PËR CFARË I DUHET PARISË SË TIRANËS DIASPORA KOMBËTARE SHQIPTARE?
nga SHINASI A. RAMA/
Gjatë këtyre 26 viteve të fundit të sprovës më të vështirë të kombit tonë, në shtetin shqiptar e nga shteti shqiptar kanë lindur shumë diaspora, d.m.th., masa kritike shumëfamiljare që e ruajnë identitetin e vet etnik apo kombëtar dhe e kultivojnë atë qëllimisht dhe përmes strukturave mbifamiljare e përtejfamiljare në mërgim dhe në disa breza. Këto ditë mora një ftesë, thjesht një lidhje me nje formular që të merrja pjesë në Summit të diasporës shqiptare. Unë nuk jam diasporë por jam i mërguar politik. Njëherë më kanë përzënë nag shteti shqiptar, dhe tash jam në SHBA sepse nuk pranoj me kenë pjesë e së keqes që po i ndodh kombit shqiptar. Në mos mundshma me ba mirë, të paktën keq nuk dua të bëj e pjesë e të keqes nuk bahem. Si unë ka me mijra por parisë së Tiranës nuk i intereson kjo sepse për ata unë jam thjesht në diasporë. Dhe kjo ftesë kërkon shumë vëmendje sepse është një projekt afatgjatë i parisë së Tiranës që kërkon të thellohemi e ta kuptojmë si duhet.
Në shtetin shqiptar ka disa diaspora që punojnë e funksionojnë shumë aktivisht në të gjithë fushat e jetës, disa reale dhe disa imagjinare. Ka pasur një diasporë reale greke që ka ikur nga shteti shqiptar dhe është kthyer në Greqi, tashti e rikthyer edhe në shtetin shqiptar. Po ashtu ka pasur edhe një diasporë imagjinare që shitej për greke por thjesht e vetëm për të përfituar nga kartat e ‘homogjenëve’ sepse në fakt ishin shqiptarë etnikë. Po ashtu, ka pasur një diasporë malazeze që ka ikur nga shteti shqiptar dhe është kthyer në ish-Jugosllavi dhe disa dhjetramijëra shqiptarë që nën drejtimin e një malazezi u deklaruan malazezë e pjestarë të diasporës malazeze. Ka edhe një diasporë vllahe që është rikrijuar dhe është forcuar dukshëm në shtetin shqiptar. Ka edhe një diaspora maqedonase e cila funksionon në një zonë të mirëpërcaktuar dhe që mbron me këmbëngulje dhe me aftësi interesat e shtetit të tyre amë. Ka edhe grupime të tjera që do të ishin diaspora po të kishin një atdhe e shtet të tyre por që nuk janë dot diaspora si goranët, gabelët, e magjypët.
E megjithatë, e vetmja diasporë e vërtetë e krijuar nga shteti shqiptar në këtë periudhë të tmerrshme travajesh historike është diaspora kombëtare shqiptare. Janë mbi tre milionë shqiptarë që kanë ikur e që kanë lindur në mërgim, ajka e rinisë dhe e kombit shqiptar, pjesa më e fortë, më e edukuar, më e zonja dhe ata që nuk e kanë duruar të keqen. Ka 25 vite që shteti shqiptar nuk ka bërë gjë për diasporën. Ka dy vite që cuditërisht edhe shteti shqiptar u kujtua se ka një diasporë shqiptare. Pyetja e natyrshme është se pse u kujtuan tani e në këtë pikë këta të parisë së Tiranës për diasporën shqiptare?! Cka të shkon ndërmend është se ujku pot ë fton për dasëm.
Diaspora kombëtare shqiptare është numerikisht e barabartë me popullsinë shqiptare që jeton në të gjithë trojet shqiptare, në mos më shumë. Dhe ky shtim ka ndodhur pikërisht sepse këta kanë bërë cdo gjë që kanë mundur që të përzënë të gjithë shqiptarët. Nga përmasat, mjafton të themi se diaspora e re shtohet me 70000-100000 vetë në vit. Pra, këta të parisë nuk e kanë hallin se po iu ikin shqiptarët sepse po bëjnë cdo gjë që t’i përzënë. Së dyti, jo vetëm që shteti nuk ofron asnjë shërbim për diasporën e vjetër dhe të re, por zyrtarët e shtetit, si në përfaqësitë diplomatike ashtu edhe në strukturat e tjera janë thjesht për të zhvatur e rrjepur diasporën me të gjithë mënyrat e ndryshme, që nga pasaportat tek dokumentet e me radhë. Së treti, këta nuk kanë bërë asgjë për të ndërtuar strukturat e duhura kulturore në diasporë, por vetëm e kanë luftuar dhe kundërshtuar cdo përpjekje për organizim kombëtar, dhe kjo është që nga mësimi i gjuhës shqipe, tek botimet, kultura dhe aktivitetet e ndryshme. Në të kundërt i kanë sjellë emigrantët me autobuzë për të votuar për tad he u kanë paguar edhe biletat e avionëve sepse ashtu iu interesonte. Së katërti, këta kanë mbjellë përcarjen më të thellë midis shqiptarëve duke politicizuar edhe ato pak organizata që u trashëguan apo që u krijuan dhe që i transformuan në zgjatime të partive të tyre në Tiranë. Së pesti, këta e kanë luftuar më një ashpërsi të pazakontë mendimin e kualifikuar që vinte nga diaspora shqiptare. Së gjashti, këta e kanë përdorur diasporën kombëtare shqiptare dhe vullnetin e saj të mirë për t’i shërbyer kombit e shtetit shqiptar thjesht për larjen e parave të tyre të pista, për punët e tyre të pista, dhe për allishverishe të pista.
