Kategori
Uncategorized

Mero Baze “paqe” me Berishën, luftë me Bashën?

Mero Baze "paqe" me Berishën, luftë me Bashën?

Ka disa kohë që Mero Baze, gazetari antiberisha nr 1 në Shqipëri, sidomos që mbas konfliktit politik për Reformën në drejtësi, gjatë së cilës profili politik i Lulëzim Bashës, pati vetëm rritje, merret sistematikisht me analiza kritike dhe përcmuese, për kryetarin e PD. Duket se në kampin Rozë, është rritur shqetësimi për këtë rritje profili të kryetarit të Opozitës.

Zërat për një “rikthim” të Berishës në krye të PD, janë fashitur tashmë dhe Basha, është targeti kryesor që duhet sulmuar.

Sulm për të cilin nuk ka kënaqësi më të madhe për Meron. I cili ka lënë në plan të dytë sulmet ndaj Sali Berishës.

nga Mero Baze
Lulzim Basha po përpiqet të testojë Partinë Demokratike dhe opozitën në tërësi, për mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2017. Në intervistën e fundit, një përmbledhje e së cilës është bërë publike nga televizioni ABC, Basha thotë se qeveria teknike është kusht i patejkalueshëm.

Në qoftë se ne për një moment do ta merrnim seriozisht Lulzim Bashën, kjo fjali do të thotë që ai nuk hyn në zgjedhje, pa qeveri teknike.

Nga këtu duhet filluar dhe gjithë arsyetimi. Nuk do të ketë qeveri teknike deri në zgjedhje! Kështu që duhet të diskutojmë fuqinë e Lulzim Bashës, për atë që ai e quan “kusht të patejkalueshëm” dhe që është mos futja në zgjedhje, pa qeveri teknike.

Të vendosësh kushte të tilla, do të thotë të kesh fuqi të diktosh shumicën dhe të kesh në dorë fatin e saj. Nëse këtë gjë e ke 10 muaj para zgjedhjeve, nuk ka nevojë të kërkosh qeveri teknike, se i ke të fituara zgjedhjet. PD në vitin 1991 diktoi krijimin dhe prishjen e qeverisë teknike të Ylli Bufit e Vilson Ahmetit, se ishte e fortë. Po ashtu PS diktoi në vitin 1997 krijimin e qeverisë së Bashkim Finos se ishte e fortë. Basha është në krye të një PD-je që është më keq se kurrë ndonjëherë dhe lideri më i dobët që ajo ka pasur.

Problemi kryesor i Bashës në këtë histori, është se ai po kërkon të testojë Partinë Demokratike a do të ishte e gatshme të shkonte pas tij drejt bojkotit.

Duke qenë se humbja në zgjedhjet e radhës i duket shumë e prekshme, Basha ka zgjedhur t’i ikë garës dhe të rrijë në një opozitë afatgjatë, duke mos u ballafaquar me elektoratin. Për këtë i duhen garanci nga PD, që mund ta ndjekë pas.
Së pari, e ka me kundërshtarët e vet brenda partisë. Ata jo vetëm që ia kanë kundërshtuar qeverinë teknike si opsion, por e kanë paralajmëruar të mos flasë më për bojkot të zgjedhjeve, pasi dëshpëron elektoratin.

Në profilin e tij, Basha është një lider dëshpërues, pasi në çdo aksion politik të tij, ka folur me tone ekstreme dhe pastaj ka pranuar çdo lloj humbjeje. Që nga vitit 2013, ai ka lëpirë çdo gjë që ka pështyrë, që nga reforma administrative dhe bojkoti i zgjedhjeve, deri tek kundërshtimi i reformës në drejtësi së fundmi.

Problemi i tij real tani është se si duhet të garantojë veten e vet pas zgjedhjeve të vitit 2017, dhe rruga më e lehtë është dhe ideja më foshnjore që ai ka për politikën:
Të bëjë thirrje për protesta dhe revolta dhe të mos shkojë në zgjedhje!
Nuk jam kundër sikur populli ta dëgjojë dhe të ngrihet në revolucion pas tij. Nëse shqiptarët janë në atë gjendje emocionale, sa mezi po presin t’i udhëheqë Lulzim Basha drejt një revolucioni dhe përmbysjeje, le ta bëjë.

Problemi i Bashës është se ai ka tjetër popull në mendje nga ky që kemi ne, dhe populli jonë ka tjetër lider në mendje, nga ky që është Basha.
Kështu që përsëritja e thirrjeve të tij për revolta dhe përmbysje, mbaron shpejt dhe do të ndeshet me përbetimin e tij për mungesën e qeverisë teknike.
Pas janarit deputetët e PD, do të duan të dinë a janë në lista apo jo, ku janë dhe ku do garojnë, dhe jo si do bojkotojnë zgjedhjet. Nëse Basha do përpiqet të mbajë këtë devizë deri para fushatës, ai rrezikon të çajë PD-në në atë mënyrë që askush nuk ka mundur ta ndajë deri më sot, duke e dëshpëruar dhe duke e futur në zgjedhje me fraksione .
Jam i sigurt që as kjo nuk do të ndodhë, pasi Basha si gjithnjë nuk do t’u përmbahet përbetimeve të tij. Do të vijnë zgjedhjet, do ulë kokën, do të futet në zgjedhje, do bërtasë “fitore”, “fitore” nja dy orë, pastaj do nxjerrë Kaçin ta analizojë si fitore humbjen, dhe do mbyllet në zyrë në SHQUP.
Se çfarë do bëjë aty pastaj, është tjetër çështje. Ky është në fakt dhe makthi i tij kryesor, që e detyron të përbetohet për qeveri teknike./gazetatema.net

Lini një koment