
Raporti i fundit i Këshillit të Europës për drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri, është vërtet tronditës. Jo se thotë “e zeza mbi të bardhë”, ato që shqiptarët tashmë i dinë dhe që “media e kazanit” dhe opozita i ka denoncuar me forcë dhe fakte çdo ditë, por sepse më në fund kemi një qëndrim zyrtar të kundërt nga propaganda e qeverisë Rama. Vendosja e agravimit të situatës së kanabisit në Shqipëri, veçanërisht gjatë këtij viti paraelektoral si një kusht plus për hapjen e negociatave me BE-në, tregon se shqetësimi i lidhjeve të qeverisë aktuale me narkotrafikun, ka trokitur fort edhe në Bruksel.
Gjendja është e tillë, sa që në raport fitimet që vijnë nga kjo veprimtari kriminale janë më të larta edhe se buxheti që qeveria Rama ka planifikuar për arsimin gjatë vitit që vjen. Nga ana tjetër është ulur “çuditërisht” buxheti për organet që duhet të luftojnë këtë mafia të fuqishme. Ajo që duket se shqetëson më së shumti KE-në është fakti, se hetimet për narkotrafikun nuk shkojnë asnjëherë në nivelet e larta, te bosët e drogës duke lënë për të nënkuptuar hapur, se ata kanë mbrojtjen e policisë dhe qeverisë.
Syri.net po ju sjell 10 nga konstatimet më alarmuese, që përmban ky raport i fundit I KE-së prej 117 faqesh:
Të ardhurat ilegale nga bimët narkotike, Kanabis Sativa në Shqipëri zënë 2,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. krahasuar me 0.07-0.19% për vendet si Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Industria e drogës në Shqipëri xhiron të njëjtën vlerë sa gjithë sektori i arsimit publik dhe privat, ose ai I hotelerisë dhe restoranteve .
Në total për 2017, edhe pse ndër sektorët me peshën kryesore të buxhetit të shtetit me 7.47% ose rreth 20 miliardë lekë, ministria e Brendshme rendit dikasteri i katërt sa i përket ndarjes së fondeve për vitin e ardhshëm.
Hetimet dhe procedimet nuk arrijnë deri në nivelet më të larta të zinxhirit të drogës dhe nuk shoqërohen sistematikisht me hetime paralele financiare.
Sipas organeve të specializuara të OKBsë, përfitimet nga tregtia e paligjshme e opatit vazhdojnë të mbeten nxitës të rëndësishëm financiar për grupet e organizuara kriminale në Shqipëri. Të ardhurat ilegale të narkotikeve përbëjnë një përqindje të rëndësishme të GDP së Shqipërisë.
Prirjet e fundit kanë treguar se kultivimi i kanabisit kryhet edhe në serra. Nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar asgjësimin e plantacioneve me kanabis.
Në fushën e trafikimit të drogës, në vitin 2015 janë sekuestruar 36.9 kg drogë të llojit heroinë, mbi 11 ton marijuanë dhe 27.1 kg kokainë, kundrejt 73.5 kg heroinë, 97 ton marijuanë dhe 10.3 kg kokainë të sekuestruara në vitin 2014, pra ka një rënie të theksuar të sekuestrimit.
Hetimet dhe procedimet nuk arrijnë deri në nivelet më të larta të zinxhirit të drogës dhe nuk shoqërohen sistematikisht me hetime paralele financiare.
Policia dhe prokuroria nuk kanë mundur që të identifikojnë grupet kriminale që fshihen pas kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe rrallë herë sigurohet ndjekja efikase gjyqësore në ndjekjen penale.
Ky raport mbulon periudhën nga tetor 2015 deri në shtator 2016. Ai bazohet në të dhëna të marra nga në një larmi burimesh, përfshirë kontributet e Qeverisë shqiptare, Shtetet Anëtare të BE-së, raportet e Parlamentit Evropian dhe informacione nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe joqeveritare.