
ELINOR BAJRAKTARI
Teksa flisja me një mik për situatën në Europë, ai më bëri një pyetje që m’u ngulit në mendje. “Shiko,” më thotë ai, “në fillimet e demokracisë dolëm në shesh duke thirrur – ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’. Si pa e kuptuar, rrodhën sa a sa ujëra këto 25 vjet, dhe ja ku jemi duke kërkuar të njëjtën gjë. Si mendon,” më pyeti, “pas sa vitesh do të bëhemi Europë?” “Nuk e di”, iu përgjigja, “nuk jam orakull. Varet nga drejtimi dhe shpejtësia me të cilën lëvizim ne dhe ata.
Pastaj, varet edhe se çfarë nënkupton ti me Europë?” “Po, ja,” ma ktheu, “kur mund të arrijmë nivelin e jetesës së Kroacisë, Italisë apo Suedisë?” I nxitur nga pyetja e mikut, u ula për të bërë disa llogaritje të thjeshta. Nëse në fillim të viteve ‘90 nuk e kishim idenë se sa kohë do të na duhej për t’u bërë si Europa, sepse nuk dinim asgjë për botën e tranzicionit që na priste, tani kemi mundësi të krijojmë një ide duke hedhur vështrimin pas dhe duke llogaritur sa rrugë kemi bërë drejt destinacionit dhe sa na mbetet akoma. Llogaritja është shumë e thjeshtë.
Marrim nivelin aktual të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë (që mat atë që ne prodhojmë si shtet për banor në një vit dhe që tregon se sa të ardhura gjeneron ekonomia jonë mesatarisht për çdo njeri) dhe e krahasojmë me atë, për shembull, të Gjermanisë. Më pas llogarisim se sa vite do të na duhen për të kapur nivelin e sotëm të Gjermanisë, bazuar në ritmet e rritjes që kemi pasur gjatë këtyre viteve tranzicioni. Konkretisht, për Gjermaninë, mund të bëjmë këtë përllogaritje. Sipas shifrave të Bankës Botërore, në 2015-niveli i PBB-së për frymë te ne ishte 4,541 USD, kurse në Gjermani 45,270 USD (në vlerë nominale me bazë 2010).
Nga ana tjetër, rritja vjetore mesatare e PBB për frymë te ne në 25 vitet e fundit ka qenë 4%. Si rrjedhojë, nëse ecim me këtë ritëm të 25 viteve tranzicion, do të na duhen gjithsej 59 vjet për të arritur aty ku Gjermania është sot. Nëse ecim me ritmin e rritjes së pesë viteve të fundit (që ka qenë mesatarisht 2%), do të na duhen 116 vjet.
Është e rëndësishme të mbajmë parasysh këtu që po supozojmë se, ndërkohë që ne ecim, Gjermania qëndron në vendnumëro. Nëse konsiderojmë faktin që edhe Gjermania ndërkohë ecën, pika e takimit bëhet edhe më e largët. Më poshtë mund të shikoni numrin e viteve që do të na duhen për të mbërritur në nivelin e sotëm të disa vende europiane. Destinacionin zgjidheni vetë – orarin e mbërritjes e gjeni më poshtë.
Danimarka – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 65 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 128 vjet.
Suedia – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 64 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 126 vjet.
Austria – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 60 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 119 vjet.
Franca – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 56 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 112 vjet.
Sllovenia – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 42 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 84 vjet.
Greqia – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 41 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 81 vjet.
Republika Çeke – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 40 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 77 vjet.
Kroacia – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 28 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 56 vjet.
Rumania – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 19 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 38 vjet.
Bullgaria – Nëse ecim me ritmin e 25 viteve të fundit, do të na duhen 13 vjet. Me ritmin e 5 viteve të fundit, 25 vjet.
Panorama.com
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Shtype (Hapet në një dritare të re) Shtype
- Share on Pocket (Hapet në një dritare të re) Pocket
- Ndajeni me të tjerë në Reddit-it (Hapet në një dritare të re) Reddit
- Ndajeni me të tjerët në Tumblr (Hapet në një dritare të re) Tumblr
- Ndajeni me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
- Ndajeni me të tjerët përmes WhatsApp-i (Hapet në një dritare të re) WhatsApp
- Email a link to a friend (Hapet në një dritare të re) Email
- Më