
Prof. Dr. Ramiz Abdyli.
Vrasësi.
Mbreti serb i Rashës, që ia doli të pushtojë toka të huaja, më shumë se asnjë pushtues serb mesjetar, në politikën e tij brendshme kishte objektiv kryesor shfarosjen dhe asimilimin shqiptarëve , që do të rezultonte në kthimin e tokave të tyre në toka etnike serbe. Në këtë plan ai u shqua sidomos me projektin e konvertimit të dhunshëm të shqiptarëve, për t’i detyruar ata të kalonin nga feja e krishterë (katolike apo ortodokse) në fenë e “vërtetë”, që do të thoshte në fenë ortodokse serbe. Kjo dhunë e pazakontë dëshmohet edhe me disa nene të kodit të tij. Kjo vepër e shëmtuar e St.Dushanit ishte e panjohur deri atëherë në historinë e krishterimit në Ballkan e më gjerë. Për këtë krim njerëzor flasin qartë nenet 6,7,8,9,10 të Kodit të tij. Kështu p.sh. Neni 6 i këtij kodi përcaktonte në mënyrë të prerë “ndëshkimin e herezisë latine”( shqiptare), që autoritetet kishtare serbe do t’i kthenin këta besimtarë( shqiptarë )në besimin e vërtetë (ortodoks serb). Në vijim të këtij neni thuhet: “nëse një heretik (jo besimtarë dhe gjysmëbesimtarë, shqiptarë) nuk pranon të konvertohet në fenë e “vërtetë” (ortodokse serbe), ai “do të dënohet me vdekje”. Po në këtë nen i jepej e drejta perandorit Dushan që të “asgjësojë gjithë herezinë nga shteti i tij, e pasuria e atyre që e kundërshtojnë konvertimin do të konfiskohet; do të ndëshkohen pamëshirshëm priftërinjtë heretikë” (katolikë shqiptarë, gjysmëbesimtarë , ortododoks shqiptarë ),të cilët si ndëshkim do të “punojnë në miniera ose do të dëbohen nga vendi, ndërsa kishat heretike” (katolike e ortodoks shqiptare ) “do të shenjtërohen nga priftërinjtë serbë”. Neni 7 përcaktonte se në “krye të kishave të mëdha të jobesmitsarëve dhe gjysmëbesimtarëve (katolike dhe ortodokse) do të vihen kryepriftërinj serbë, që kanë detyrë t’i konvertojnë latinët (shqiptarët), kudo në qytete e në fshatra”. Në nenin 8 thuhej: “nëse do të zbulohet ndonjë prift latin (shqiptarë) “që do të përpiqet të konvertojë një të krishterë të vërtetë në besimin latin (katolik shqiptarë ), “ai do të dënohet me vdekje”.Neni 9 përcaktonte se “po të zbulohet një gjysmë besimtar (ortodoks shqiptarë), që është martuar fshehurazi më një grua të krishterë (pravosllave serbe ), ai do të pagëzohet sipas mënyrës së vetme të krishterë”(ortodokse serbe ); dhe, “në rast se ky nuk do të pranon të pagëzohet, ai privohet nga gruaja, nga fëmijët dhe nga shtëpia e tij”. Në nenin 10 thuhet: “nëse do të zbulohet një heretik (shqiptarë), “që jeton midis të krishterëve të vërtetë (ortodoksve serbë), ai do të njolloset me hekur të skuqur në fytyrë e do të dëbohet”. Po ky ndëshkim e priste edhe atë(serb) që do të kishte guximin të “fshihte një heretik (shqiptarë) në shtëpinë e tij”.
Nenet e mësipërme të Kodit të St. Dushanit, që u hartuan dhe u praktikuan kundër besimtarëve shqiptarë, për t’i kthyer ata në fenë e “vërtetë”, ishin lemeritëse dhe nuk duan koment. Del sheshit se prapavija politike e shtetit mesjetar serb të Stefan Dushanit, e cila dirigjohej nga kisha ortodokse serbe, synonte që me “hekur e zjarr” të luftohej kundër shqiptarëve, për të ndryshuar rrënjësisht përbërjen e strukturës etnike të tokave të tyre të pushtuara.
