JETA NË TIRANË, kujtimet e gazetarit Suedes, Sven Auren.
Përktheu Adil Biçaku.
Hoteli më i mirë i Tiranës dhe Shqipërisë quhet Dajti sipas emrit të njërit mal më të lartë nga ata që rrethojnë kryeqytetin. Ndërtesa nga jashtë është diçka madhështore, që ndahet prej bulevardit të gjere nga një perde pishash. Por nuk qenë shqiptarët, që e ndërtuan, por italianët. Këta të fundit bënë çuditërisht shumë, gjatë kohës së shkurtër si zotërinj të vendit. Salla e hyrjes është shumë e madhe, veshur me mermer dhe shumë formale, dhoma të këndshme, higjiena le për të dëshiruar. Ashensori – hoteli i vetëm i Shqipërisë me ashensor – është jashtë përdorimi, por pastruese me fustane të zeza, përparëse të bardha dhe flokët topuz, bajnë valixhet e mysafirëve nëpër shkallët ndërsa meshkujt e personelit bëjnë sehir. Okupacioni turk që vazhdoi 500 vjet, ka lënë gjurma ende deri më sot.
Hotel Dajti është i rezervuar për të huaj, ndërsa banorët e vendit e kanë të ndaluar. Shqiptarët, që janë ulur në sallë ose që mbështeten në barin e trishtuar, janë policë me veshje civile dhe në fytyrat e tyre nuk mund te lexosh diçka. Atmosfera përgjithësisht është e rëndë dhe karakterizon republikën popullore tërësisht. Portieri përshëndet mysafirët e ri pa asnjë orvatje për një buzëqeshje, nuk dallon as shkëlqim në sytë e shërbyesit. Kamerieri i barit, një burrë në moshën mesatare duket sikur ka varrosur dikë të afërt sot paradite, dhe në raft një rradhë shishesh si urna në një kolumbarium*1. Ato shërbejnë vetëm si dekor. Nuk mund të porosisësh pije përkatësisht (visky, konjak, sherry etj.), veç se klientët detyrohen të zgjedhin raki ose lëng limoni. Dhe me një gotë raki përpara – rakia më e mirë shqiptare, që thuhet kalimthi, bërë prej manaferre –nëse shfleton në ca broshura, që shoqërojnë me çelësin e dhomës. Reklamë për hotelin? Propagandë turistike për Shqipërinë? As gjë. Njëra flet mbi “ tradhtinë e Rusisë ndaj komunizmit” dhe tjetra i bën thirrje, për vigjilencë, botës socialiste: “Kuçedra kapitaliste ngrenë kryet në Çekosllovaki”.
I kthen shpinën këtij barit të gëzuar….dhe nisem për në qytetin me emrin e bukur. Se çfarë konstaton një rrugëtar në Tiranë, i cili para lufte, kur dilte nga hoteli, ishte zhurma e rrugës.
Taksitë dhe veturat private i binin burisë pa ndalur, por kishte edhe tjetër lloj zhurme trafiku: një shumicë e madhe karroca kuajsh, shkatarraqe, që i kishin pajisur me buri veturash dhe karrocierët u binin me zellshëm sikurse
automobilistët, një mori gomarësh që përdoreshin për transporte dhe kontribonin në ulërimën e madhe të koncertit, qerre dhe karro, të ndryshme, katër rrotëshe, tregtarë ambulantë, që u binin zileve, muzikantë rrugësh… . Përveç asaj rrugët e këqija automobilistike bënin të veten që kakofonia të arrinte maksimumin. Zhurma ndoshta bënte një përshtypje irrituese, por njëkohësisht pasqyronte një jetë të gëzuar në një kryeqytet, që ishte një katund Ballkanik shumë i madh.
