
Nga Dr. Albano ZHAPAJ
“Sheqeri nga lart, e zeheri nga poshtë”, – thotë një fjalë e urtë popullore. Kush e ka parë filmin “Gjeneral Gramafoni”, me artistin e madh Kadri Roshi, me siguri e kujton episodin kur në lokalin e xha Brahos, orkestrantët popullorë, miqtë e Halit Beratit, po dëgjonin gramafonin me pllakën e muzikës popullore që ku i fundit kishte bërë në Radio Korça, me sponsorizim të italianëve. Mbasi mbaroi kënga popullore shqiptare e Xhixhilesë, dikush ktheu pllakën e gramafonit nga krahu tjetër dhe paritur dëgjohet muzikë italiane, e atyre viteve, kuptohet, në vend të asaj shqiptare.
Është tepër mbresëlënëse skena kur aktori Kadri Roshi, në rolin e Parandilit, sapo fillon muzika e huaj, e incizuar nga ana e pasme e pllakës së gramafonit, i habitur nga kjo e papritur, dhe i acaruar thotë: “Ç`është ky marifet, more djem? Mbas këngëve tona, na paskan ngjitur edhe ca këngë nga të tyre.”
Më së fundmi u zbulua se me ndryshimet në Kushtetutë, do të futen edhe martesat e personave me të njëjtën gjini, ose siç përdoret gjerësisht në media dhe rrjetet sociale, martesat gay. Reforma e shumëpërfolur e drejtësisë, si e shumë kërkuar nga poshtë, dmth nga sovrani, paska pasur brenda saj edhe këtë hile, që me sa duket i paska shpëtuar syrit të sovranit.
Si pjesëtar i asaj pjese të madhe të shoqërisë, që kërkojnë me ngulm miratimin e Reformës në Drejtësi, kur dëgjova se “ustallarët e huaj”, mes “këngëve tona” kishin futur edhe ca “këngë nga të tyret”, mu kujtua menjëherë ky episod i filmit dhe shprehja e xha Parandilit (Kadri Roshit), që në thelb nënkupton se mes “sheqerit nga sipër”, paska pasur edhe ca “zeher nga poshtë”.
Ruajtja dhe mbrojtja e institucionit të familjes
Institucioni i martesës mes burrit dhe gruas është themeli i shoqërisë sonë. Suksesi i tij si institucion, ka përcaktuar dhe do të përcaktojë suksesin tonë si komb. Kjo është provuar si nga përvoja dhe studimet e pafund të shkencave sociale që martesa tradicionale është më e mirë për fëmijët. Fëmijët që rriten në familje të martuara kanë më shumë gjasa për të studiuar në universitete, janë fizikisht dhe emocionalisht më të shëndetshëm, kanë më pak të ngjarë të përdorin drogë ose alkool, të angazhohen në krim, ose të kenë shtatzëni jashtë martesës. Suksesi i martesës ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike të individëve.
Martesat brenda të njëjtës gjini, përbëjnë padyshim për shoqërinë tonë, një kërcënim serioz, jo vetëm për vlerat dhe traditën e vendit tonë, por do të sjellë një tronditje nga themeli të shoqërisë shqiptare, pasi do të sjellë edhe një ri përkufizim të konceptit të martesës.
Kjo është më shumë se një çështje konceptesh ligjore dhe idesh, kjo është një sulm mbi themelet e shoqërisë sonë, e cila sfidon institucionin e martesës, të cilit, për mijëra vjet në pothuajse çdo qytetërim, familjes me “nënë e babë” i është besuar rritja e fëmijëve dhe transmetimi i vlerave dhe trashëgimisë kulturore.
Familja tradicionale e bazuar mbi martesën e burrit me gruan, dhe e bekuar nga Zoti, është një nga vlerat themelore të shoqërisë shqiptare. Familja ka qene dhe mbetet embrioni i organizmit shoqëror për njerëzimin dhe si e tille duhet konservuar si një vlere e virtyt i patjetërsueshëm dhe i pa kopjueshëm nga modele të tjera të bashkëjetesës në shoqëri.
