Nga Klodian Tomorri/
Ka një mit fals, që përhapet sa herë që trafikantet duan të zbusin reagimin e publikut. Ai se droga ndihmon ekonominë kombëtare dhe rrit standardin e jetesës së qytetarëve.
Pikërisht kjo është duke ndodhur në Shqipëri. Për të justifikuar përhapjen masive të kanabisit në të gjithë territorin e vendit, trafikantët dhe njerëzit me pushtet që qëndrojnë pas tyre, janë duke përhapur tezën se droga rrit të ardhurat dhe mirëqenien e fshatarëve të varfër. Dhe fatkeqësisht duket se po ja dalin.
“Ç’të keqe ka nga droga? Përkundrazi. Ajo po ndihmon ekonominë,” është një frazë që e ndesh jo rrallë së fundmi në publik.
Ky është një mit i rrezikshëm. Nëse do të ishte e vërtetë se droga rrit ekonomine, shqiptarët sot do ishin duke plotësuar llotarine kolumbiane dhe nuk do të turreshin në amerikane prej 200 mijë njerëzish në ambasadën amerikane.
E vërteta është krejtësisht ndryshe. Trafiku mbjell mjerim. Mekanizmi është i thjeshtë. Trafiku kontrollohet nga të fortët dhe kriminelët, të cilët i përdorin të ardhurat e jashtëligjshme për të konsoliduar pushtetin e tyre në kurriz të shoqërisë.
Paratë e drogës, blejnë vota. Votat sjellin pushtet. Pushteti vjedh tendera. E gjithë kjo krijon një ekonomi të kriminalizuar dhe informale që minon shtetin ligjor dhe gërryen shërbimet publike.
Ky është një qerthull negativ i rrezikshëm. Jo rastësisht të gjitha vendet ku ka kultivim dhe trafik masiv narkotikësh janë vendet me të varfra të planetit.
Nga ana tjetër, edhe teza e legalizimit si zgjidhje e mundshme e problemit nuk do të ndryshonte asgjë. Legalizimi i kanabisit në Shqipëri nuk nënkupton legalizimin e tij në Itali, Greqi apo çdo vend tjetër ku eksportohet. Rrjedhimisht trafiku i jashtëligjshëm do të vazhdojë. Kriminalizimi i ekonomisë po ashtu
Shqipëria ndodhet në një krize kombëtare. Kriminalizimi kaq masiv i ekonomisë mund të mbjellë farën e rrënimit ekonomik të vendit për një kohë të gjatë. Kjo ka vetëm një zgjidhje. Vullnetin e qeverisë për të luftuar pa asnjë kompromis ekonominë e drogës.
Është e qartë se organika aktuale e Ministrisë së Brendshme nuk mund të garantojë më rendin dhe sigurinë në Shqipëri. Ndaj duhen ndryshime urgjente. Fillimisht në nivel politik, e më pas në të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit.
Përtej sondazheve të sponsorizuara që e nxjerrin Policinë e Shtetit si institucionin më të besuar nga qytetaret, e vërteta është se sot Policia është më e diskretituar se kurrë. Kjo jo për fajin e mijëra punonjësve të ndershëm të policisë, të cilët sot janë të tradhtuar, por për shkak të bosëve të tyre.
Në media janë publikuar fakte të pakundërshtueshme se shumë krerë të Policisë në qendër dhe në rrethe janë të përfshire drejtpërdrejtë në trafikun e drogës. Në këtë situatë ruajtja e status-quos do të kishte vetëm një rezultat. Kriminalizimin e mëtejshëm të ekonomisë kombëtare dhe rrënimin e qytetarëve të zakonshëm.
Rikthimi i autoritetit moral në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit është kritik për të triumfuar mbi drogën dhe mjerimin që ajo mbjell. Shqipëria nuk mund të jetë Kolumbia e Europës. Prandaj teza e ekonomisë që rritet nga droga meriton vetëm një përgjigje. Refuzimin me neveri dhe ndëshkimin me pushtetin e sovranit.
