Kategori
Uncategorized

Pse Rama është i rrezikshëm për median, aq sa Berisha dikur?


Pse Rama është i rrezikshëm  për median, aqsa Berisha dikur?

Edi Rama e njeh pushtetin e medias, aqsa nuk fle gjumë nëse dikush nga media e trazon.

Ai gënjen kur thotë se nuk i lexoj gazetat. I lexon, bile pa pirë kafen e mëngjezit. Ndjek televizionet ose më saktë ka Endri Fugën që i raporton për çdo lajm që nuk i pëlqen. Por janë të paktë, tashmë, ata që ia prishin humorin.

Ka kapluar mbi 80 përqind të medias në vend  dhe si mjeshtër që është ka hedhur tentakulat për tu paraqitur në mediat ndërkombëtare si lider transformues në Shqipëri. Dhe po punon mirë me mediat ndërkombëtare; shkruan si editorialist në disa prej tyre, paguan në disa të tjera, kap lajmin botëror si nuhatës që është dhe duke e njohur rolin e medias lidhet vetë edhe si “korrespodent” vetëm që të dalë si emër-lajm.

Mjeshtërisht në përfeksion e luan këtë rol. Edi Rama ndryshon nga Berisha i I-rë (1992-1997) pasi di të shkruajë dhe mashtrojë bukur, sidomos kur shkruan për mediat e huaja. Mediat vendase nuk i begenis më, pasi në shumicë i ka blerë në interesa.

E keqja e rrezikshme mbetet se Edi Rama tani është kryeministër dhe ka futur shumë pushtete në duar.

Pushtetin ekzekutiv dhe ekonomik e ka në xhep dhe bën si të dojë.

Pushtetin e medias e ka lidhur me njëmijë fije e zinxhir interesash, sa nuk bëzan njeri. Me përjashtime të vogla ndonjë gazetë apo tek-tuk ndonjë lajm apo emision televiziv e acaron, por në masën dërmuese i ka nën kontroll. Dy televizionet kombëtare dhe RTV Publik i mirëkontrollon në interesa private. Gazetat në shumicë kanë pas tyre botues, të cilët duan apo nuk duan, kanë punë me kryeministrin, tatimet, doganat, leje ndërtimi, etj.  Mediat sociale  dhe disa ëeb-e online profesionaliste akoma nuk i ka futur në dorë, ndonëse po ushtron makinerinë e tij të pushtetit absolut për t’i kontrolluar me sms!

Realisht Edi Rama është kthyer pothuaj si Berisha i I-rë i viteve 1992-1997, porse tashmë jemi në një kohë zhvillimi digjital.

Është kohë tjetër kjo nga ajo e viteve të para të demokracisë.

Por duke e ditur rolin e medias si pushtet i katërt në një demokraci Rama-kryeministër po e asfikson këtë rol.

Nga vetë njeri i medias, dikur, po kthehet në një uzurpues i medias. Tashmë me një marifet edvist kërkon të fus në dorë edhe pushtetin e drejtësisë. Më pas e di vetë Edi se si e kthen pushtetin !

E kemi thënë disa herë se Rama nën hijen e reformave, po  keqpërdor disa pushtete,pra duhet të jemi vigjilent, për arësye se nën petkun e “njeriut reformator” ai po kthehet  në një uzurpator lirishë.

Dhe hajde e hiqe më !

Prandaj ka nevojë që shoqëria civile, media e cila ka mbetur e pakapur, politika, ndërkombëtarët të shikojnë përtej petkut që Rama vesh bukur, duke e lyer me fjalime brilante, sepse nesër do të jetë vonë. Për të gjithë.

Ambasadori amerikan Donald Lu, i cili rropatet dhe iu grisën 10 palë këpucë duke bredhur nëpër selitë e partive për vota reforme, duhet që përveç aktit që bëri për ligjin e dekriminalizimit në politikë të insistojë deri në hartimin e një ligji dekriminalizimi edhe për median.

Të shikohet se si i kaën vënë pasuritë sejcili dhe sejcila në botën e medias. Dhe nëse ka, që natyrisht ka, kushdo të dalë para ligjit siç po vepron ligji i dekriminalizimit në politikë.

Nëse Donald Lu hesht në këtë pikë atëhere kemi të drejtë ta akuzojmë siç thotë analisti i mirënjohur Fatos Lubonja se Ambasadori Amerikan Lu po punon për interesa të “sheikut Rama”.

S.Prulli.

Lini një koment