Kategori
Uncategorized

Në Shqipëri Donald Lu është President dhe Donald Trump ambasador. Apo e kemi gabim?!

Në Shqipëri Donald Lu është President dhe Donald Trump ambasador. Apo e kemi gabim?!

Nga Syri.net /

Një situatë absurde po zhvillohet me intesitet në disa segmente të rëndësishme të ambientit mediatik dhe politik në vendin tonë, menjëherë pas fitores së “papritur” të Donald Trump si presidentit i 45-të i SHBA-së. Gati të gjitha mediat e kontrolluara nga Edi Rama, menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit për të cilin kishin vënë bast se nuk kishte asnjë shans të fitonte nisën një fushatë denigruese kundër tij. Fillimisht u duk se e gjitha kjo maskaradë ishte pasojë e  hidhërimit dhe zhgënjimit për humbjen e Hilari Klintonit, që kishte  si “kumbarë“ kumbarin e tyre, Xhorxh Sorosin. Por koha tregoi dhe po vërteton çdo ditë në vazhdim, që bëhet fjalë për një strategji të mirë organizuar.

Është e vërtetë që pështyma e mizave periferike të një vendi të mbaruar në cep të Europës, as që kanë shans të mbërrijnë deri te mamuthi përtej oqeanit, por ama këtu brenda po ndyjnë sa të mundin pro amerikanizmin e popullit shqiptarë. Që të jemi të qartë Donald Trump u zgjodh nga populli amerikan dhe që atë ditë që u u betua para tij, ai është vetë Amerika. Dhe kjo është kështu dhe pikë, jo për vetëm për ne. Por këtu po ndodh (më saktë po instrumentalizohet) një fenomen sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. Ajo palë që në çdo edicion lajmesh dhe studio televizive hedh baltë mbi figurën e Trump është edhe dashnorja dhe mbrojtësja e madhe e ambasadorit të tij në Tiranë, Donald Lu.

Janë të njëjtët që sa herë lëshon ndonjë “bombë” ky i fundit dhe kur ata zëra të paktë kritik i thonë, që e ke tepruar sepse nuk je guvernator i vendit por ambasador, të lëshohen dhe të kujtojnë se ai përfaqëson vetë Presidentin e SHBA-së, prandaj bëj kujdes. Pra Donald Lu-në nuk duhet ta kritikosh, sepse tak-fak etiketohesh antiamerikan. Por ama nga ana tjetër Ylli Rakipi, Blendi Fevziu (të mos flasim për lajmet e Sokol Ballës) bëjnë emisione të tëra ku merren me presidentin Trump, për çfarë po bën me politikat brenda vendit dhe ato globale. Nuk i zë gjumi për “fatin” e muslimanëve amerikanë. Dhe nëse dikush u thotë, që kini kujdes se po e teproni, të thonë pa një pa dy, se kanë hallin e amerikanëve dhe të muslimanëve që po i ndalon të futen në SHBA (në fakt nga ata 7-të të parët që ju revokua viza pas dekretit, 3 ishin të krishterë).

Vini re çfarë standardi të dyfishtë përdorin, pa ju dridhur qerpiku; Nëse kritikon ambasadorin Lu je antiamerikan, nëse kritikon Presidentin Trump ke hallin e Amerikës dhe je pro amerikan!! Sipas kësaj “logjike”, Lu që është një majë lapsi në stafin e Trump na përfaqëson vetë Amerikën, pra është President dhe jo ambasador, për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të dy vendeve.

Në fakt duhet të ndodhte e kundërta. Debati dhe shqetësimi i vërtetë që duhej trajtuar në Shqipëri pas zgjedhjes së Donald Trump si President nga populli amerikan, duhet të ishte ai në dritën e deklaratave të kryeministrit tone, që e ka quajtur “rrezik për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”. Rama ka thënë edhe që ai është turp për mbarë civilizimin dhe rrezik për vetë Amerikën, por emisionet e Rakipit dhe Fevziut bashkë me lajmet e Ballës, edhe pse janë “gjigante”, nuk besojmë se mund të arrijnë që këtë zbulim të Ramës, ta përçojnë deri te populli amerikan dhe vendet e tjera që përfaqësojnë civilizimin mbarëbotëror.

Çështja është shumë e thjeshtë; Kemi ende në detyrë një kryeministër që është përzierë dhe është përdorur keq, gjatë fushatës në SHBA kundër Presidentit që ka sot Amerika. Dhe jo vetëm kaq. Ai jo vetëm që nuk denjon që të dërgojë një urim në emër të qeverisë që drejton me votat që morri nga ky “popull pro amerikan”, por as nuk po kërkon ndjesë, për atë që ka bërë.

