
Presidenti i vendit Bujar Nishani ka ngritur shqetësimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në 18 qershor 2017.
Sipas kreut të shtetit, krimi i organizuar do të tentojë të influencojë në zgjedhje përmes shit/blerjes së votave.
“Viti i ardhshëm është një vit zgjedhor. Standardet e zgjedhjeve të ardhshme janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne. Por më duhet të them edhe shqetësimin tim pasi evidenca serioze tregojnë se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
I bëj thirrje partive politike, lidershipit që me përgjegjësinë që ka të adresojë me shumë kujdes këtë sfidë. Krimi nuk ka ngjyrim, ai është vetëm i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo”, deklaroi Presidenti gjatë pritjes së përvitshme me përfaqësuesit e mediave në vend.
Përveç partive politike në vend, Nishani kërkoi nga edhe mediat që të denoncojnë rastet kur krimi i organizuar do të tentojë të kapë zgjedhjet.
“Është përgjegjësi e madhe e aktorëve politikë në radhë të parë, por edhe aktorëve të tjerë, media ta monitorojë me kujdes çdo rast që bota e krimit do tentojë të influencojë. Le të dalim nga retorika, të shkojmë drejt realitetit”, u shpreh Presidenti Bujar Nishani.
Gjatë pritjes me përfaqësuesit e mediave, kreu i shtetit vlerësoi rolin e tyre dhe rëndësinë që kanë si pushteti i katërt.