Nga Habjon Hasani
Mesazhi i qartë për kompromis politik që dha dje në Tiranë zv/Sekretarja e Shtetit Victoria Nuland, ishte një surprizë për të gjithë.
Nuland e bëri këtë deklaratë ndërsa terreni në Tiranë ishte përgatitur për një tjetër skemë, për një tjetër lojë.
Vetëm një javë para vizitës së Nuland në Tiranë, ambasadori amerikan Donald Lu, drejtoi gishtin e përgjegjësisë për bllokimin e reformës tek Lulzim Basha dhe nisi serialin e kafeve me Majlinda Bregun, duke lobuar ai personalisht kapjen ‘kokërr më kokërr’ të votave rebele brenda opozitës.
Rama nga ana e tij postonte ‘selfie’ me Obamën nga SHBA-ja, ndërsa llozha e tij mediatike e interpretonte këtë foto nën moton: “Prisni prisni, se do vijë Nulandi e do ja tregojë qejfin Bashës”.
Aq fortë u theksua teza e mbështetjes amerikane për projektin e Edi Ramës për reformën, sa Fatmir Xhafaj i përfshirë nga entuziazmi, deklaroi se zv.Presidenti amerikan Joe Biden, mund të anulonte vizitën e parashikuar në Gusht nëse reforma do dështonte. Një deklaratë e paprecedent, një koktejl i rrallë i idiotësisë së shartuar me ekstravagancë.
Dukej sikur i gjithë Uashingtoni, sikur e gjithë Perandoria Amerikane, nuk po dinte si t’ia gjente anën Lulzim Bashës për ta votuar këtë reformë.
Ambasadori amerikan dy herë radhazi e poshtëroi në deklarata publike Lulzim Bashën, ai jo vetëm e përcaktoi qartësisht kupolën politike të opozitës si ‘delen e zezë’, po shkoi dhe më tej, nisi tentativat për ta përçarë opozitën, për të kapur vota individuale.
Nisur nga kjo klimë kaq e njëanshme, ishte krijuar ideja sikur Nuland do vinte në Tiranë vetëm sa për t’i dhënë dërmën përfundimtare Lulzim Bashës dhe opozitës, duke i shpallur si armiq të reformës dhe të Shteteve të Bashkuara.
Por e papritura ndodhi, ajo që askush nuk e kishte parashikuar dot. Nuland erdhi dhe foli për kompromis politik, madje solli dhe një platformë të gatshme kompromisi, platformë e cila nxirrte ‘off-side’ gjithë lojën politike të deritanishme të ambasadorit Lu, vartësit të saj.
Kur shpalli platformën e kompromisit në Tiranë, znj.Nuland deklaroi se kjo ishte një platformë e përgatitur nga zyra e ambasadës, nga ambasadori Lu si dhe nga ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.
Përtej kujdesit diplomatik që tregoi znj.Nuland, është pak e vështirë të besosh se Donald Lu ka patur kohë të përgatisë ndonjë platformë, ndërsa pinte kafe me Majlinda Bregun, ndërsa lobonte deputetë të opozitës dhe ndërsa ishte shprehur pa ekuivok, se zgjidhja duhej të ishte e njëanshme dhe se shanset e Lulzim Bashës për kompromis kishin marrë fund.
Po atëherë çfarë ka ndodhur?
Për gjithë këto muaj ambasadori Donald Lu, ka vepruar ‘me kokën e vet’? Ka goditur fort opozitën dhe ka mbështetur po aq fort projektin e Edi Ramës pa dijeninë e shefes së tij Nuland?
Kjo është e pamundur. Donald Lu është vartës i saj, ka zero shanse të bëjë me kokë të vet, e kundërta është e vërtetë: ka qenë pikërisht Nuland që e ka orientuar Lu-në të tregohet aq i njëanshëm duke i ofruar gjithë besimin e saj.
Por ndërsa ambasadori i Shqipërisë së vogël ka besuar me ‘gjithë shpirt’ orientimet e qarta që i kanë ardhur deri më sot, Victoria Nuland si lojtare e gjeopolitikës së madhe, e ka ditur shumë mirë se ku do shkonte.
Ajo e ka përdorur Donald Lu-në, që ky të agravonte në maksimum situatën dhe ndasinë në Tiranë, të përgatiste terrenin e një konflikti sa më të ashpër, që më pas ajo, shefja e tij, të zbriste në Tiranë si triumfatore dhe të paraqitej si një autoritet i pjekur, largpamëse, e mençur, stratege mbi palët që ofronte zgjidhjet e duhura në momentin e duhur.
Dhe ja ku jemi, femra e hekurt e gjeopolitikës amerikane, e cila synon të jetë Ministrja e Jashtme e Perandorisë në katër vjeçarin e ardhshëm, po spikat sërish, po jep një zgjidhje surprizë edhe në Shqipëri.
Ja pra ku jemi, zonja Nuland nuk ndalet duke zgjidhur krizat në vendet e Evropës Juglindore, tashmë i dha drejtim dhe krizës shqiptare. Një tjetër arritje për ambicien politike të kësaj lojtareje të shkathët.
Madje një arritje, pa shumë kosto. Sepse e vetmja kosto, ishte diskretitimi publik i Donald Lu-së, vartësi i saj, i cili u përdor për një lojë më të madhe.
Por ndoshta as ai nuk ja ka marrë për ters shefes së tij Nuland. Fundja diçka e arriti, një kafe me Majlinda Bregun nuk është pak. / HashtagAL
