Deputeti rebel i PS, Ben Blushi, lëshoi një deklaratë bombë sot në Kuvend ku paralajmëroi se Rama do të burgosë edhe Ilir Metën para se të hyjë në zgjedhje.
“Nëse burgu do të shërbente për të nxitur Reformën, ai ka në plan dhe një njeri ta fusë në burg, Ilir Metën dhe besoj se këtë premtim do ta mbajë para se PS të hyjë në zgjedhje,” tha Blushi.
Si gjithmonë, një nga deputetët me kritikë të Partisë Socialiste, Ben Blushi ishte i ashpër me qeverinë. Nga foltorja e Kuvendit, Blushi solli disa dështime, sipas tij të qeverisë Rama.
“Meqë jemi sot në 3 vjet mandat, 1 mijë ditë qeverie, është koha të bëjmë bilancin. Disa javë më parë kur ndodhi referendumi në Angli kam ndjekur qindra mijëra komente që iu bënë punës së tij.
Dikush nga deputetët e tij konservator tha “ky njeri që sot iku nga puna do mbahet mend se krijoi miliona vende pune për Britaninë”. A mund të thuhet sot kjo për ju? Dëgjova para ca ditësh një parazit të Rilindjes dhe ai tha: në 3 vjet kemi mbajtur premtimin për 300 mijë vende pune. Në qoftë se kjo është e vërtetë është sepse keni hapur më shumë vende pune jashtë Shqipërisë sesa brenda. Ka apo nuk ka varfëri në Shqipëri? Rilindja mendon se varfëria nuk ekziston”, deklaroi Blushi.
Në fjalën e tij kritike për varfërinë që ka sjellë Rilindja, Blushi vërejti se në Kuvend “për gjithçka flitet për ekonominë jo” dhe bëri këtë bilanc:
Janë 1 mijë ditë në pushtet dhe e dini si i kalon ditët Rama?!
100 ditë selfie
200 ditë në avion
300 ditë në stadium
400 ditë ditë në burg
Edi Rama nuk bëri vetëm kaq, kur u mor me burgjet 400 ditë.
Po, në burg dhe këtë të fundit jua shpjegoj pse e them. Se Edi Rama i do shumë burgjet. Dhe këto 400 ditë ia dedikoi burgjeve. Futi në burg ata që nuk paguanin energjinë; që ndërtonin një tullë.
Burg burg burg dhe e mbajti premtimin për shkak të kokëfortësisë së vet.
Me bindjen se burgu i shërben për të nxitur reformat, ai ka arritur të bindë edhe një njeri që nuk e ka në plan përkohësisht ta fusë në burg.
Ky njeri është Ilir Meta.
Këtë premtim besoj se Edi Rama do ta mbajë deri në zgjedhjet e ardhshme. Deri ditën kur Rilindja do hyjë në zgjedhje. Megjithatë ky eshte problemi i tij.