Si përfundim mund të themi se ky realitet mediatik i frymëzuar nga Edi Rama na ka vendosur në mes të një situate, që është pak ta quash groteske; po krijohet ideja që Donald Lu është Presidenti i duhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse Donald Trump ambasadori i keq i Shqipërisë në Washington, i cili po shkatërron marrëdhëniet mes dy vendeve dhe po na turpëron civilizimin! /Syri.net/

Kategori
Uncategorized

Kush duhet të dalë me 18 shkurt në protestë!

Kush duhet të dalë me 18 shkurt në protestë!

Nga Hysni Gurra /

Populli rumun ishte një hap përpara popullit shqiptar në rrëzimin e diktaturës, ashtu është edhe sot. Qindra mijëra protestues kanë pushtuar rrugët e Bukureshtit kundër dekretit qeveritar që parashikon amnisti të pjesshme për zyrtarët e korruptuar. Protestuesit rumun kanë  deklaruar se nuk tërhiqen më edhe pse qeveria u tërhoq, pra, tani kërkojnë largimin e qeverisë. Një rrugë e dy punë, i thotë populli ynë kësaj. Por, për protesta kundër qeverisë nuk është se ia themi shumë në fakt. Opozita shqiptare ka thirrur një protestë më datë 18 shkurt, nën shembullin e rumunëve. Edhe pse shembujt që rendit, për shumëkënd, nuk ngjasojnë.

Qëllimi i opozitës është të vijë në pushtet dhe kjo nuk është ndonjë e panjohur e madhe.

A duhet të vijë kjo opozitë në pushtet? Mund të pyesin shumë njerëz.

Unë mendoj se ka një mijë argumente pse kjo opozitë duhet të vijë në pushtet ashtu sikurse ka një mijë të tjera që nuk duhet të vijë.

Këto lloj pyetjesh dhe kompleksin për t’i bërë apo jo këto pyetje e kanë përgjithësisht militantët e partive, unë për vete nuk e kam. Në kushtet kur në Shqipëri nuk ekzistojnë sindikatat apo kur shoqëria civile financohet nga buxheti i shtetit (ka një agjensi shtetërore e cila shpërndan fondet për shoqërinë civile, për ata që nuk e dinë) detyra për të thirrur protesta i takon opozitës dhe qytetarët e ndershëm, të cilët përbëjnë shumicën, është t’i përgjigjen opozitës.

Qytetarët duhet të shkojnë në protestë në radhë të parë për të “frikësuar” opozitën.

Çfarë dua të them me këtë?

Nëse protesta e 18 shkurtit arrin në përmasa sa çereku i protestave në Rumani, opozita duhet të ndihet e përgatitur që nesër në pushtet, nëse nuk u përmbahet premtimeve, jo të mendojë për dy mandate qeverisjeje, por as një mos ta mbyllë plotësisht.

Shumë njerëz, kur shohin deputetët, ish zyrtarët e djeshëm që akoma nuk u ka dalë velania nga pushteti, thonë: – Po pse të protestoj unë, që të majmen këta?!

Kjo është një shprehi që deri diku qëndron.

Por, një tjetër pyetje mund të shtrohet: – A mendon kush se kjo qeveri nëse mandatohet edhe për një katër vjeçar tjetër do të punojë më mirë?

Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta japë edhe një rilindas i thekur se këta veçse do t’i shtojnë zullumet, kurrsesi nuk mendohet se do të punojnë më mirë.

Mos dalin në protestë ata që jetojnë sot më mirë se dje!

Në protestë të dalin ata që pritën uljen e çmimit të energjisë, i cili u rrit!

Në protestë të dalin ata të cilët pritën uljen e çmimit të ushqimeve të shportës, të cilat u rritën!

Në protestë  të dalin ata të cilët pritën se çmimi i naftë dhe benzinës do të ulej,  jo vetëm që nuk u ul çmimi i tyre, por u rrit edhe ai i gazit!

Në protestë të dalin ata të cilët prisnin arsim më cilësor dhe me çmime të përballueshme nga të gjithë, por nuk ndodhi kjo!

Në protestë të dalin punëtorët e fasonerisë (skllevërit e kohëve moderne)!

