Kategori
Uncategorized

Varr_rrëmihësi i Dibrës në krye të fushatës.

Gjiknuri duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i fushatës zgjedhore në Dibër. Ai është në konflikt interesi me Dibrën, është zotuar ta mbysë… Partia Socialiste po qe se nuk do ta tërheqë Gjiknurin nga fushata e ka të humbur kryetarin e bashkisë së Dibrës
Gjiknuri, ministri i energjetikes u shfaq në ekranin e vogël tokësor e satelitor si drejtues “nga lart” i fushatës zgjedhore për bashkinë e Dibrës. Gjiknuri nuk është dibran dhe me sa dihet publikisht nuk ka ndonjë lidhje gjaku apo krushqie me Dibrën.

Gjiknuri nuk e njeh Dibrën dhe nuk e ka lexuar rresht për rresht këngën epike “Hajredin pasha po bie Radikës”. Gjiknuri është lakuar në të gjitha rasat dhe numrat këtij dimri e kësaj pranvere për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Drin, për vendosmërinë e tij për ta mbytur me çdo kusht Dibrën. Një janari i vitit të ardhshëm është caktuar prej tij si dita e nisjes së ndërtimit të hidrocentralit të Katundit të Ri. Deklaratat, kronikat televizive, reportazhet në gazetat e përditshme dhe periodike e kanë bërë fakt të kryer mbytjen e Dibrës. Mbytje në fillim me digën e “Katundin të Ri” e në vijim me diga të tjera deri në Skavicë.

Gjiknuri, në pozicionin publik si ministër, po qe se populli i Dibrës nuk ia këndon atë refrenin e njohur…”Hajredin pasha more kreje shënejk,/Nuk është Dibra Selanejk”, do të mbetet në histori si njeriu që i hapi varrin Dibrës, që mbyti luginën më të madhe, më të bukur dhe pjellore të Shqipërisë (pas asaj të Korçës).

Gjiknuri është zgjedhën e atllarëve në karrocën e shtetit që nuk e mbajti fjalën për ti dhënë Dibrës rrugën e vet historike, Rrugën e Arbrit.

Qeveria e tij i dha fjalën dhe nuk e mbajti.

I dha besën dhe e theu.

Dibra është e njohur për institucionin e besës. Thyerja në besë, mos mbajtja e fjalës së dhënë përbën sakrilegj për Të. Në Dibër janë vënë në garë për kryetarin e bashkisë dy dibranë, një i larguar prej vitesh dhe tjetri i ngujuar atje që në lindje, dy njerëz që siç thuhej në një prezantim kanë lidhje krushqie të shkallës së ngushtë. I djathti është më në avantazh. I majti ka mbi supe “bëmat e Shukriut” çka do punë të madhe e përkushtimqë në kushtet e mentalitetit moral dibran të kapërcehen lehtë.

Ka edhe “bëmat e Gjiknurit”, alergjinë që ka shkaktuar ai duke u vënë në krye të zhdukjes së Dibrës nëpërmjet gjoleve të korrupsionit mbi Drinin e Zi. Muharrem Ramës i duhet lehtësuar barra. Gjiknuri, koordinatori i Partisë Socialiste duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i fushatës zgjedhore në Dibër. Ai është në konflikt interesi me Dibrën, është zotuar ta mbysë…

Partia Socialiste po qe se nuk do ta tërheqë Gjiknurin nga fushata e ka të humbur kryetarin e bashkisë së Dibrës.
Abdurahim Ashiku
18 gusht 2016

Lini një koment