Nga Habjon Hasani
Gjatë një takimi pune në Patos të Fierit, kryeministri Edi Rama bëri bujë me një deklaratë të papritur mbi gruan e një socialisti që po e bezdiste.
I tha Rama socialistit:
“Të lutem. Shiko. Më fal.Gruan mirë e ke?
E di pse po të pyes? Sepse gruaja jote duhet shpallur heroinë që të duron ty. Bëji shumë të fala dhe ta mbash, ta mbash në majë të kokës. Që të duron ty. Kaq. Sakrificë e madhe.”
Kjo përgjigje e Ramës bëri përshtypje dhe është komentuar gjerësisht në media, ndonëse nuk është rasti i parë kur Rama reagon vrazhdë përballë mbështetësve të tij ‘në bazë’ apo dhe të tjerëve.
Mirëpo kësaj here batuta e tij ishte pikante, sepse krejt papritur i kujtoi ‘gruan’ tjetrit, i përdori një familjar për ta intimiduar dhe ironizuar.
Element i gruas merr ngarkesë dyfishe nëse shqyrtohet dhe trajektorja që Rama ka ndjekur me gratë ‘zyrtare’ të tij. Janë katër gjithsej, femrat që Edi Rama i ka pasur në krahë si gra ose partnere të shpallura.
Një vëzhgim i trajektores që Rama ka ndjekur me to, mund të na vlente për të kuptuar më tepër se pse kryeministri nuk e ka hiç problem të përdorë gratë e njerëzve të thjeshtë si artificë për t’i intimiduar dhe për t’i ironizuar ata.
Matilda Makoçi
E para është znj. Matilda Makoçi, ish-bashkëshorte e tij me të cilën kanë një fëmijë, Gregorin. Të divorcuar.
Znj. Makoçi ishte gruaja e tij para viteve ‘90, kur Rama nuk kishte ende një profil politik.
Por në fushatën zgjedhore të vitit 2009 mediat e kontrolluara prej Ramës, realizuan një lëvizje ku prindërit e znj.Makoçi u përdorën qartësisht për qëllime politike të ish-dhëndërit të tyre.
Prindërit e znj.Makoçi dolën dhe thanë fjalë të ëmbla për z.Rama dy javë para ditës së zgjedhjeve. Ndonëse të dhëna të tjera sugjeronin për një marrëdhënie të çiftit që kishte mbjellë shumë shqetësime vërdallë.
Ishte një përdorim i prindërve të ish-bashkëshortes, për qëllime të qarta partiake dhe politike.
Por ishte dhe një njollë për median dhe gardën mediatike të Ramës, e cila e dinte shumë mirë se çfarë po kurdiste dhe sa brutalisht po manipulonte, por media e kreu pa asnjë mëdyshje skemën e orientuar nga Rama.
Caroline Hornstein
Zonja Hornstein është një shtetase gjermane, ajo është antropologe dhe ka krijuar një lidhje me z.Rama diku nga viti 1997.
Kur Rama nisi punë në kabinetin Nano në vitin 1998, e prezantoi publikisht partneren e tij duke e mbajtur në krahë.
Zonja Hornstein vinte nga një familje me pozitë në Gjermani dhe zotëronte të ardhura të mira financiare. Një element që për z.Rama mund të ketë patur rëndësinë e vetë gjatë kohës kur ishte thjesht një emigrant i papunë.
Me t’u bërë ministër, z.Rama qëndroi dhe pak kohë me partneren e tij, por më pas u ndanë në vitin 1999.
Tashmë Rama jo vetëm ishte një i punësuar, por ishte ministër, në një ministri që kishte marrë fonde të rëndësishme për disa projekte asokohe.
Ndarja me znj. Hornstein ndodhi në periudhën kur emri i Ramës po lakohej si kandidaturë e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës.