Mjafton edhe kaq, sepse ka shumë e më shumë për të vënë një pikëpyetje shumë të madhe mbi interesimin e tyre për të mbledhur diasporën dhe për të thirrur një summit të diasporës kombëtare shqiptare në Tiranë. Përfundimi i këtij summit do të jetë një strukturë e kontrolluar nga paria dhe në shërbim të saj.
Lepuri, pra, flë diku tjetër. Këtyre mongrelëve te parisë së Tiranës, në të gjitha partitë dhe në të gjitha krahët diaspora kombëtare shqiptare iu intereson për shumë e shumë arsye. Asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me të mirën e shqiptarëve si komb, port ë gjitha janë të lidhura me interesat e tyre si një strukturë mafioze kriminale që e ka kapur kombin dhe shtetin shqiptar për fyti dhe e mby për cdo ditë. Ja shtatë arsye kryesore, sepse ka edhe të tjera përse këtyre iu intereson vendosja e kontrollit të parisë së Tiranës mbi diasporën kombëtare shqiptare.
Së pari, ka një luftë të hapur midis Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me autoritetin për t’u konsideruar qëndra e kombit shqiptar. Shqipëria ka bërë cdo gjë për të luftuar e shkatërruar diasporën shqiptare. Kosova nga ana tjetër, edhe pse e dobët ekonomikisht, ka vënë shumë burime materiale e njerezore në drejtim të kultivimit të identitetit shqiptar. Ministria e tyre e diasporës ka bërë mjaft punë të dobishme dhe kjo ka gjetur shumë miratim edhe ndër shqiptarët që vijnë nga trojet e tjera. Paria e Tiranës nuk e duron këtë dhe po mundohet të balancojë parinë e prishtinës, që si do që të jetë, është më kombëtariste e më shqiptare. Në pyetje është kontrolli mbi identitetin dhe politikën shqiptare dhe paria e Tiranës e din se pa këtë kontroll nuk e ka legjitimitetin e duhur.
Së dyti, identiteti kombëtar shqiptar në diasporë ka evoluar në drejtime të pakontrollueshme nga paria e Tiranës. Në shtetin shqiptar ata kanë krijuar popullin që kanë dashur. Përmes spastrimit të shqiptarëve, të njerëzve të edukuar të patriotëve dhe të njerëzve me karakter e kurajo, ata kanë krijuar një komb shqiptar tjetër në Shqipëri të përbërë me njerëz që shpesh demonstrojnë karakteristikat më të papranueshme të shqiptarit. E kundërta ka ndodhur në diasporën kombëtare shqiptare. Sidomos në vendet ku njerëzit jetojnë me nder e me dinjitet, diaspora kombëtare shqiptare është ngritur shumë shpejt në nivelet e lakmueshme të shtresave dhe të shoqërisë. Shuëmicën e diasporës shqiptare e ke sot shumë të edukuar, të stabilizuar, dhe të integruar edhe në nivelet më të larta të shoqërive të caktuara. Këta shqiptarë të diasporës kanë një mendim krejt ndryshe nga paria e Tiranës për atë cka e përbën kombin shqiptar dhe thelbin e identitetit kombëtar. Për ta, ajo që po ndodh në Shqipëri është krejt e papranueshme.
Së treti, diaspora kombëtare shqiptare është bërë një diasporë etnike kombëtare. Pavarësisht nga janë shqiptarët janë martuar me njëri-tjetrin, janë integruar, e kanë njohur njëri tjetrin dhe kanë krijuar një identitet që nuk është shtetëror por kombëtar. Aq më shumë që identiteti etnik kultivohet lirshëm dhe shihet si një pjesë e patjetërsueshme e identitetit të qytetarit të shumë vendeve. Edhe sikur të kërkosh t’i ikësh atij identiteti, sa më lart të ngjitesh aq më shumë, e në mënyra të rafinuara do ta kujtojnë se kush je. Dhe shumë shqiptarë janë shumë krenarë sepse janë shqiptarë. Kjo forcohet me breza, dhe sidomos kur familjet janë të integruara në nivele me dinjitet e elitar, edhe fëmijët e kërkojnë dhe e cmojnë identitetin e vet kombëtar. Natyrisht ato nuk kanë asgjë të përbashkët me popullin që jeton në shtetin e vet, por janë një mënyrë që ka cuar në rikrijimin e kombeve dhe të shteteve. Kështu nga diaspora të tilla të fuqishme rikrijohen edhe kombet, e kështu janë rikrijuar kombet e tjera si jahudinjtë, grekët, armenët e me radhë. Dhe kjo e shqetëson parinë e Tiranës që don të ruajë ciflikun e vet të qejfit e të hordhëkut me skllevër që rrisin drogë në rrethina, pijnë tekila me flakë në Bllok dhe në darkë shkojnë të hanë bukë me djathë e domate në geton përkatëse. Paria e tiranës lufton fort që të përcajë diasporën edhe në këtë nivel.