Në protestë të dalin bujqit dhe blegtorët, të cilët prisnin çmim inputesh bujqësore të ulura, prisnin çmimin e naftës të ulur, prisnin farëra dhe fidane më cilësore, prisnin ujin në parcelë, prisnin mekanikë bujqësore, prisnin fonde më shumë, dhe nuk morën as njërën as tjetrën!

Në protestë të dalin ata të cilët votuan për të patur një Shqipëri pa plehra dhe sot e kanë më të ndotur se dje!

Opozita ka gabimet e saj, por për të gjitha këto sa më lart rendita, nuk është fajtore opozita, është pushteti.  Ky pushtet premtoi se do t’i realizonte këto premtime, gënjeu. Ka vetëm një njeri në Shqipëri, i cili bën fajtore opozitën për të gjitha këto, dhe ai është kryeministri i vendit. Edhe ky është një premtim i pambajtur se pati premtuar se qeveria do të ketë fjalë punën dhe opozita ka punë fjalën, nuk e mbajti as këtë premtim.

Shqiptarët duhet të dalin masivisht në këtë protestë për të vënë para përgjegjësisë pushtetin dhe për të frikësuar opozitën.

Nesër, nëse opozita e sotme vjen në pushtet dhe sillet si qeveria e sotme, shqiptarët sërish duhet të ngrihen dhe t’i tregojnë vendin, në mesin e mandatit po qe e nevojshme.

Kjo është frika e cila duhet t’i përcillet opozitës në 18 shkurt.

Një rrugë e dy punë!

Kategori
Uncategorized

Manjani hap “kutinë e Pandorës”: Ja si po pastron Rama para me projektin “1 miliardë euro”

manjani1

“Projekti 1 miliardë euro i shpallur nga Kryeministri është PASTRIM PARASH! Kultivimi dhe tregëtia e hashashit i paska mbledhur 1 miliardë euro, por u duhet një vend për ti fshehur. Mënyra më e mirë është investimi. Investimi në projekte qeveritare është më i sigurti”. Kështu shprehet ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i shkarkuar nga detyra këtë javë me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Përmes një statusi në Facebook, Manjani hedh akuza të forta në drejtim të qeverisë, teksa i kujton kësaj të fundit ngjarjet që pasuan skemat piramidale.

Ja postimi i Ylli Manjanit në Facebook:

Përshëndetje,

Projekti 1 miliardë euro i shpallur nga Kryeministri është PASTRIM PARASH! Kultivimi dhe tregëtia e hashashit i paska mbledhur 1 miliardë euro, por u duhet një vend për ti fshehur. Mënyra më e mirë është investimi. Investimi në projekte qeveritare është më i sigurti.

Skema tipike e pastrimit të parave që vijnë nga ekonomia e zezë dhe kriminale kërkon një kontratë (shërbim, Koncension apo PPP) me qeverinë, një bankë që të jetë garante dhe një shtet të paralizuar (për tu mbrojtur nga ndjekja penale).

Oferta në shuma të tilla u vijnë gjithmonë qeveritarëve. Njerëz të ndryshëm me ose pa kravatë shfaqen gjithmonë nëpër zyra ministrash e kryeministrash me ofertën “kam para por dua ti investoj, mundësisht në Infrastrukturë”. Deri më sot qeveritë tona i kanë refuzuar këto oferta sepse ishin pastrim parash.

Kryeministri sot shfaqet jo si refuzues, por si ofertues dhe pranues i ofertes se vet. Kështu ndodh vetëm kur je vetë edhe në krye të parave edhe në krye të qeverisë!

Jo pa qëllim u shpall tani kjo nismë. Tani që i mbaroi misioni FMN qeveria i ka duart e lira të marrë borxhe jashtë sistemit të borxhit pubblik. Konsensionet jane borxhe të pastra për shtetin dhe shoqërinë, por qeveria nuk i rregjistron si boxh menjëherë.

Tani i mblodhen paratë e gati tre viteve aktivitet informal e kriminal të kultivimit dhe tregëtimit te hashashit, por edhe aktiviteteve të tjera të paligjshme. Thuajse askush nuk u dënua apo iu sekuestrua pasuria! Vetëm viktima të krimit dhe disa malësorë Lazaratas janë shumë pak për të provuar suksesin imagjinar të Kryeministrit në luftën kundër drogës. Drejtësia në këtë rast nuk është 100% fajtore, sepse shumë pak nga ata që u kapën i shpëtuan denimit! Trafikantët e vërtëtë vetëm u pasuruan dhe tani janë gati të investojnë.

