
Kush e solli Gunther Krichbaum? Askush nuk e mori përsipër ftesën për deputetin gjerman Gunther Krichbaum. Ai erdhi befas në këtë pragfestash i paftuar, me një lajm të keq dhe vetëm pak ditë përpara vendimit për hapjen e negociatave. Po nëse vendimi do të ishte njësoj negativ, çfarë e shtyu deputetin gjerman të bëjë lajmëtarin e së keqes? Kush e ftoi në Tiranë për të na treguar sa largët do të jetë hyrja e Shqipërisë në Europë? Deri tani nuk ka asnjë shpjegim zyrtar. Vetëm Edi Rama, i akuzuari kryesor, dha një version.
Atë se ka ftuar Lulzim Basha, pasi e ka bindur skutave të Europës që të shante qeverinë. Dhe duke sharë qeverinë izolon Shqipërinë. Por përsëri ka shumë pikëpyetje. Pse do ta sillte Lulzim Basha gjermanin në Shqipëri, kur i mjaftonte vota e tij në bundestag që ta vinte Ramën përpara përgjegjësisë për dështimin? Ky thriller politik nuk është i rrallë në trojet tona. Ne kemi parë në 25 vitet e fundit, diplomatë e sharlatanë, deputetë e mashtrues, kryeministra e diktatorë që vijnë për llogari të një partie apo koalicioni, bëjnë fushatë, marrin shpërblimin e kripur që del nga xhepat e shqiptarëve dhe ikin. Një mani, një modë e politikanëve shqiptarë që t’u mbushin mendjen e t’u kërkojnë votat zgjedhësve nëpërmjet të huajve. Një mani që e ka një shpjegim. Shpjegimi nis me 7 pikat e parashtruara nga deputeti gjerman. Nuk ka asgjë të re ndër to.
Një pjesë janë pasqyruar, edhe pse jo qartësisht në progres-raportin e këtij viti. Por, mjafton të shohësh çështjet për të kërkuar fajtorët dhe do të zbardhet enigma, se kush e solli Gunthr Krichbaum në Shqipëri. Pika e parë, reforma e papërfunduar në drejtësi. 7 ligjet që plotësonin ndryshimet kushtetuese tashmë janë miratuar. Zbatimin e reformës e pengon vetëm Vettingu, ligji që është në Gjykatën Kushtetuese pas padisë së Partisë Demokratike. Hapat mbrapa në luftën kundër drogës, akuzojnë qeverinë që me ose pa qëllim e lejoi kulturën e kanabisit të shndërrohej në kulturën zyrtare të bujqëisë, zgjedhjet e lira, janë problemi i çdo qeverie që nuk e pranon ditën e gjykimit, por edhe i gjithë klasës politike, që nuk heq dorë nga monopoli i kontrollit mbi procesin zgjedhor. Përgjegjësinë për moszbatimin e dekriminalizimit, Edi Rama e ka marrë përsipër me qejf. Asgjë e re.
Këto janë akuzat që Rama dhe Berisha shkëmbejnë çdo të enjte, dhe çdo të enjte shqiptarët, ose mbeten të paqartë ose të paperfaqësuar, ose nuk e kuptojnë i kujt është faji, ose e kuptojnë që faji është i të gjithëve dhe parlamenti nuk i përfaqëson më. Mbyllin veshët dhe refuzojnë të dëgjojnë retorikën e përditshme politike. Kjo i detyron palët të ndryshojnë aktorët e spektaklit. Sjellin aktorë të huaj, që të tërheqin vëmendjen, që t’i bëjnë të besueshme akuzat dhe të kenë efekt në votën e zgjedhësve. Ata e dinë që nuk mund të dalin në zgjedhje me fytyrën dhe me fjalët e tyre, e dinë që koha e tyre po merr fund me shpejtësi, e dinë që shqiptarët tashmë i kane kapur duke u vjedhur paratë nga xhepat dhe, me ato para që janë kapur, lobojnë nëpër botë, blejnë aktorë të huaj për çdo seri të re. Krichbaumin e sollën të gjitha bashkë, e solli klasa politikë që qeveris keq, korruptohet, fut dorën në xhepat e shqiptarëve dhe del me thasë me para të blejë lobues të rinj.
Edi Rama, përpara se të akuzojë Lulzim Bashën, duhet të shpjegojë pse raporti i Guardia di Finanza për kanabisin nuk përputhet në asnjë rresht me raportet e Brukselit dhe Ëashingtonit, pse kryetarja e delegacionit të BE ne Tiranë flet me një gjuhë tjetër nga ajo e Brukselit, duhet të shpjegojë pse nuk e luftoi mbjelljen e kanabisit,pse e bëri kulture dhe politikë zyrtare mbjelljen dhe trafikimin, pse kriminelët vazhdon t’ i mbajë afër si skifterët e ditës së zgjedhjeve, pse e ka renditur shqipërinë në hartën e vendeve problematike për krimin e organizuar. Në vend të këtyre shpjegimeve,me siguri do të programojë një tjetër shfaqje bajate me një tjetër personazh. Shhfaqje bajate që paguhen shtrenjtë me paratë e qytetarëve më të varfër në Europë dhe nuk kanë më as efektin që kërkojnë, përkundrazi shtojnë dëshpërimin e atyre që ende besojnë se mund të dalë ndonjë zgjidhje nga kutitë e votimit. Megjithatë Krichbaum, pavarësisht kush e ka sjellë, tingëllon kaq i vërtetë dhe i paanshëm për shqiptarët.