
Është e lehtë të marrësh lapsin e të shkruash paralelisht me aktivitetin kryesor në të cilin Lulzim Basha shënoi 26 vjetorin e lëvizjes studentore te 8 Dhjetorit, se ai nuk duhet të shkonte aty. Është e lehtë sot edhe të kritikosh liderin e opozitës se vetëm në Qytetin Studenti nuk duhet të shkonte pasi medemek, PD-ja ishte ajo që u vuri shkelmin idealeve të Dhjetorit 90’. Jo se është e drejtë, por është legjitime që gjithëkush ta shohë në optikën e tij (ose të gjyshërve të tij) atë që prodhoi politika 26 vjeçare e selisë blu pas mbretërimit gati 50 vjeçar të regjimit të kuq.
Fundja demokracia është e bukur edhe për këtë, në demokraci ligji themelor e i pashkruar është “le të biem dakord për të mos qenë dakord”.
Një luks ky i fundit me të cilin shpesh në këto 26 vite është abuzuar, jo në dëm të njëri tjetrit, por për të keqjen e Shqipërisë. Asgjë për tu mërzitur, fundja edhe kjo demokraci është. 26 vite më pas, PD ka bërë shumë për tu kritikuar ndërsa ka bërë shumë gjëra për tu lavdëruar, është gabuar ndërsa paralelisht shumë gjëra janë vendosur në rrugën e drejtë, është abuzuar shpesh herë ndërsa i është dhënë shqiptarëve vendi që meriton, edhe është shkatërruar ndërsa rezulton se më shumë është ndërtuar. PD i ka bërë të gjitha, por për një gjë nuk atë nuk mund ta kritikosh kurrë.
PD është akuzuar shpesh se eksponentë të saj kanë derivuar nga regjimi komunist, por sot e gjithë ditë bazë e filozofisë së saj ka qenë distancimi i paepur ndaj të keqjes komuniste. Dhe për këdo që i ka dy parë mend e bashkë me to edhe dy pare informacion, mund ta kuptojë sesa domethënëse është ky qëndrim sot. Sot e gjithë ditën kur Edi Rama përdor Yllin e Kuq Komunist në vizatimet e tij për të shënuar 28-29 Nëntorin, PD kujton 8 Dhjetorin. Sot e gjithë ditën kur Ministria e Mbrojtjes dekoron xhelatët e komunizmit, PD mbron vendimin e Presidentit të Republikës për shpalljen martirë të shqiptarëve që u vranë nga grupet terroriste të fshehura nën petkun e partizanëve. Sot e gjithë ditën kur Edi Rama e ka mbushur kabinetin e tij me ministra bij të etërve, edhe njëherë PD kërkon aleancë me rininë në Qytetin Studenti për të kthyer Shqipërinë në shinat e zhvillimit.
Diferenca është qartë!…
Fjalët e përdorura mund të duken patetike 26 vjet pas rënies së komunizmit, por besojeni ose jo Shqipëria është në prag të rikthimit tek e keqja që po zë vend pak nga pak.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të bëjë zëdhënien e planit politik të Lulzim Bashës për hapjen e partisë, por ama synon të thotë se në QS sot ishte njeriu i duhur në vendin e duhur e për këtë nuk ka asnjë dyshim. PD mund të rritet sa të mundet e mund të zvogëlohet po aq herë, por në çdo rast rruga e saj çdo 8 Dhjetor, ashtu si 26 vjet më parë detyrimisht kalon nga Qyteti Studenti. Lulzim Basha sot mund të ishte në çdo shesh të Shqipërisë duke protestuar me të drejtën që i jep posti i Liderit të Opozitës, por si Sali Berisha e Azem Hajdari dje, edhe ai sot nuk mund të ishte askund përveçse në Qytetin Studenti.
E kundërta do të ishte sakrilegj politik!…