Nikoll Lesi, i “është qepur” keq Edi Ramës dhe i ka montuar observatorin e tij, edhe në vilën qeveritare në Dhërmi, nga e cila kryeministri duket se nuk ka ndërmend të shkulet. Botuesi i “Koha Jonë”, gati çdo ditë shkruan diçka për atë që po zien në marrëdhëniet mes Ramës dhe Ilir Metës. Sipas Lesit, halli më i madh që ka kryeministri aktualisht nuk ka të bëjë fare me gjendjen katastrofike të vendit dhe dështimin total të qeverisjes së tij, por lidhet me hesapet dhe intrigat që po bën në funksion të bërjes së 71 votave, me të cilat do të bënte të mundur flakjen njëherë e mirë të Metës nga qeveria. Ja si e përshkruan “Koha Jonë” një ditë të kryeministrit në Dhërmi:
“Edi Rama po shijon diellin dhe ushqimin e detit në Zonën e Bregut në Jug të Shqipërisë. Atje e ka qejfin. Herë pas here del dhe bën foto me Zahon e vogël, dhe këtu fiton pikë si prind i mirë. Më pas pushimet e tij janë intensive buzë detit, ndonëse shqetësohet kur ndonjë helikopter kalon sipër vilës ku banon. Por prapë shqetësimi ikën sepse krejt Garda e Republikës po bën “zborin” veror rrotull vilës qeveritare me shërbim të përforcuar 24 orësh. Hyjnë dhe dalin ministra, drejtorë, punonjës të ndryshëm. Disa presin telefonatën e kryeministrit dhe ankorojnë jahtin afër vilës. Punonjësit e shërbimit të vilës qeveritare tregojnë se Edi është në humor dhe se luan si fëmijë me Zahon. Por kur shikon lajmet apo hap mediat sociale në laptopin e tij nuk ndjehet mirë. Duke mos harruar zanatin e vjetër të analistit në “Koha Jone” fillon e zihet me cilindo t’i dalë në Facebook. Hap debat dhe sherr online, por i prishet humori.
Më pas vijnë ministrat besnikë të tij për darkë. Shtrohet tavolina me ushqime deti të fresketa. Pihet, bëhen llogari se si mund të qeverisin të vetëm, pa LSI. Nuk iu del hesapi edhe me çamin Idrizi, pasi ministrat i tregojnë se Shpetimi drekën e ha në Gjirin e Lalzit me Ilir Metën, kafen e pi pasdite me Gaz Dëmin dhe në darkë vjen tek kryeministri. Pijnë prapë verë të kuqe franceze dhe fillojnë llogaritë politike. Nuk iu dalin numrat as me Nard Ndokën dhe as me Dash Shehun. Gërmojnë e telefonojnë ndonjë deputet të PD-së të cilit Berisha-Basha i kanë vënë kryqin. Prapë nuk iu zihet besë atyre, të lenë në momentin e Mocionit në Parlament.
Fle gjumë dhe të nesërmen e njëjta histori, si e djeshmja. Kafe, xhiro me Zahon, foto e ditës, pak plazh, drekë, kafe, darkë dhe prapë intriga.
E kështu ikin ditët e kryeministrit në bredget. Atëhere kujtohet se ka një këshilltar; Tony Blair. Ai me vrap drejt Ramës në plazh. Ulet me helikopter të ushtrisë mbi kokën e kryeministrit Rama. Përqafohen. Ushtron anglishten e intrigës. Pijnë verë spanjolle, pasi Blair nuk e do verën franceze. Kuvendojnë. Bëjnë prapë llogaritë. Nuk iu del hesapi. Blair i jep shpresë dhe ikën. Nuk merr asnjëherë lekë për këshillat. Nuk e njeh cash-in”.
Vjen dita tjetër. Si përditë:Kafe, xhiro me Zahon, foto e ditës, pak plazh, drekë, kafe, darkë dhe prapë intriga.
Po ikën gushti. Me gushtin ikën edhe vapa që ka zënë kryeministrin. Shtatori ka punë. Numrat prapë nuk bëhen 71!”
