
“Është një njeri me kontribute politike në jetën e Shqipërisë…Është një figurë politike shumë e rëndësishme e Shqipërisë, kështu që si shumë figura të rëndësishme politike të Shqipërisë, mund te jetë kandidat”.
Ky koment është i ministres Milena Harito në një intervistë televizive dhe ai përshkruan vlerat politike të Ilir Metës. Sigurisht, Harito thotë atë që duhet, jo atë që beson. Mendojmë se është kështu për të ruajtur një minimum konsiderate për këta lloji politik, pasi përndryshe përçmimi do të ishte e vetmja marrëdhnie publike. Të flasësh për Ilir Metën në këtë mënyrë, kur pak ditë më parë, kolegët e tu dhe Edi Rama vetë, janë përbetuar për drejtësi për 21 janarin për të gjashtyin vit radhazi, kjo është diçka më shumë se pafytyrësi. Këtë lloj gramatike politike e asimilojnë vetëm ata që bëhen bashkë për Shqipërinë Europiane.
Nuk është akuzë për ministren Harito që në thelb është zëdhënëse në këtë proces, por për një moral që fëlliq çdo koncept normal mbi etikën dhe moralin në politikë. Ilir Meta ishte subjekti i videos, padroni politik i Haritos, Edi Rama, cilësoi publikisht se ai vidhte me bllok në dorë, e ndaj shqiptarët duhet të ngeriheshin për “zgjidhjen e re politike” që “Saliu do ta pranojë”. Si vallë sot Ilir Meta na qenka njeri me kontribute? Jepni një përgjigje të paktën për këtë se nuk janë të gjithë kaq delenxhinj që ta kuptojnë.