
Unë tok i mbaj Bibël e Kuran,
e ti Jezusin pa një shkak ma shan,
nga Muhameti yt-mëso o burrë,
e njohu Krishtin dhe s’e shau kurrë!
Përse hakmarrje ti kërkon-o vëlla,
se gjak e shpatë në Kuran nuk ka,
dhe Muhamet Profeti asnjëherë,
nuk bëri luftë këtu me të krishterë!
Unë s’jam idiot si ti-të shaj Profetin,
që Një i Vetëm ndryshoi gjithë Planetin,
planetin ku jetojmë të dy-o xhan,
ku janë shkruar Bibël e Kuran!
Këtu jetuan Krisht e Muhamet,
se për të gjithë ka ajër ky Planet,
Profeti juaj ua ka ndritur faqen,
luftoi me shpatë-po shpata solli paqen!
Kur lart u ngrit Profeti Muhamet,
as gjak-as shpatë nuk la amanet,
po paqe të pafund dhe vëllazërinë,
me paqe Allahu sundon njerëzinë!
Mbase Zoti s’kish një Bir të Vetëm,
ky është misteri që kurrë nuk e gjetëm,
veç tyre lart askush s’është ngritur dot,
dhe atje sipër ka vetëm një Zot!
Kur lart në qiell Krishti fluturoi,
një Lajm të Ri Zoti na dërgoi,
dhe Muhametin zgjodhi Lajmëtar,
që Lajmin ta përhapte sa më parë!
Te Muhameti Lajm i Ri qe sjellë,
por do ta merrte mbyllur në një shpellë,
kur hyri brenda qe analfabet,
u bë kur doli i vetmi Profet!
Për dyzet ditë u shkrua Lajm’ i mirë,
dhe Krishti dyzet ditë në shkretëtirë,
jo kot Islami edhe Krishtërimi,
kanë në çdo faqe veç pika takimi!
Fjalë e Allahut u shkrua në Kuran,
plot emra Bible nëpër rreshta janë,
ndaj mendjen vrite pak-more njeri,
pse njeh Allahu Krisht edhe Moisi?!
Mëndja ime një mendim s’e ndan,
se kanë shumë lidhje Bibël e Kuran,
se gjithë Botën time-Botën tënde,
është krijuar nga e njëjta mëndje!
Po ta kujtoj dhe nuk bëj shaka,
ne kemi Evë e ju kini Hava,
as vetë s’e di-ndaj s’di si ta them,
përse Adami ynë u bë Adem?!
A.Duka.