
Nga Sokrat NDREÇKA…
Jemi në shekullin e demokracisë, në kohën që të gjithë e duan paqen, lirinë, shtetin e së drejtës, jemi në kohën e duhur kur të gjithë i kanë shpallur luftë korrupsionit dhe vjedhjes tradicionale dhe moderne. Të gjithë janë ngritur në këmbë për të patur si yll polar ligjin, i cili duhet t’i mbrojë të gjithë nga shkatërrimi, nga shpërbërja, falimentimi. Këtë e kërkon jeta, normaliteti. Të gjithë qëndrojnë zgjuar për t`u mbrojtur nga tragjeditë, që shfaqen si rrufe në ditë me diell. Tragjedi që kanë një emër, që kanë autorë, që kanë një argument. Informacionet flasin se ky është një realitet dhe nuk mund të mbulohet.
Jemi në shekullin kur disa kanë llogari bankare të pamenduar kurrë, deri në çmenduri, ka njerëz që kanë asete të pallogaritshme, të nivelit sheik dhe vazhdojnë të pasurohen dita-ditës. Ata dallohen lehtësisht. Të gjithë janë të dukshëm sepse shëtisin me makina të prodhimit të fundit me xhama të padepërtueshëm nga plumbi. Ka shumë prej sheikëve shqiptarë që dalin jashtë shtetit sa herë duan, madje kafen e mëngjesit e pijnë tek kulla EJFEL në Paris, dreka i zë në Tiranë, ndërsa darka nëpër vende ekzotike, të cilat i kanë për zemër, pasi atje i presin dashuritë e tyre si në parajsën e përditshme. E them me bindje se dhe zoti do ta kishte zili një parajsë të tillë. Ky lloj produkti i ardhur përmes “punës së ndershme”, ekstrem për nga jeta mondane, nuk lejojnë të “skanohen” nga drejtësia, sepse me drejtësinë kanë marrëdhënie të vjetra dhe nuk mund ti cënojë askush nga privacia e tyre. Ata kanë ndërtuar kështjella brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, shtet që u siguron dinjitet, personalitet, sovranitet, i bën të “reflektojnë” gjithë mirësitë që u ka dhuruar jeta dhe fati.
Ka një absurditet të çuditshëm tek ne: të gjithë këta syresh të “persekutuar nga sistemi i kaluar” flasin se e duan demokracinë, madje me zë më të lartë flasin pushtetarë, parlamentarë, ministra, ish ministra, ish shefa shteti, ambasadorë, biznesmenë, afaristë, sekserë. Dhe bëjnë mirë që shfaqen në terrenin konkret të gjërave me fjalorin e tyre dhelparak. Por ky fjalor është thjeshtë fasadë, fasadë e shëmtuar, është maska me të cilën duan të spekulojnë. Kujt i qahen këta qerratenj? Kujt ia tregojnë “dhimbjen” e shpirtit, kujt i tregojnë lotët e krokodilit? Votuesve të tyre? Zgjedhësve, të cilët po fukarosen përditë e më shumë? Cili është armiku me të cilin po luftojnë këta pashallarë dhe ankohen se demokracia është në rrezik? Nga kjo luftë, dihet se kush janë të fituar dhe kush janë të humbur.
Ka edhe një kategori, një grupim tjetër shoqëror, i cili jeton në demokracinë e shumëdashur. Për fatin e tyre të keq janë të privuar nga e drejta për ta shijuar demokracinë në gjithë përmasat e saj, në gjithë dimensionet që ua jep liria, e drejta për të patur të liri të barabartë me të tjerët. Por nuk ndodh kështu. Për të vobektët bota është mashtrim i madh, është gënjeshtër e madh. Këta njerëz detyrohen, dhunohen dhe nuk e njohin jetën në normalitet, nuk u jepet e drejta të provojnë apo shohin bukuritë e ëndrrës që na u premtua ditën e parë të lirisë, në vitin 1992. Kjo kategori njerëzish kërkon me ngulm të çlirohen nga dhuna, janë poshtëruar në emër të ligjit, janë ndaluar të ngrenë zërin, të shprehen lirshëm, të shfaqin ankesat, padrejtësitë, vjedhjet, rrëmbimet e pasurive, pronave. Kështu nuk i linin në kohën e diktaturës, kështu po ndodh edhe sot në demokraci. Dhe çfarë kërkesa kanë këta njerëz fatkeqë? Kërkojnë të drejta si shtetas të këtij vendi, si qytetar në truallin e vet. Kërkojnë të largohen nga kriza ekonomike që u rri si mal në shpinë për të jetuar, për të jetuar si njerëz të kësaj bote të mallkuar, duan të largohen nga gremina ku janë e ndodhen për të jetuar dhe asgjë më shumë! Këta duan paqe, liri, vëllazëri në token e të parëve të tyre.
Ka një thënie brilante gazetari amerikan Ëilliam Allen Ëhite i cili shprehet: “Paqja pa drejtësi është thjeshtë tirani”. Tirania në demokraci është shumë herë më rraskapitëse se në diktaturë. Ndoshta do jemi me fat që reforma në drejtësi do mund ta shkatërrojë tiraninë, me të cilën po përballemi çdo ditë dhe po na ndjek këmba-këmbës si epidemi e rëndë.