Le të shtojmë me këtë rast se popullata e cilësuar si “latine”, e cila shtrihej në harkun gjeografik nga Tivari Shkodra-Vranina, Shkupi, Kratova, Tetova, Prizreni, Mitrovica etj, ishte me shumicë shqiptare. Për gjendjen e rëndë e të padurueshme të shqiptarëve, nën sundimin e St. Dushanit, flet relacioni i kryepeshkopit francez të Tivarit, Gulielm Adae (1332), që ia dërgoi mbretit francez, Filipit V (sundoi 1328-1350). Në relacion murgu francez e informonte mbretin e tij për gjendjen e rëndë të kishës katolike dhe të shqiptarëve në Shqipërinë e Veriut nën pushtimin serb dhe kërkonte organizimin e një ekspedite ushtarake për “pushtimin e Mbretërisë serbe të Rashës”, sepse “shqiptarët, shpeshherë prangosen, fisnikët shpronësohen dhe mbahen rob , (…) klerikët poshtërohen e persekutohen (…)”etj. G.Adae e siguronte mbretin se sapo të dukeshin forcat franceze në tokat shqiptare, “(…) ky popull mund të nxjerrë 15.000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë”. Kardinali Guida da Padova në një letër që ia drejtonte mbretit të Hungarisë (1450), e vinte atë në dijeni për gjendjen e rëndë të katolikëve shqiptarë nga Mbretëria e Rashës, për t’i detyruar ata të kalonin në ritin ortodoks serb dhe të pagëzoheshin në kundërshtim me rregullat e kishës (contra roman eclesiae baptizari).Kjo përbënte një dhunë ta paparë ndaj njerëzimit. Ripagëzimin e katolikëve e “gjysmë besimtarëve” në Mbretërinë serbe e pohon edhe vet St. Dushani në një letër që ia dërgonte papës Inoçenti VI (1352 -1362. ). Miss Edith Durham, duke folur për Kodin e Dushanit, pohon “ (…) të krishterët latinë (…), duket se kanë qenë kryesisht shqiptarë, persekutimi nuk është thjesht fetar, por kombëtar dhe fakti që nevojitej një legjislacion i posaçëm kundër latinëve, si dhe udhëzimet e qarta se si duhej vepruar në kishat e tyre, tregon se edhe në kohën e lulëzimit më të madh serb kishte një numër të madh jo serbësh që duheshin konsideruar si rrezik për ta”.Shqiptarëve gjatë sundimit të Dushanit, po edhe pararendësve të tij, u merrej toka, pyjet, kullosat e u dhurohej manastireve e kishave serbe si dhe fisnikëve serbë. Kjo synohej që të ishte në funksion të përhapjes se fesë ortodokse serbe dhe të asimilimit të shqiptarëve. Është për t’u vënë në dukje fakti se shqiptarët në shtetin e St.Dushanit ishin kthyer në skllevër (otrokë), si dhe pjesëtarët e tjerë të popullsive joserbe. Sipas dispozitave të kodit të tij mbi këtë shtresë të madhe skllevërish mund të veprohej sipas vullnetit të zotit të tyre-fisnikut (gospodarit) serb.
‘Shqiptari i Mirë’
Projekti “Shkupi 2014”, zbatues i të cilit është kryeministri i Maqedonisë së sotme, N.Gruevski, përbën një përpjekje megalomane të qeverisë aktuale maqedonase, e cila duket se është në kërkim të identitet të maqedonasve sllavë të jugut, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët më pjesën e Maqedonisë së antikitetit. Ndërsa Leka i Madh (sundoi,336–323 ) ,që është ngritur mbi të gjithë monumentet tjera në atë shesh, ju bën nderë shqiptarëve, sepse ishte djalë i Olimpisë, princeshë ilire(epirote),vajzë mbretit të famshëm Pirro (sundoi 297-271 p.e.r), siç e pohojnë autorët antikë helenë.
Dhe, përse në vend të përfaqësimit të denjë të personaliteteve të historisë së popullit shqiptar në atë Projekt,janë ngritur edhe bustet e dy intelektualëve shqiptarë, bashkëpunëtorë të Shërbimit Sekret Jugosllav: Adem Gajtani (“Gojko”) dhe Murteza Peza. Ngritja e busteve të tyre len të kuptohet se nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë bashkëpunëtor i sotëm shqiptar (intelektual) pas vdekjes do t’i ngrihet monumenti në atë shesh?!