Çfarë ndesh njeriu tashti, heshtjen. Është e çuditshme dhe e pa imagjinueshme. Hotel Dajti ndodhet në rrugën kryesore, i cili gjatë okupacionit italian u ri-pagëzua nga Bulevardi Zog në Bulevardi Mussolini dhe tani quhet Bulevardi Stalin. Ai është i gjerë si Chams-Elysées*1 dhe mjaft i mirëmbajtur: asnjë mbeturinë, asfalti shkëlqen si një pasqyrë. Në njërën anë qëndron një monument që paraqet Stalinin, në anën e kundër duket Lenini, ndryshe bulevardi rrethohet nga shtëpi të reja dhe mjaft pompoze, të kombinuara me parqe. Atje larg një hapësirë e madhe, shesh i rrumbullakët ku heroi kombëtar i Shqipërisë Skënderbeu me përkrenaren e tij të famshme kontrollon situatën prej një kali bronzi me këmbët e para në ajër. Nuk mund ta mohosh që Tirana është zbukuruar. Por nëse në barin e Hotel Dajtit sundon një atmosferë si në një dhomë varri, në Bulevardin Stalin mbizotëron qetësia e vërtetë e varrezave. Unë nuk e ekzagjeroj. Heshtja lidhet me situatën e trafikut ose drejt me thënë mungesen e trafikut. Bulevardi është bosh: as automobila, karroca kuajsh, qerre apo gomar dhe pothuaj se as dhe njerëz. Qe një ditë jave nga ora katër pas dite që unë e konstatova për herë të parë. Një grua shtynte një karrocë fëmije në midis të xhadesë ku disa fëmijë loznin pafkash, dhe një burrë i vetëm qëndronte pa lëvizur dhe lexonte Zëri i Popullit e cila është Pravda e Shqipërisë. Si një turist në Sahara, prita gjatë që të dukej ndonjë automobil, dhe më në fund munda të shoh një kamion dhe një Mercedez elegant me perde të bardha të mbyllura, pas tyre fshihej ndonjë funksionar i lartë komunist. Asnjë motoçikletë, nja dy- tri biçikleta.
Në sheshin Skënderbeu pret një tjetër përjetim. Në shesh shërbente një polic me një shkop të bardhë gome. Ai është i vetmi polic trafiku në Shqipëri, dhe ky i shkreti s´ka asgjë për të dirigjuar. E ndjej nevojën për t´a ndihmuar ashtu sikurse Çestertoni *2 (Chesterton) tregon se si një turist anglez ndihmoi një faturino hekurudhe gjermane, që dukej se ishte shumë melankolik. Duke blerë një biletë për në lagjen më të afërt dhe t´ia japë që ta presë, e bëri nëpunësin dëshpëruar të gëzohet.
Një shpallje në hotel thotë se ka biçikleta me qira. Nëse unë do t´a kisha zbatuar lajmin e shpalljes, dhe të kisha kaluar përmes sheshit Skënderbeu me biçikletë, edhe unë do të kisha kryer një vepër të mirë njerëzore. Është kollaj të ironizosh, por mungesa e trafikut ka vetvetiu një shpjegim të natyrshëm.
1-.*Bulevard i madh në qendër të Parisit. (shën. përk).
2-.*Gilbert K. Chesterton 1874-1936 shkrimtar dhe poet britanik. (shën. përk).
Shqipëria e kuqe është një komb në skamje, që i mungon pothuaj çdo gjë dhe veçanërisht valutat e huaja. Automobila, motoçikleta dhe biçikleta nuk prodhohen në vend dhe duhet të blihen nga jashtë dhe të paguhen më para tjera dhe jo lekë, që është monedha shqiptare. Në këtë situatë kënaqen, të blejnë makineri të domosdoshme, d.m.th. autobusë dhe kamionë (plus një pjesë vetura për zotërinjtë e vendit) dhe kufizimin e importimit të biçikletave deri në minimum. Ndërkaq, karrocat, qerret dhe gomarët, konsiderohen se bëjnë një përshtypje prapambetjeje dhe janë të ndaluara në qendër të kryeqytetit për arsye prestigji. Rezultati: bosh dhe heshtje.
Fshesa komuniste ka fshirë shumë gjëra të tjera. Janë bërë mjaft ndërtime në Tiranë gjatë këtyre 20 viteve të fundit, dhe janë ngritur zona të reja moderne banimi. Rrëmuja e rrugicave dhe shtigjeve në periferi të sheshit Skënderbeu është pothuaj njësoj si përpara. Por çdo gjë që i jepte qytetit ato ngjyra dhe atë joshje është zhdukur: dyqanet e vegjël të panumërta dhe të zotët që rrinin përjashta tyre dhe pinin duhan me çibuk të gjatë të punuar bukur, gratë e mbuluara, që rrinin galiç prane mureve, katundarët, me veshjet e tyre të rralla, që vinin nga malet e larta, rreckamanët e shkretë, dhe bajraktarët krenar me kuajt e bukur, mizëri fëmijësh lypës, aroma e ëmbël e kafes turke, që përhapej prej qindra kafenesh të vogla…. . Gjithë Tirana mbante aromë kafeje në atë kohë. Tashti qyteti nuk ka asnjë aromë. Të gjithë njerëzit duket njëlloj: burrat janë veshur me pantallona të errët dhe këmisha të bardha dhe gratë mbajnë fustane pambuku, por duhet thënë se sipas rrobave nuk të duket se ka varfëri të theksuar. Njeriu nuk ndiqet më as nga turma fëmijësh lypës. Jo pse mungojnë fëmijë. Përkundrazi. Në Shqipërinë e sotme nxitet lindshmëria në të gjitha mënyrat, dhe falë kësaj politike është shtuar popullsia nga një milion në një e gjysmë që pas lufte. Kryeqyteti ka 135 000 banorë në krahasim me 35 000 në vitin 1945. Sheh fëmijë kudo po ashtu edhe gra shtatzëna. Me shami të kuqe për qafe, dhe me flamur të kuq përpara rreshtit në formë repartesh ushtarake marshojnë të rinjtë, duke kënduar këngë antiimperialiste, dhe quhen “Pionierët e Kuq”.
