Një nga figurat e njohura të PD, Besnik Mustafaj, ka marrë fjalën sot në hapjen e fushatës elektorale të PD-së në Dibër për kandidatin e saj Sherefedin Shehu.

Me gjuhë poetike, Mustafaj ka spikatur në thirrjen që u ka bërë dibranëve se pse duhet ta votojnë Sherefedin Shehun.Mustafaj

“Rinia juaj nuk mund të pajtohet më dëshpërimin, – tha ai. – Sherefedin Shehu është burrë i mirë në kuptimin e gjithë asaj që dibranët i japin asaj fjale.

Sherefedin Shehu është burrë i lirë. I lirë, sepse nuk është i kapur nga korrupsioni. Ja pra, Dibrës i duhet një njeri me këto cilësi,” theksoi Mustafaj.

“Në këto ditë shoh në fytyrat tuaja kthimin e shpresës si në 1990, – iu drejtua të rinjve më pas. – U shpërndaftë kjo erë e mirë në të gjithë Shqipërinë.

Në këtë lumë njerëzor që ka vërshuar sot këtu, shoh që shumica janë të rinj, janë lulja e rinisë dibrane. Këta djem dhe vajza janë burimi i mrekullueshëm i lindjes së shpresës. Ata nuk mund të pajtohen me dëshpërimin. Rinia nuk mund të pajtohet me dëshpërimin.

Dëshpërimin e sjell korrupsioni, frika dhe mashtrimi qeveritar. Rinia nuk mund të pajtohet me këtë mashtrim. Përmes mashtrimit qeveria do ta zbrazë Shqipërinë nga rinia dhe do të ketë një Shqipëri me pleq të nënshtruar”.