Kategori
Uncategorized

Për grekët dhe “dobiçin” plazmatik të Edi Ramës.

Leonard Mitro

Intervista e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhënë për televizionin “Skai” u ndoq me interes në Greqi për vetë kureshtjen që zgjoi në optikën e tyre kurajoja e një pushtetari shqiptar për të provokuar dhe kërcënuar një shtet europian si Greqia. Fillimisht gravura për Akropolin dhe më pas gjithë deklarimet e Edi Ramës për t’i vendosur Greqisë “kufirin te thana” u amplifikuan nga mediat që nuk fshehën zhgënjimin për artistin shumëngjyrës që befas ndërroi lëkurë dhe u bë një egërsirë e vogël në oborrin e lagjes, gati për të kafshuar edhe të zotin, siç ka qenë Greqia në sytë e disave për Shqipërinë e tranzicionit dhe emigracionit.

Për çudinë e gazetarëve, analistëve apo dhe grekëve të kafeneve që merren me politikë perceptimesh, Edi Rama në intervistën për “Skai” u shfaq si një lider i një metri europian, me një anglishte të admirueshme dhe që mbi të gjitha nuk ka të fshehur në kokën e tij gjysëmartistike dhe gjysmëpolitike plane irredentiste për ndryshim kufijsh. Pati konstatime në media se ky njeri duhet marrë seriozisht dhe se udhëheqja politike greke nuk duhet ta injorojë kryeministrin e Shqipërisë siç ka bërë deri më tani. Deri diku mund të themi se Rama fitoi përshtypjet e audiencës me profilin që shfaqi në plasmat e grekëve, një pjesë e tyre të fyer nga politikani që tentoi t’u përvetësojë historinë.

Gjithsesi mediat deri dje dorëlëshuara për të etiketuar nacionalistin Edi Rama u mjaftuan me një raportim apo zbardhje të plotë të intervistës së kryeministrit shqiptar. Duhet thënë se ky i fundit ka qenë jo pak në ankth për të parë reagimet. Dhe pas gërmimeve në “kazanin” e mediave fqinje duket se gjeti “dobiçin” që synoi të mbarste përmes artit të imazhit dhe politikës popullore. Përkthyesit e kryeministrit u vunë ethshëm në punë për të dedektuar çdo rresht nga mendimet libertine të grekëve largpamës që patën ç’të mësojnë nga 1 orë leksion i kryeministrit shqiptar.

U zbulua Kristos Raptis, një gazetar që kishte pësuar një shok kulturor nga europeisti Edi Rama, deri në pikën sa ballafaqimi me veten dhe manipulimi nga politika greke për të ishte tronditës. Ky shkrim i botuar në një gazetën lokale greke “I efimerida” iu dërgua i zbardhur nga kryeministra redaksive proqeveritare në Shqipëri që nxituan ta vendosin në ballinën e titujve. Por më mirë vonë se kurrë Kristo, megjithëse Edi Rama nuk është ky që duket, pasi siç thonë dhe vetë grekët, dardha e ka bishtin mbrapa..
Përtej televizorit, stilit sportiv, atleteve dhe anglishtes, apo ngjyruesit të pallateve e librave, kush është Edi Rama që grekët nuk e njohin, përveç Jorgo Papandreut, mikut të tij dikur në opozitë. Në 3 vite të mandatit të tij të parë si kryeministër Edi Rama nuk ka vizituar vendin ku jetojnë e punojnë afro 800 mijë shqiptarë. Arsyet nuk i ka shpjeguar asnjëherë, edhe nëse ka qenë i refuzuar nga pala greke. Kur ishte në opozitë e linte vrapin sa nga Athina në Selanik për t’u folur emigrantëve për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër, e çuditërisht për këtë nuk u pyet në intervistën e dhënë për “Skai”.

