjithë mjekët më të mirë të kohës, nuk i kishin bërë dot derman, dhe u desh vizita e  Vangjel Zhapës, i cili me njohjen e shkëlqyer të vlerave kurative të bimëve mjekësore, arrin që brenda 5 muajve, të shërojë vajzën e mbretit derisa kjo të ngrihet në këmbë përfundimisht. Natyrisht shpërblimi për Vangjelin ishte i majmë, dhe bëri që në vazhdim falë investimeve inteligjente, sidomos në bujqësi, Vangjel Zhapa, të shtonte ndjeshëm pasurinë e tij në të holla dhe në prona të paluajtshme.

Në moshën 35 vjeçare shkoi për studime mjekësore në Paris, të cilat i kurorëzoi mbas tre viteve, ndërkohë që për idetë dhe eksperiencën që gëzonte  në fushën e bujqësisë dhe agrokulturës, shteti rumun i akordon titullin e lartë “Këshilltar i oborrit të Mbretit të Rumanisë”. Në vitin 1856, i kërkon Mbretit të Greqisë që të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare për rilindjen në shtetin helen të traditës Olimpike, pikërisht aty ku kishte pasur zanafillën e vet, në Athinë.

Në vitin1859, sipas iniciativës së Vangjel Zhapës dhe miratimit nga ana e Mbretit Othos të reqisë së atyre viteve, u realizua çelja e parë e manifestimeve dhe lojrave olimpike. Përsëri me kërkesë të Vangjel Zhapës qeveria greke në vitin 1869 jep lejen për ndërtimin e një kompleksi modern, i cili ekziston edhe sot, me emrin “Pallati Zappion” dhe që konsiderohet nga grekët, sot e kësaj dite si një stoli e kryeqytetit helen. Kush e ka vizituar “Zappion” me siguri që e ka vënë re se në të majtë të hyrjes së këtij pallati, gjendet një statujë madhështore përjetësimi e Vangjel Zhapës.

 

Vangjel ZHAPA, Nderi i Kombit.

Për t`u vlerësuar dhe falënderuar Presidenti i Republikës Bujar Nishani i cili me dekret të posaçm të datës 9 Shkurt 2015,  i akordoi, pas vdekjes,  Vangjel Zhapës, këtij atdhetari të madh titullin më të lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Si atdhetar dhe bamirës i shquar shqiptar, mbështetës i botimit të dy abetareve shqipe dhe tre abetareve përpiluar nga Naum Veqilharxhi, dha ndihmesë për ngritjen e disa shkollave në jug të Shqipërisë, Greqi, Rumani dhe Turqi”.

Veprat e Vangjel Zhapës, përveç se në vendlindjen e tij dhe Shqipërinë e Jugut, kalojnë ndjeshëm edhe kufijtë jashtë vendit. Në Rumani Vangjel Zhapa ka financuar ndërtimin e Akademisë, Universitetin dhe Teatrin e Bukureshtit, në Broshteni Kishën e Shën Vangjelizmoit dhe disa rrjete të rëndësishëm hekurudhorë, ndihma konkrete për spitalet e këtij vendi etj;

Ndërkohë në Turqi ndërtoi godina publike për bamirësi, në Stamboll, Edrene, Kerkelleri, Firkides, shkollë në truallin e Sulltan Bajazitit etj. Në shtetin helen dihet se ndërtoi Stadiumin Olimpik, duke ringjallur Lojërat Olimpike, pallatin “Zhapion”, rrugë, jetimoren e Amelias (Peloponez) që i jepeshin 100 napolona flori çdo vit, ka financuar ndërtimin e shkollave të shumta (në Kostandinopojë e Adrianopojë).

 

Testamenti  i Vangjel ZHAPËS

Në vitin 1860, Vangjel Zhapa  harton dhe nënshkruan një testament të rëndësishëm, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të quhet “Testamenti Zhapa”, ku në thelb të ardhurat që siguroheshin nga pasuritë e tij të shumta të shpërndaheshin si në Shqipëri , ashtu edhe në Rumani, Turqi e Greqi, me qëllime të paracaktuara si arsim, shëndetësi dhe zhvillim i krahinës së tij të lindjes, e përreth.

Testamenti i Vangjel Zhapës kategorizohej dhe shpërndahej sipas problemeve dhe veprimtarive njerëzore, gjë që tregon qartë qëllimet e tij për mirësi e filantropi në dobi të njerëzimit. Mirëbërsia e tij në “Testamentin Zhapa” vazhdon në financimin e veprave sociale të vendlindjes e më gjerë deri në vitin 1940, të cilat pastaj u ndërprenë. Testamenti “Zhapa” pas vitit 1940 është bllokuar nga shteti helen, dhe përpjekjet për ta riaktivizuar atë deri tani kanë qenë nul.

Shqiptari Vangjel Zhapa, si njeri me vizion evropian, kishte synime edhe për edukimin e vajzave me virtytet e moralit të shoqërisë moderne, pasi mesjeta i kishte lënë të ndrydhura. Vangjel Zhapa bëri projektet për çeljen e shkollave femërore në Kostandinopojë, Adrianopojë e Labovë të Madhe, sipas modelit të shkollave më të mira të shtetit helen.

Shqipërinë e varfër së asaj kohe nuk i pati munguar kurrë ndihma nga Vangjel Zhapa. Ai do të përkujdesej nëpërmjet testamentit të tij për shkollat e Leklit, Kakozit, Karjanit, Nivanit, Përmetit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit e Qeparoit. Në testament parashikohej që për çdo vit fondi në ndihmë të këtyre shkollave të kapte shifrën e 1200 frangave ari në vit.

Edhe regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1957 bëri përpjekje të mëdha ligjore për të mundësuar përfitime për vendin nga testamenti i Vangjel Zhapës, por nuk ja arriti dot qëllimit. Me kalimin e viteve zbehen shpresat se mund të merret parasysh nga Qeveria Greke zbatimi i Testamentit të Vangjel Zhapës, i cili padyshim do të ishte një burim i rëndësishëm zhvillimi i Jugut të vendit dhe atyre krahinave që janë dominuar në këtë testament.

Është e dyshimtë, aq sa dhe e papranueshme, që të paktën një institucion i rëndësishëm arsimor, të mos mbartë emrin e këtij atdhetari të madh. Kujtoj se studiuesi i madh grek Aleksandër Farmaqi, mbasi kishte përfunduar së studiuari veprën e Vangjel Zhapës, duke i`u referuar këtij të fundit ka shkruar se: “Asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamirës sa Epiri”.

Njeriu që nderohet ende, duke filluar nga Universiteti i Bukureshtit, e deri në institucionet e Bosforit dhe atenetë e Athinës, duhet të nderohet më tepër dhe duhet të promovohet shkrimi i historisë së tij, bamirësive, dhe pse jo e vërteta e madhe, se Vangjel Zhapa ka qenë themeluesi i vërtetë i shkollës së parë shqipe.

Lini një koment