Rudina Magjistari
Ndërsa zoti Rama po gatitej si kandidat potencial i PS-së për Bashkinë, ai nisi të investonte mediatikisht një imazh të vetin, sikur ishte ‘zëri i të rinjve’ në atë Partinë Socialiste ku veteranët dhe brezi i moshës së tretë, ende ruanin ndikime të rëndësishme.
Po a nuk do ishte perfekte që pikërisht këtij imazhi të ‘Liderit të të rinjve’ t’i qëndronte në krahë një ikonë e botës së televizionit që të rinjtë e simpatizonin? Një showgirl?
Zgjedhja nuk mungoi dhe shumë shpejt, zonja Rudina Magjistari u shfaq si partnerja e re zyrtare e z.Rama.
Imazhi i tyre nuk mund të mos elektrizonte të rinjtë, sidomos kur Rama thyente dhe tabutë politike dhe e puthte nëpër Kongrese partneren e tij.
Kjo lidhje zgjati disa vite, por jo deri kur Rama në vitin 2004, nisi planin e ri, për të kapur kupolën e Partisë Socialiste.
Linda Rama
Në vitin 2005 Rama kapi kreun e Partisë Socialiste dhe mori frenat e partisë më të madhe opozitare në vend. Ai ishte një kryeministër në hije, beqar, pa angazhime të shpallura dhe nga mediat oponente komentohej shpesh herë dhe ‘si në qejf të vetë’ apo komentohej dhe me nota diskriminuese mbi prirjet e veta.
Përtej baltës mediatike mbi mënyrën si komentohej beqaria e z. Rama, ai e dinte se ishte çështje kohe dhe ai do bëhej kryeministër një ditë.
Statura e kryeministrit, ka shumë ndryshim nga ajo e një emigranti të papunë, nga statura e një ministri antikonformist Kulture, apo dhe nga statura e një kryebashkiaku që rinia e adhuron.
Kur je kryeministër, familja dhe raporti me familjen është tregues strategjik dhe element që nuk mund të shpërfillet.
Rama me sa duket e kuptoi në kohë dhe këtë kriter të ri që i solli ambicia dhe u martua me znj. Linda Rama në vitin 2010. Tre vite para se të zgjidhej kryeministër.
Edhe kësaj here, gruan në krahë e kishte në përputhje me kriteret që ja impononte ambicia, posti dhe partia.
Në vend të një epilogu
Duket sikur gratë e zotit Rama janë zgjedhur përherë në funksion të karrierës së tij politike, ambicieve dhe imazhit mediatik.
Prindërit e znj. Makoçi u përdorën arbitrarisht nga media për qëllimet e tij politike.
Antropologia e kamur gjermane, mori valixhet jo shumë kohë pasi emigranti i papunë u bë ministër.
Kur zoti Rama vendosi të kapte Bashkinë nëpërmjet mbështetjes së rinisë, befas një vajzë e botës së spektakleve u shpall partnere e tij.
Dhe kur planet politike arritën kulmin dhe ai synonte postin e kryeministrit, sërish ‘çështja e gruas’ u kopsit sipas kritereve që kërkonte posti.
Ndaj dhe batuta e bujshme e Ramës në Patos, duke i përmendur gruan tjetrit, nuk duhet marrë si ndonjë çudi e madhe.
Sepse dikujt që përdor politikisht gratë e veta, s’mund t’i kërkosh të funksionojë me tjetër standard kur komenton gratë e botës.
Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse zoti Rama e ka të vështirë ta kuptojë se si e duron gruaja atë socialistin që e bezdiste në miting.
Gjasat janë që ai socialisti në Patos nuk e ka zgjedhur gruan për t’ia pëlqyer partia, apo për t’iu përshtatur postit.
Por do ishte e tepërt që këtë gjë të përpiqesh t’ia shpjegosh zotit Rama, sepse siç tregon dhe trajektoria e tij, standardet e Ramës me standardet e një socialisti të thjeshtë, nuk kanë asnjë lidhje.
HashtagAL