Në Shqipëri janë eshtrat e mijëra ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke dhe kryeministri Edi Rama në 3 vjet nuk ka treguar asnjë vullnet për përmbushur një detyrë humane të rivarrosjes së të rënëve të luftës, por mori buldozerin dhe gërrmoi kishën e Dhërmiut për të na thënë se aty ishin eshtrat e priftit Catalano që mbolli në ato anë abc-në e shqiptarizmës, kundrejt pretendimeve të helenistëve të Bregut. Rivarrosja e të rënëve të luftës është një kërkesë e hershme e palës greke dhe çështja çame si kundërpeshë e zgjidhjes së këtij problemi nuk qëndron për vetë specifikat që ka ajo në lidhje me të drejtat historike, politike, njerëzore, apo pronësore të shqiptarëve që u shpërngulën nga rajoni i Thesprotisë, çështje të cilat kërkojnë vullnet, seriozitet, sinqeritet, kohë, nerva dhe impenjim dypalësh. Kjo nuk nderon as shqiptarët e as atë si kryeministër meqënëse tregon se në 1940 grekët u mbajtën në frontin e luftës me bukën e bujarisë së vendallinjve. Të jetë kaq i pandjeshëm një human që u prek nga fjalët e një plake 80 vjeçare, e cila më kokën në sup i rrëfeu se grekët nuk po i lejonin të shihte shtëpinë e të parëve. Çuditërisht edhe për këtë kryeministri shqiptar nuk u pyet si duhej në intervistën për “Skai”.

Edi Rama është një kryeministër që vendos marrëdhënie preferenciale me religjonet dhe komunitetet fetare në Shqipëri. Në 3 vjet ka shfaqur afilacionin e tij prej të krishteri katolik, aq sa vrapoi me bashkëshorten e tij në aeroport për të marrë bekimin e Papës për djalin e tyre. Bekuar qoftë Zaho, por jo pse ka babain kryeministër! Edi në fakt nuk përfaqësonte aty oxhakun “Rama”, por kryeministrin e Shqipërisë dhe kësisoj duhej të zgjidhte një fëmijë të sapolindur në ditët e ardhjes së Papa Françesku, qoftë edhe nga komuniteti rom.

Bekuar qoftë edhe Rama si katolik për shpëtimin e tij në jetën e amëshuar, por jo si fatsjellës për të ardhmen tonë!

Marrëdhëniet e tij me Kishën Ortodokse Autoqefale kanë patur kërcitje të forta që kanë infektuar edhe strukturat shtetërore. Kryepeshkopit Janullatos prej 25 vitesh nuk i jepet shtetësia shqiptare, ndonëse atë e kanë fituar komedianë e këngëtarë, apo edhe pehlivanë të Italisë fqinje, flamurin e të cilës kryeministri ka filluar ta veshë në inagurime publike. Kryeministri shqiptar ka vendosur distancë me kreun e Kishës Ortodokse dhe për këtë duhet të japë një shpjegim. Nëse kjo ka të bëjë me faktin se Janullatos është me kombësi greke kryeministri duhet ta thotë, megjithëse nuk e kemi parë të ketë probleme me kombësi të tjera kur bëhet fjalë për drejtimin e Institucioneve të tjera fetare nga klerikë me pasaportë jo shqiptare. Çuditërisht edhe për këtë nuk u pyet kryeministri Rama. Me të drejtë ai thotë se minoriteti grek është pjesë e shoqërisë shqiptare, por nuk e kemi parë të vizitojë popullsitë e këtyre zonave përveçse në fushata elektorale. Dhe për më tepër tregon me gisht se ku është kufiri i grekëve, duke thënë se janë të privilegjuar në Shqipërinë e qeverisur prej tij dhe parardhësve të tij.

Nuk e di a pret falenderime për këto bamirësi dhe a duhen parë si borxhe këto të mira që Edi dhe të tjerët u kanë falur minoriteteve.

Për të mos folur më tej për politikianin Edi Rama dhe standardet demokratike të qeverisë së tij si në partinë që drejton ashtu dhe trupën e dyshimtë parlamentare që ka rrjeshtuar pas vetës apo shtetin klientelist e të korruptuar ëe ka ndërtuar. Ndoshta pas stilit kozmopolit të Edi Ramës nuk fshihet ndonjë plan i madh për pushtimin e Greqisë, por e sigurtë është se pas plazmës së televizorit qëndron një mendje antidemokratike që nuk është e vështirë të yshtet për interesa të imazhit dhe pushtetit të tij dhe të bëjë zullume në dëm të fqinjëve dhe bashkëjetesës së njerëzve.
Ndaj “dobiçi” që Edi Rama lëshoi pas intervistës në “Skai” nuk është as embrioni i një ere të re në Ballkan dhe as pranvera që po vjen në marrëdhëniet shqiptaro – greke. Grekët duhet të mos e njohin Shqipërinë nga televizori sepse në këtë pikë dobiçi është i zoti të shitet ai që në të vërtetë nuk është.

Lini një koment