
Prej disa ditësh, deputetja disidente brenda PD-së, Majlinda Bregu, është shndërruar në një star të mediave, sidomos të atyre pranë pushtetit. Me qëndrimet në grupin parlamentar, me statuse në Facebook dhe me intervista televizive, Bregu po konfirmon se diçka po zien në selinë blu.
Në shumë nga gjërat që thotë, ajo ka të drejtë. Mjafton të shikoje fjalën e saj dhe reagimet e kolegëve në mbledhjen e deputetëve pas katastrofës së Dibrës, për të kuptuar se disa herë Majlinda ngjante si një njeri normal i futur gabimisht në një spital psikiatrik. Prandaj zëri i saj, që kërkonte kthimin e shikimit nga vetja, binte në një kontrast radikal me ata që çirreshin se vota qe vjedhur, se droga kishte nënshtruar qytetarët, duke e hequr të gjithë përgjegjësinë nga vetja.
Majlinda Bregu ka të drejtë edhe kur flet për riorganizim të strukturave, edhe kur prononcohet për marrëdhënien ambigue me LSI-në, edhe kur hedh dyshime për shpresat që Basha mund të ngjallë tek fitorja.
Por atje ku ajo gabon, madje ku gabon qëllimisht dhe tinëz, duke e goditur kryetarin e PD-së nën brez, është kur ajo e krahason atë me Berishën.
Deklaratat e saj të fundit, se partia ishte më mirë me Berishën sesa me Bashën, më shumë i ngjajnë një shantazhi politik aspak bindës për publikun. Bregu bëri bujë në prill të këtij viti kur në emisionin “6 ditë pa Ermalin”, e pyetur nga drejtuesi se kë do më shumë, Bashën apo Berishën, ajo u përgjigj: “Berishën e dua më shumë, ai më ka ftuar në PD. Edhe po të pyesni Bashën kë do më shumë veten apo Berishën, me siguri do të thotë Berishën”.
Bregu e përsëriti edhe këto ditë bujën e krahasimit mes dy figurave duke deklaruar në emisionin “Oktapod” se zgjedhja e Bashës mund të kish qenë e gabuar dhe se e kishte menduar se PD mund të qe më mirë me Berishën.
Po a mund të qe PD edhe sot më mirë me Berishën? A mund të qe më mirë me njeriun e që e çoi në katastrofën e vitit 2013? A mund të qe më mirë ajo me bilancin e qeverisjes 8 vjeçare, me privatizime të dështuara, me korrupsion marramendës dhe për më tepër me viktima si ato të Gërdecit dhe 21 janarit?
Kushdo që nuk do të flasi për t’u pëlqyer vetëm brenda mureve të selisë blu, por do ta shtrijë rrezen e audiencës së tij edhe tek publiku i gjërë, e ka të vështirë ta sulmojë Bashën si më te keq se Berisha. Ai mund të kritikohet, ashpër madje, se nuk po shkëputet dot nga trashëgimia berishiste, se po sakrifikon të ardhmen në emër të mbrojtjes së bilancit të qeverisjes së vjetër. Kjo po, që do të ishte një kritike reale për Bashën.
Por mënyra se si po e sulmon Majlinda Bregu, duke e shantazhuar me Berishën, më shumë i ngjan një mërie personale (për njeriun që nuk e votoi për kryetar PD-je në garën me Olldashin) sesa një aksion në favor të interesit publik. /Lapsi.al/