KASTRIOT ISLAMI
Rama, i ndërgjegjshëm për dështimet e tij lidhur me axhendën e integrimit europian, iu drejtua një loje tipike, të vjetër ballkanike, me mashtrime, hile e tinëzare. Por, njëkohë- sisht, një lojë të trashë e mediokre, lehtësisht të kuptueshme, e të turpshme deri në neveri. Shqiptarët që e njohin mirë, e kuptuan të parët, por s’ishte aspak e vështirë të kuptohej edhe nga partnerët, sepse ishte realisht shumë e trashë, deri e pabesueshme për të gjithë.
Vendet dhe drejtuesit e tyre, me mentalitet europian, s’arrinin ta besonin që Kryeministri i një vendi kandidat për në BE, sado i varfër, ndonëse me qeveritarë të korruptuar e të lidhur me krimin e drogën, do të programonte një provokim të tillë të shëmtuar. Megjithatë, qetësisht e shmangën dhe reaguan me largpamësi.
1. RAMA DRITËSHKURTËR SULMON OPOZITËN SI TRADHTARE PËR ÇËSHTJEN E INTEGRIMIT…
Rama dhe ministri i tij i Jashtëm, i paaftë e bufon, por hileqar e tinëzar, kishin dijeni të plotë nga homologët e tyre europianë se Shqipërisë do t’i ofrohej një raport i Komisionit Europian, me një gjuhë premtuese për të nxitur optimizëm te shqiptarët që vazhdojnë të mbështesin fuqimisht anëtarësimin në BE, por me përmbajtje realiste, ku të gjithë dukuritë negative dhe mosarritjet e qeverisjes Rama do të mund të lexoheshin në trajtë eksplicite, implicite, apo edhe mes rreshtave. Ndërsa trajta më eksplicite ishte lënë të thuhej në ditët në vijim dhe përfundimisht në mbledhjen e Këshillit Europian të kryetarëve të shtetit, në mesin e dhjetorit 2016.
Kështu ndodhi e do të ndodhë edhe në ditët në vijim. Mediokriteti e marrëzia zunë vend në sjelljet e Ramës e të ministrit të Jashtëm, ndërkohë që sapo doli raporti i progresit të Komisionit Europian, duke humbur deri arsyen e sulmuar “tradhtare” opozitën që ngriti modestisht shqetësimet madhore me idenë e bashkëpunimit për të zvogëluar të gjithë pengesat e ngritura nga qeverisja e korruptuar, kriminale dhe kanabiste e Ramës…
Deri këtu marrëzia do të mbetej në terrenin shqiptar, me sjelljet tipike të vjetra, ku përfshiheshin mashtrime, kërcënime, sharje, ofendime, për të bërë të besueshëm te publiku shqiptar gënjeshtrën e radhës se “…Rilindja ka punuar shumë mirë, prandaj negociatat do të hapen pa asnjë kusht…”, kurse opozita “tradhtare” që po vrapon nëpër Europë për të minuar hapjen e negociatave është kundër. Një sjellje e pështirë për drejtuesin e një qeverisjeje të dështuar në sytë e shqiptarëve e të ndërkombëtarëve…
2. RAMA PROVOKON GREQINË, DUKE I NGRITUR MARRËZISHT NJË KURTH TË TRASHË…
Sherret e marrëzitë e Ramës ka kohë që kanë dalë jashtë vendit, jashtë shtëpisë. Natyrisht. kulmin e një sjelljeje mediokre e infantile në politikën e jashtme Rama e arriti duke futur hundët në fushatën elektorale të vendit më demokratik të botës dhe duke vendosur pa fund baste se kandidati fitues si President i SHBA-ve, të cilin e cilësoi “turpi i civilizimit”, do të humbte. Po le të kthehemi te çështja e integrimit. Duke ditur shumë mirë se vendet anëtare të BE-së, nisur nga Gjermania, të cilat kanë të gjithë informacionin për situatën në Shqipëri, do të stigmatizonin të gjitha aspektet negative të qeverisjes së tij dhe do të shpreheshin një ditë, njëlloj siç u shpreh deputeti gjerman apo ai austriak, Rama u përpoq që të fuste në kurth Greqinë, përmes një provokimi naiv.
