Kategori
Uncategorized

Nga ndryshimet në qeveri, te largimi i Ramës dhe mocionet në Kuvend, ja çfarë pritet të ndodhë pas 21 korrikut, vendi në krizë politike.

Nga ndryshimet në qeveri, te largimi i Ramës dhe mocionet në Kuvend, ja çfarë pritet të ndodhë pas 21 korrikut, vendi në krizë politike

Politika shqiptare shumë shpejt pritet të mbërthehet nga një krizë e fortë politike. 21 korriku, përveçse do jetë dita kur politika do dëshmojë se sa e do reformën në drejtësi, do të jetë dhe dita që do vendosë fatin e politikës shqiptare. Teksa dhe shumë pak ditë kanë mbetur nga 21 korriku, palët janë ende me qëndrime shumë të ndara dhe me shumë gjasa reforma në drejtësi nuk do të miratohet. PD këmbëngul te qëndrimet e saj, ndërsa PS nuk lëshon pe. Nga ana tjetër, LSI kërkon një reformë me konsensus. Praktikisht, palët janë të përçara dhe me shumë gjasa reforma do dështojë. Por pyetja që lind është se çfarë do të ndodhë pas 21 korrikut nëse vërtet do të ndodhë kështu? Ajo që dihet me siguri është se marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës nuk janë më si dikur dhe koalicioni është në ditët e tij më të këqija.

Të enjten që lamë pas, ata kanë pasur një takim shumë të tensionuar mes tyre dhe po përflitet për disa skenarë që do të ndodhin. Ajo që po diskutohet më së shumti janë zgjedhjet e parakohshme, përmes mocionit të besimit. Rama pritet që të kërkojë mocion besimi në Kuvend dhe deputetët do e rrëzojnë, duke e çuar automatikisht vendin në zgjedhje të parakohshme. Ditët e fundit është paralajmëruar shumë një gjë e tillë, kjo edhe nga vetë Rama dje. Një tjetër rrugë është dhe ajo e krijimit të një qeverie teknike. PD nuk pranon zgjedhje me këtë qeveri dhe shihet e arsyeshme që të krijohej një qeveri me përfaqësi nga të gjithë palët, përfshirë dhe shoqërinë civile, në mënyrë që të bëhet përgatitja e zgjedhjeve, të cilat me shumë gjasa mund të mbahen në vjeshtë.

Mocioni i mosbesimit dhe largimi i Ramës

Teksa Rama mund të përdorë atë që i lejon Kushtetuta, pra mocionin e besimit, mund të ndodhë që LSI dhe PD të bashkojë votat dhe ta miratojnë duke mos e lejuar që të shkojë vendi direkt në zgjedhje, por kjo qeveri të rrijë deri në vjeshtë. Më pas, një grup deputetësh mund të paraqesin një mocion mosbesimi dhe nëse ai votohet, atëherë ata zgjedhin një kryeministër të ri. Pra, praktikisht përjashtohet Rama nga qeveria dhe emërohet dikush tjetër nga vetë forcat që miratojnë mocionin e mosbesimit. Sipas burimeve, Rama i trembet fort një gjëje të tillë. Por mund të ndodhë që Rama të largohet edhe pa mocion mosbesimi. Flitet se ai mund t’ia japë qeverinë Ilir Metës dhe vendos të dorëhiqet.

Ndryshime në qeveri

Një tjetër skenar që pritet të ndodhë pas 21 korrikut është ndryshimi drastik i qeverisë. Mësohet se brenda koalicionit ka përplasje të forta mes palëve, jo vetëm për reformën. LSI nuk tërhiqet nga deklaratat e saj se duhet konsensus, teksa duket se është e pakënaqur me qeverinë. Për këtë arsye nëse nuk ka zgjedhje, pritet që pas 21 korrikut Rama të largojë një sërë ministrash duke filluar nga Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, etj. Deri më tani kanë qenë një sërë sektorësh problematikë dhe që janë përfshirë në skandale, e për këtë arsye Rama ndoshta do të vendosë që të rifreskojë stafin e tij. Pra situata është e tillë që gjithçka varet nga Ilir Meta. Që të pestë skenarët i ka në dorë LSI dhe prej saj varet dhe situata politike e vendit, e cila me shumë gjasa do kalojë një krizë shumë të fortë.

Kliti Topalli.

Lini një koment