Sulmi me qëllim bllokimin e Prokurorisë synon në thelb të garantojë siguri për investitorët “trafikantë” që nuk do ketë hetime kur paratë të filojnë të dalin në sipërfaqe!

Tani duhet një projekt i tillë edhe për “tu gjetur punë” bankave që prej vitesh tashmë rropaten për të mbyllë bilancet e tyre vjetore pozitivisht.

Sigurisht tani në prag të zgjedhjeve duhet ky projekt, i cili përdoret për qëllime populiste për të fituar zgjedhjet.

Çështja është se me këtë mënyrë edhe të tjerë përpara i kanë fituar zgjedhjet. Me skemat piramidale u fituan zgjedhjet e 1996, por vetëm një vit më pas ndodhi hataja.

Shqiptarët nuk mund ti lajnë borxhet trafikantëve njësoj si kreditorëve seriozë të derisotëm!

Si fillim nuk duhet të largohet FMN…

Kategori
Uncategorized

Bashkëshorti i Romana Vlahutin me dy projekte të mëdha biznesi në Shqipëri

Tjetër zbulim, bashkëshorti i Romana Vlahutin me dy projekte të mëdha biznesi në Shqipëri

Rruga evropiane për Shqipërinë kalon përmes Greqisë. Sado që kjo mund të shqetësojë lidershipin shqiptar, si dhe disa anëtarë të BE-së që janë duke u përpjekur të minojnë bisedimet midis dy vendeve, ky është realiteti.

Propozimet e Komisionit Evropian dhe progres-raporti për Shqipërinë, nuk janë detyruese për Këshillin Europian, që do marrë çdo vendim lidhur me pranim e Shqipërisë në BE.

Ajo që është e habitshme, megjithatë, është se përmbajtja e raportit të Hahn ka shumë pikë negative në lidhje me Shqipërinë, që nuk janë përmendur qëllimisht në njoftimin publik të Komisionit.

Ky raport i referohet mangësive, humbjen dhe problemet në një numër të madh fushash, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, ndërsa shpallja publike e Komisionit thekson pikat e zgjedhura që i japin një pamje të ndryshme progresit të përgjithshëm të Shqipërisë.

Megjithatë, promovimi i një imazhi të përmirësuar të Shqipërisë nga z. Hahn, në emër të Komisionit Evropian nuk është e rastësishme. Në fund të fundit, ishte ai që vetëm pak muaj më parë pothuaj shkatërroi bisedimet Greqi – Shqipërinë, duke thënë se të dy palët janë duke diskutuar një çështje që nuk ekziston, në një përgjigje ndaj një pyetje nga ana e eurodeputetja e Partisë Demokracia e Re, Maria Spiraki.

Qëndrimi i njëanshëm i Hahn për Shqipërinë nuk është i rastësishëm. Sipas burimeve të IBNA, qëndrimi i Komisionerit dhe konfigurimi i tekstit të progres-raportit lidhet me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Roamana Vlahutin, e cila në kundërshtim me atë që kërkohet nga legjislacioni evropian, është e njëanshme ndaj palës shqiptare.

Ish gazetarja kroate, u bë një analiste, konsulente politike, ambasadore dhe anëtare e komitetit ekzekutiv të BE-së, dhe në fund ambasadore e BE-së në Shqipëri.

Roli i ish politikanëve nga Kroacia që veprojnë si këshilltarë për kryeministrin Edi Rama, Vlahutin, që është me origjinë kroate dhe përpjekjet nga ana e Kroacisë për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe marrëdhëniet Kosovë – BE, i japin një tjetër dimension Vlahutinin dhe gjithashtu rolit të Kroacisë në Rajon.

Sipas medieve, burri i Vlahutin, Vlado Azinoviç është i përfshirë në dy projekte të mëdha në Shqipëri. Nga njëra anë linja hekurudhore Shqipëri-Mal i Zi dhe nga ana tjetër sistemet e sigurisë të shtetit shqiptar.

Natyrisht, duke i ofruar Shqipërisë premtime të rreme për anëtarësimin në BE, në këmbim të përfitimit financiar përmes projekteve të mëdha, disa njerëz po përpiqen të “shkatërrojnë” marrëdhëniet e mira të ndërtuara mes Greqisë dhe Shqipërisë së fundmi.

Aktualisht, ka një hetim dhe jo vetëm nga mediat për rolin e Romana Vlahutin dhe burrit të saj në Shqipëri. /IBNA/