Provokimin e tij Rama e ngriti duke i mëshuar fuqimisht e marrëzisht kartës nacionaliste… dhe sulmuar ashpërsisht Greqinë, duke menduar se ajo do të reagonte duke u shprehur kundër hapjes së negociatave, me argumentin e keqtrajtimit të minoritetit, ngritjen e çështjes çame dhe Himarën… Më tej kjo kartë nacionaliste do të përdorej në zgjedhjet e ardhshme, duke pohuar se “opozita tradhtare” nga brenda dhe “Greqia që s’mund të bëjë siç ka bërë deri tani” nga jashtë u bashkuan për të penguar anëtarë- simin e Shqipërisë në BE…
3. GREQIA ME QETËSI IU SHMANG PROVOKIMIT…
Këtu qëndron edhe injoranca, marrëzia e poshtërsia e Ramës. Injoranca, sepse ai nuk e di mesa duket se Greqia është një anëtare tashmë e vjetër e BE-së, që zotëron të gjithë informacionin për qëndrimet e vendeve të tjera, edhe ato ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë. Marrëzia sepse kështu po provokonte një shtet me të cilin ka shumë arsye që qeveritë përkatëse, edhe kur shfaqen probleme/shqetësime, duhet të bëjnë maksimumin që të krijojnë klimën për t’i zbutur/ sheshuar/zgjidhur ato. Dhe poshtërsia ishte se kjo sjellje provokative do të ishte e përkohshme dhe fill pas kësaj ai me shumë gjasa do të shkonte në Athinë për t’u servilosur dhe lëpirë.
Sepse Rama s’ka asnjë ndjesi patriotizmi apo nacionalizmi, dhe si i pafe tipik, gjithçka e bën vetëm në funksion të pushtetit personal. Natyrisht këtë provokim të trashë, mesa duket, pala greke e kishte klasifikuar të tillë pas një analize të thellë. Dhe prandaj Greqia mbajti një qëndrim shumë të matur e veproi me qetësi, në vijimë- si të qëndrimeve të saj të mëparshme lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, duke kërkuar bashkëveprim të arsyeshëm me qeverinë shqiptare, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, sipas paketës së propozimeve tashmë të vendosura prej saj në tavolinën e palës shqiptare prej kohësh. Kështu do të dështonte edhe ky provokim i trashë për të futur në kurth Greqinë. Por, shumë shpejt, madje pa ardhur mbledhja e Këshillit Europian, Rama dështak do të ankohej se po ngecte në “çarkun” gjerman, ndonëse përpëlitet në mënyrë mjerane për të dalë prej andej…
3. RAMA KA NGRITUR ALIBINË E MARRËDHËNIEVE SPECIALE ME KANCELAREN GJERMANE…
Çdo sjellje e turpshme mashtrimi e ka fundin të shpejtë. Rama u përpoq të keqpërdorte marrëdhëniet me Gjermaninë dhe më konkretisht ato me Kancelaren gjermane, duke përhapur përmes medias së tij klienteliste e deri të sëmurë dizinformuese e plot mashtrime, lloj-lloj copëzash bisedash konfidenciale e deri rrëfenja për barcaletat që tregonte në darkat me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, rreth tryezës me Kancelaren Merkel.
