
Pas brohoritjeve për nacionalizmin e Ramës.
Nga Enton Abilekaj Edi Rama duket me triumfator se kurrë pas seancës së djeshme. Dhjetëra apo qindra mijë shqiptarë vlerësuan fjalimin e kryeministrit që “i tregoi vendin” Greqisë. Këta po kërkonte Rama dhe i gjeti. Por, nëse ka vendosur të fillojë një luftë me Greqinë, është herët për të bërë bilancin.
Ashtu siç vërejti Artan Hoxha në Opinion, nuk është një luftë për Himarën. Lufta filloi kur komisioneri Hahn foli për Çamërinë, duke e futur për herë të parë çështjen në Bruksel. Ashtu si Himara u shndërrua për herë të parë në një çështje ndërkombëtare, kur në vitin 2000 u trajtua si një çështje e Kombit fitorja apo humbja e Bashkisë.
Por sot është ndryshe. Është vetë BE që po regjistron si çështje të pazgjidhur, atë të qytetarëve shqiptarë me origjinë çame dhe është Edi Rama që po e humbet këtë mundësi.
Sepse diplomacia greke, pasi nuk gjeti mundësi në Bruksel për ta hequr nga axhenda, vendosi ta zhvendosë fushën e betejës në Shqipëri. Dhe është e thjeshtë kur ke kryeministër Edi Ramën.
Me arbitraritetin që e karakterizon, ka krijuar një konflikt në Himarë, ku janë prekur edhe shtetas grekë. Në të gjitha ndërhyrjet që ka bërë, ka krijuar konflikte, por shqiptarët janë gjetur të pambrojtur përballë kryeministrit të tyre.
Ndërsa shtetasit grekë kërkuan mbrojtje jashtë. Një rast i artë për Athinën që nxitoi ta zhvendosë vëmendjen dhe e solli në Himarë betejën që duhet të bëhej në Çamëri.
Kur euforia e fjalimit të bjerë, kur entuziazmi antigrek të shuhet, do të bëhet bilanci. Dhe atë ditë do kuptohet që Rama humbi një rast të artë për të rrahur hekurin sa është i nxehtë, që deklaratat e Hahn të shndërroheshin në direktive të BE për marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë, që të intensifikoheshin marrëdhëniet në funksion të këtij qëllimi, që të rihapeshin diskutimet edhe për problemet e tjera me Greqinë, nën vëmendjen e Brukselit.
Por nuk do të ketë asnjë zhvillim. Se në vend të problemit të çamëve, Rama zgjodhi te zgjidhë problemet e veta me Athinën, ne vend të emigrantëve shqiptarë të lënë jetim, përmendi pushtuesin shqiptar me uniformë osmane, ne vend te deficitit tregtar përmendi ndihmat humanitare që kemi shkëmbyer me grekët.
Populli u kënaq, por problemet mbetën aty. Rama fitoi vota, por Shqipëria humbi një mundësi. Dhe nuk është hera e parë. Jo vetëm me Greqinë, që po hyjmë një konflikt diplomatik se Cipras nuk takon Ramën. Slogani i Davutoglu që adaptoi qeveria “zero probleme me fqinjët”, ka lënë pa diskutuar dhe pa zgjidhur gjithë problemet me fqinjët.
Maqedonia vazhdon të rezistojë perballë kërkesave të shqiptarëve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Deputetja shqiptare që foli shqip në Parlament u përshëndet nga të gjithë shqiptarët, por jo nga qeveria, masakra e Kumanovës nuk u shënua kurrë ne axhendën e diplomacisë shqiptare. Me Kosovën, marrëdheniet ekonomike dhe tregtare vazhdojnë të jenë në pikën më të ulët, megjithë abetaren e unifikuar si iniciativa e vetme e marrë seriozisht.
Ndërsa mediat në Malin e Zi aludojnë se grushti i shtetit që u organizua nga Rusia, do të mbështetej nga kufiri me Shqipërinë, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Shqipëria. Nuk ka zero probleme, ka zero diskutime për problemet.
Ishte nëntor dhe ai i 2012, kur Berisha shpërtheu në deklarata nacionaliste dhe ministri i jashtëm grek anuloi vizitën e kortezisë për 100 vjetorin e Pavarësisë. Berisha kishte 7 vjet konsum pushteti dhe në vend të bilanceve kërkoi ndihmën e nacionalistëve.
Rama e kërkon ndihmën e tyre pas 3 vjetësh qeverisje. Zemrat nacionaliste janë aty, të pandryshuara. Këto zemra e çuan Berishën në delirin e mandatit të parë, kur e shndërroi konfliktin me Greqinë në konflikt ndërkombëtar.
Për lirimin e 5 minoritarëve ndërhyri Washingtoni dhe për shkak të kokëfortësisë Shqipëria mori një notë negative që e pengoi në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Nuk ka ndryshuar asgjë në arenën ndërkombëtare. Greqia dhe Shqipëria janë po aq të papërfillshme. Por ka një ndryshim thelbësor të fuqitë e mëdha. BE futi në axhendë çështjen e çamëve, nacionalizmi i Ramës po e çon në dështim këtë mundësi.