Nga numri i shumtë i dyqaneve të vegjël t´atëhershëm kanë mbetur tani vetëm pak por edhe ata nuk kanë shumë gjëra për të ofruar. Më kujtohet një sahatçi në rrugën kryesore, i cili shiste rripa sahatesh por jo sahatë. Jeta tregtare, është e përqendruar në magazina shtetërore, që quhen MAPO që do të thotë “Magazinë Popullore” lokale të mëdha trishtuese me pajisje të errëta, që të kujton po të njëjtat magazina në Pekin, dhe atje ka mungesë mallrash nëpër raftet. Çmimet të bëjnë të shtangësh. Rroga mesatare e punëtorit është midis 250 dhe 500 kruna (kronor)*1 në muaj dhe kjo e fundit në raste të veçanta.
Këpucët kushtojnë 50—60 kr., këmisha 50 kr., një çantë grashë 70—100 kr. Dhe të gjitha të thjeshta ose të thuash te drejten primitive. Cilët janë ata shqiptare që kanë mundësi me ble në këto MAPO ?
1*- Monedha suedeze kronor (korona) kr. (shën. përk.).
Përsa u përket njerëzve, janë pyetje tjera që nuk mund të hesht edhe pse ndoshta mund të cilësohet si tragjike. Para lufte shikoje arixhinj kudo. Unë nuk kam pa as edhe një magjyp gjatë këtij udhëtimi. Kur mbaroi lufta statistika zyrtare e dëmtimeve të Shqipërisë, përmbante dhjetëra mijëra invalidë. Nëpër muzetë e luftës, që ndodhen në të gjithë qytetet e mëdhenj të vendit përsëriten gjithnjë këto të dhëna. Ku ndodhen ata tani? Gjatë dy javëve udhëtimi këtu nuk kam parë asnjë invalid. Çfarë i ka gjetur pleqtë? Pleqtë mund të numërohen në gishtat e njërës dorë. Kam përshtypjen se vendi përbëhet vetëm nga popullsia e moshës së punës dhe fëmijë. Ka të ngjarë, që nënshtetasit jo produktivë të jenë ne kampe përqendrimi ose të izoluar në fshatra të izoluara, por çdo pyetjeje për të vizituar një azil invalidësh—ose azil pleqsh; përgjigja e menjëhershme është negative. Në një shtet komunist, që ndodhet në epokën e hekurit dhe që si e tillë çdo gjë vlerësohet pas shkallës së dobishmërisë, këto vëzhgime duke shqetësuese.
Kjo Tirana, e shpëlarë dhe vetëm me një alternativë, ku të pasurit nuk ekzistojnë më dhe fukarenjtë duken më pak fukarenj, është një qytet i ri. Jo më pak, ka diçka, që është fare e njëjtë dhe që tregon se veçoritë orientale tek shqiptarët janë të gjalla; nepotizmi. Nëse dikur shëtisje në rrugë pasi të errësohej duhet të kishe kujdes mos shkoje afër një zone të madhe, të rrethuar me mur betoni. Ajo ruhej rreptë: post rojet vëzhgonin me dyshim të gjithë kalimtarët, tek-tuk shihje ndonjë grykë automatiku në frëngji. Brenda mureve banonte Zogu bashkë me nënën e tij dhe gjashtë motrat, të gjithë aktivë në politikë. Pozitat e larta zakonisht ishin të zëna me fare fis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mirëmbrojtur. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare me monarkun si drejtor ekzekutiv, anëtarët e familjes si kryesi dhe fisi si aksionarë.
