Kategori
Uncategorized

Erdhi më në fund porosia?

Kryeshefi e mprehu edhe njëherë shpatën për situatën

Fugsi i Vogël, ia kishte gjëtur më në fund Kryeshefit shpatën që kërkonte prej kohësh. Një shpatë japoneze nga Hokaido, nga mjeshtri shpatabërës Hanzo. Shpatë e shtrenjtë. E mprehtë dhe me çelik të rrahur pesë herë. Fugsi i Vogël, e çmbështolli me kujdes dhe i fshiu pluhurin duke kënduar nën zë, këngën e njohur: “Kryeshefi e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën/ Kjo është shpata që u rri te koka, të gjithë armiqve që ka bota!”. E nxorri nga këllëfi dhe admiroi vezullimin e tehut të mprehtë. Në këtë kohë ja behu papritur vetë Kryeshefi. Ai hodhi një vështrim qortues dhe Fugsi i Vogël e futi me nxitim shpatën në millin e argjentë stolisur me dy Dragonj të Artë.

– Erdhi më në fund porosia? – tha Kryeshefi duke i admiruar tehun e mprehtë dhe duke lëmuar njëkohësisht ciftin e florinjtë të Dragonjve mbi këllëf. Fugsi nuk foli. Por i zgjati një listë gjërash që kishte porosi për Sammitin e Nishit.

– Ja shef, këto janë pikturat e përzgjedhura për Ekspozitën madhështore! Do tronditen serbët! Skanë parë kurrë një kryeministër piktor në jetën e tyre! Piktor edhe shkrimtar njëherësh! Ai serbi e ka përkthyer mirë në serbisht “Kurbanin”, më tha edhe Këshilltari ynë ndërkombëtar që kemi nga Kosova. Se ai e di serbishten, njësoj si shqipen.

Kryeshefi u mallëngjye. U kujtua proçka e takave të fshehta të këpucëve të Vuços në takimet e mëparshme. Mirëpo sapo do të ishte përsëri qortues ndaj Fugsit të Vogël, Fugsi, ky lexues i mrekullueshëm i mendimeve të Kryeshefit, zgjati përpara këpucët e reja që shkëlqenin.

– Fitojmë edhe ne 2,5 cm nga taka speciale e padukshme. 3 kostumet Brioni janë gati. Kopsat me diamant të vogël të këmishave i kemi të reja dhe të papërdorura asnjëherë në asnjë Summit tjetër. Unë sygjeroj se duhet edhe një qethje e lehtë te Mjeshtri. Ta thërras? Edhe një shkurtim të lehtë të mjekrës dhe një masazh lëkure me atë kremin që na solli ai Ministri që nuk harron asnjëherë…

– I paske vënë në vijë të gjitha vëllaçko! Je i madh! Fjalimin e ka bërë gati Këshilltari Ndërkombëtar? Ma kalo në email, ti fus ca nga ato të miat! Ke lexuar se çfare shkruajnë plerat sot? – foli duke admiruar kopast e këmishës Kryeshefi. I bëri përshtypje kutia e mrekullueshme dhe i bëri një foto, të cilën e çoji me whattsup, aty ku marrin vesh nga e bukura, në një shoqe në Paris. “ajo kupton nga këto llukse!” mendoi me vete Kryeshefi.

– Avioni niset pas 2 orësh shef! Do shkojmë në kohë apo ta vonojmë ca? Të flas me aeroportin?!

Kryeshefi nuk u përgjigj. Mori shpatën japoneze të mjeshtrit Hanzo nga Hokaido, e nxorri nga këllëfi me dragonj të artë dhe e vringëlliu ca herë në ajër. Tehu i shpatës vringëllinte. Sa e bukur ajo kënga e vjetër e Enverit tha me vete Kryeshefi…” e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën!/ Ajo është shpata që u rri te koka, të gjithë armiqve që ka bota!… Sa bukur!… I kemi rënë kotë në qafë!” mendoi ai.

– Jemi gati të nisemi Fugs! – dha urdhër Kryeshefi.

– Ndonjë briefing për takimin me Vuçen? Do hedhësh ndonjë sy lëndës që do diskutohet? Një update Shef?!

– Pse ja vlen? Autostrada Fugs! Ekspozita dhe “Kurbani” mjafton! Vuçës nja dy rrahje në shpatlla! Kaq është loja! Pjesën tjetër e bëjnë vetë mediat!

Dhe u nisën për takimin e madh gjeopolitik të Ballkanit. Kryeshefi ishte i paduruar të vinte kopsat e reja në mëngët e këmishës. U rehatua në ndenjësen e makinës, flaku celularin dhe filloi t’i vendosë. Ndërsa shpatën e Hanzos e vendosi në valixhen e vet diplomatike. Serbët po i prisnin me padurim…

Lini një koment