Së katërti, paria e ndjen fuqinë ekonomike të diasporës dhe kërkon të thithë sa më shumë para prej saj. Asaj nuk i intereson fare se cka bën diaspora, dhe as nuk i rruhet hic për diasporën kombëtare shqiptare, sepse në fakt, këtyre nuk iu rruhet as për fëmijët e tyre që i kanë lëshuar si zogj karafilash nëpër duart e botës, kinse për tu edukuar e për të studjuar. Por diaspora shqiptare është shuëm e pasur dhe paria i don ato para dhe lidhje. Paria e din se njerëzit duan nder e respekt dhe ashtu i përdor si don vetë për interesat e saj ekonomike e klanore. Njerëzit duan nderim dhe e cmojnë nderin që iu bën shteti i tyre dhe paria e përkthen këtë në para. Dhe këtë do të bëjë edhe me diasporën duke kërkuar që ta kthejë këtë lidhje në system.
Së pesti, paria ka nevojë që të krijojë lidhjet e duhura me diasporën sepse edhe në nivelet më të ulta shoqërore ka një model sociologjik që për të është krejt utilitar. Përmes martesave, vizitave e mirëmbajtjes së familjeve e me radhë si dhe të kultivimit të kësaj strukture përmbyllet cikli që i sheh shqiptarët të ikin në mërgim, të integrohen me lidhjet familjare atje dhe pastaj të kthehen në Shtetin shqiptar, të sunduar prej tyre për të harxhuar gjithcka me dasma, synete, sëmundje, ziafete, hordhëqe e me pleqëri. Ky është edhe modeli që kanë ndjekur të tjerët dhe këta të parisë mund të jenë krejt psikopatë e sociopatë, por kur vjen puna tek paraja, nuk janë fare budallenj.
Së gjashti, është nëvoja e këtyre plehrave që nuk kanë asgjë shqiptare e asgjë kombëtare për tu lyer me miellin e kombëtarizmit dhe për t’u dukur se janë shqiptarë e atdhetarë. Ashtu sic e kanë rilindur PS-në ashtu duan të përdorin e të transformojnë edhe diasporën. Diaspora iu duhet si boja që u përdor për të lyer pallatet e Tiranës. Ato njëlloj të rrënuara ishin, port ë lyera me bojë dukeshin më mirë. Dhe nuk është vetëm PS që e bën këtë punë, por të gjithë palët që u përzgjodhën dhe u vunë në ato vende politike sepse ishin vegla shumëpërdorimshe të shteteve të ndryshme. E këtu hyn edhe përpjekja e tyre për të mbuluar veprimtarinë e tyre të thellë anti-shqiptare, antikombëtare, thellësisht shkatërruese dhe degjeneruese që në sytë e botës na ka kthyer në një komb modern skllevërish e kriminelësh me një republikë hashashi, me prostituta e me kodoshë dhe me trafikantë e plehrat e gjithë botës.
Së shtati, parisë së Tiranës i duhet forca politike e diasporës, kudo që është. Me një shtet të diskredituar që është bërë republikë e krimit dhe hashashit, dhe me nevojën për tu mbrojtur nga shqetësimi i shteteve që e kanë frikë këtë Albanistan që ka lindur në Ballkan, cdo lidhje që mund të ndërtohet diku iu shërben interesave të saj. Dhe diaspora shqiptare ka shumë lidhje dhe shtyhet shumë për shtetin shqiptar. Por, shumë shpesh, diaspora do të marrë anën e shteteve që i kundërvihen parisë së Tiranës sepse paria është armiku për vdekje i kombit shqiptar dhe një diaspore që janë hapur sytë nuk i shitet sapuni për djathë.
Në përfundim, në Tiranë në nëntor do të bëhet një summit i diasporës shqiptare. Do të jenë skllevërit e parisë, ata që i shkojnë mbrapa siglës e kryetarit, ata që kanë ngrënë shumë lugë corbe të prishur dhe shërbyesit e lidhjet e vjetra. Në atë Summit nuk do të jenë ata që duhet të jenë sepse e dinë mirë se për cka po bëhet ai takim dhe se i dëmshëm do të jetë për interesat afatgjata të shqiptarëve dhe të diasporës kombëtare shqiptare. Sepse kur të fton ujku në dasëm hall pa lënë dicka në tryezë nuk ka. Dhe këta që do të shkojnë ose do të bëhen pjesë e kombit të ri shqiptar që ka ngjizur paria në Tiranë, ose do ta kuptojnë mirë, edhe pse pak me vonesë si zakonisht, se cfarë pjese të tyren, si nderi apo dicka tjetër, kanë lënë aty në atë Summit për parinë e Tiranës.