Sistemi nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të thellë. Shqipëria e sotme është një ndërmarrje familjare komuniste. Zotërinjtë e rinj kanë ngritur një lagje me vila për veten e tyre, që siç duket janë inspiruar nga qyteti i ndaluar i kohëve të kaluara, Pekini. Kjo është e izoluar si një shtatmadhori ushtarake në kohë lufte. Nëse i afrohesh të përzënë rojet e armatosura mirë, që duken se janë edhe më shumë se në kohën e Zogut dhe përveç kësaj kanë edhe qenë kufiri (schefer). Në këtë qytetin e ndaluar jetojnë tri familjet që bashkë-qeverisin Hoxha, Shehu dhe Kapo. Figura më dominuese është natyrisht sekretari i përgjithshëm i partisë komuniste, ish mësuesi i një shkolle në Korçë Enver Hoxha, pastaj vijnë dy veteranët e partisë Shehu që është kryeministër dhe Kapo, që është numër 2 i partisë. Që të tre janë martuar me motrat ose fisin e njëri tjetrit. Zonjat Hoxha,
Shehu dhe Kapo janë super aktive komuniste dhe anëtare të shquara të komitetit qendrorë të partisë, që në Shqipëri dhe në demokracitë e tjera popullore përbëjnë bazën e pushtetit. Në postet tjera kyçe gjenden sërish vëllezër, kunetër dhe kushërinj. Vetëm Hoxha është kujdesuar pra të ketë vënë në detyra të rëndësishme një vëlla, një dhëndër dhe gjashtë kushërinj. Kjo botë, që është si një fis, jeton për veten e vet. Herë- herë del, Enver Hoxha, së bashku më bashkëpunëtorë dhe i rrethuar nga polic, për të përuruar apo të mbaj fjalim dhe pastaj kthehet në lagjen e tij si një zot fortese në kështjellën e vet.
Se si shkon jeta mbas murit rrethues me post roje nuk e di askush i jashtëm. Jetojnë zotërinjtë e vendit po aq thjeshtë si shqiptarët përgjithësisht detyrohen të bëjnë, apo është standardi i atij lloji sa që duhet të mbahet sekret? Thashethemet pëshpëriten brenda trupin diplomatik në Tiranë ku çdo shef ambasade e konsideron postin që ka si një formë dënimi dhe përfaqësitë e huaja perëndimore kufizohen në dy: ambasadorët e Italisë dhe Francës. Por për shqiptarin e zakonshëm, që ende është një copë orientalisti, çështja nuk përbënte ndonjë interes të madh. Komunist ose jo—ç´është më e natyrshmja se ai që i a arrin të marrë pushtetin rregullon fisin e vet, ai vendos pjesëtarët e familjes në poste kyçe nga të cilat poste varet pozita e tij, dhe shijon më të mirën e jetës…? Që Enver Hoxha, para njëzet vjetësh dukej si një qejfli shtathedhur (playboy), tani duket si një bej i majmur asnjeri nuk çuditet për këtë. Nisur nga këndvështrimi shqiptar e kundërta nuk do të ishte e natyrshme.
Kur bëhet natë Tirana duket si qytet i vdekur. Llamba të forta ndrisin rrugët e braktisura. Por llamba e vajgurit, që ndriste aq qetë më parë, nga arkivoli i Sulejman Pashës në xhami dhe thuhej se kurrë nuk është shuar sikurse flaka e përjetshme nën Harkun e Triumfit *1, nuk ekziston po ashtu as edhe arkivoli.
Sulejman Pasha qe një çifligar, që themeloi qytetin dikur në vitet 1500, dhe Enver Hoxha siç duket mendon se varret kapitaliste të kohës së kaluar, s`kemi pse t´i ruajmë. Opera fatkeqësisht nuk jep asnjë shfaqje, dhe nëse duhet të kaloj mbrëmjen, mbetet veç klubi i natës në hotel Dajti. Në fakt ka një klub nate, bile është i pajisur edhe me një tabelë ndriçuese. Banorët e Tiranës s´mund t´a vizitojnë këtë klub. Lokali është veç për të huaj dhe shpresat janë, se ata do të këmbejnë ndonjë kartëmonedhë të shtetit tyre. Të gjitha tavolinat janë bosh përveç njërës, e cila shërben si post—observacioni për dy policë. Të pesë muzikantët me gjysmë zemre, fillojnë me tonet e një valsi vjenez, dhe kamerieri ve një mbulesë mbi tavolinë dhe do të dijë nëse do të porosis raki apo lëng limoni.
1*- Harku i Triumfit (180-1836) ndodhet në qendër të Parisit: Napoloni vendosi ta ndërtohej si kujtim për fitoret e mëdha ushtarake, aty është edhe varri i ushtarit të panjohur. Harku është 51 m. i lartë dhe 45 m. i gjërë (shën. përk.).
Foto nr 2 Polici i vetëm i trafikut të Tiranës në sheshin Skënderbeu ku sheh ca biçikleta dhe rrallë ndonjë veturë. Sipër një kartëmonedhë shqiptare lek.