Disa nga këto marrëzi, “udhëheqësi i madh” do t’i tregonte duke i vendosur në gojën e Vuçiçit, i cili do ta cilësonte “kaporalin tonë” si “lider global”. Kulmi do të arrinte deri aty, sa një gazetë zvicerane do të tregonte “përleshjet kavalareske” mes tij dhe Vuçiç për të fituar “zemrën” e Kancelares. Të gjitha këto bëheshin për të maskuar dështimet dhe krijuar perceptimin se gjithçka shkon për mrekulli me qeverisjen e tij dhe korrupsioni, lidhja e krimit me qeverinë e tij dhe kultivimi i kanabisit janë thjesht e vetëm paranoja të opozitës. Por edhe në këtë rast dominoi mediokriteti e injoranca në kalkulimet e tij politike, natyrisht edhe verbëria për shkak të delirit për pushtet.
4. RAMA NGEC NË “ÇARKUN” GJERMAN…
Rama s’arriti ta kuptonte asnjëherë se Gjermania është shteti më serioz dhe i përgjegjshëm i Europës dhe s’mundet kurrë të vihet në dispozicion të interesave meskine për pushtet personal të Ramës. Se Gjermania, ndonëse ka një qëndrim të qartë për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE, s’do të mund të mbyllte sytë asnjëherë ndaj një qeverisjeje korruptive, kriminale dhe kanabiste të Ramës apo kujtdo tjetër. Për njerëzit seriozë dhe me eksperiencë në Shqipëri, qëndrimin gjerman ishte i pritshëm, i qartë, realist, domethënës, ndërkohë që Rama do të surprizohej, ose të paktën do të përpiqej të jepte këtë përshtypje.
Dhe kjo për shkak të verbërisë nga pasurimi i paligjshëm dhe mediokriteti ekstrem. Ai deri në fund ka besuar dhe beson se me manierat e tij apo stilin korruptiv do të mund të fuste në thes Gjermaninë apo të blinte heshtjen e saj. Ai do ta paraqiste sjelljen e Gjermanisë si një skemë spekulimi të Bashës (gjë që do të shprehej edhe në Tuiter) me shpresën se do t’i shpëtonte “rënies në çarkun” gjerman pas bisedës së ardhshme me Kancelaren Merkel, duke besuar gënjeshtrat e veta me argumentin se “zonjën e hekurt” ose e kanë keqinformuar, ose ka arsye për kushtet e hapjes së negociatave që s’lidhen me “qeverisjen e tij të mrekullueshme”. Të presim marrëzinë e tij të radhës pas takimit me Merkel…
4. NË VEND TË PËRFUNDIMIT: BE MBAN HAPUR DERËN PËR SHQIPTARËT, DUKE STIGMATIZUAR SI PENGESË QEVERISJEN E KORRUPTUAR, KRIMINALE DHE KANABISTE…
Mesazhi nga Brukseli përmes raportit të Komisionit Europian dhe mesazhet e para nga Gjermania, Austria, e vende të tjera kanë qenë dhe janë realiste e të qarta. Mesazhi themelor është se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së. Koha është në duart e vet shqiptarëve. Dhe më konkretisht kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur qeveria e Shqipërisë të ketë hedhur hapa të besueshëm e të pakthyeshëm në luftën kundër korrupsionit, në betejën për ndarjen e krimit nga politika, kur të jepen shenja të qarta se qeveria është shkëputur plotësisht nga kultivimi i kanabisit, kur Reforma e Drejtësisë të japë rezultatet e para e Drejtësia të mos kapet nga qeveria, dhe vetëm nëse zgjedhjet e ardhshme do të bëhen të lira e të ndershme, mbi bazën e një Kodi Zgjedhor të reformuar konsensualisht.
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Klikoni për ta shtypur (Hapet në një dritare të re) Shtype
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Pocket-i (Hapet në një dritare të re) Pocket
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Reddit-it (Hapet në një dritare të re) Reddit
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Tumblr-it (Hapet në një dritare të re) Tumblr
- Klikoni që ta ndani me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
- Klikoni për ta ndarë me të tjerët në WhatsApp (Hapet në një dritare të re) WhatsApp
- Klikoni që t’i dërgoni një lidhje një shoku me email (Hapet në një dritare të re) Email
- Më