Familja është bërthama e qytetërimit dhe njësia themelore sociale e shoqërisë. Studimet tregojnë qartë se institucioni i familjes është forma e parë e komunitetit dhe qeverisë. Në qoftë se ne kemi familje të fortë, ne do të kemi shkolla të forta, institucione të forta, dhe komunitete më të forta, më pak varfëri dhe më pak krim.
Familja tradicionale dhe prindërit tanë, nëna dhe babai, janë padyshim dashuria dhe përgjegjësia jonë, dhe si të tillë duhet ta shtyjmë këtë përgjegjësi në brezat që vijnë, dhe jo ta shkatërrojmë, ta transformojmë, e ta tjetërsojmë, për asnjë arsye në botë. Familja e “nënës dhe babës” janë ata që në shekuj na kanë sjellë këtu ku jemi, me këtë identitet e me këto vlera, ata dje, si ne sot, sakrifikuan çdo gjë, çdo moment të jetës së tyre për ne, ata na dha jetën dhe dashurinë e pakushtëzuar. Dhe ne u dhamë atyre thinja pafund. Dinjiteti dhe lumturia e “nënës dhe babës”, pra familjes, është detyrimi dhe dashuria jonë.
Ofendim i emigrimit pothuaj 26 vjeçar të shqiptarëve, dhe ëndrrës së tyre evropiane
Nuk ka familje në shqëipëri, që në formë direkte apo indirekte të mos jetë prekur nga fenomeni i emigracionit, qysh nga viti 1990, ku ata vetë, vëllezërit dhe motrat e tyre në emigracion, kanë punuar e luftuar çdo ditë për të ndihmuar familjet e tyre në Shqipëri.
Dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin, dashuria dhe respekti për më të moshuarit, mbajtja e familjes së bashku, sakrifica për të respektuar rrënjët tona dhe traditat, sakrifica për edukimin e fëmijëve tanë ka qenë gjithmonë pjesë e jetës tonë të përditshme.
Liberalizimi i vizave me bashkimin Evropian i dha kuptim dhe dimension të ri përpjekjeve të shqiptarëve për të pasur një familje të bashkuar, si dhe jetës sonë si evropianë. U ribashkuan mijëra familje të ndara prej 20 vjetësh, vëllezërit dhe motrat, prindërit dhe fëmijët që jetonin larg për një kohë të gjatë, pa pasur një mundësi për të udhëtuar dhe për të takuar njëri-tjetrin, gjyshërit dhe gjyshet të cilët nuk ishin në gjendje të shihnin nipërit e mbesat e tyre kur ata lindnin.
Historia e emigrantëve shqiptarë dhe përpjekjet e tyre që ta shihnin një ditë shqipërinë ashtu siç e kishin ëndërruar, është padyshim dëshmitarja më besnike ndaj të vërtetave evidente, e asaj për të drejtën për jetën, për familjen, për fëmijët e lindur dhe rritur nga “nënë e babë”, të cilët kanë të drejtën e patjetërsueshme të jetës dhe vazhdimësisë së saj në martesën “burrë e grua”, që nuk mund të cënohet, asnjëherë dhe nga askush, sot e mot, pa arsye legjitime.
Shqiptarët njohin dhe nderojnë përpjekjet kurajoze të atyre që mbajnë barrën si prindër të vetëm, për arsye objektive apo subjektive, ashtu si besojmë se martesa tradicionale, e cila rrjedh si vullnet nga Zoti nga bashkimi i një burri dhe një gruaje, dhe që sot më shumë se kurrë duhet të mbështetet si standard kombëtar, si një qëllim i qëndrueshëm, dhe të promovohet përmes ligjeve që rregullojnë martesën. Mbrojtja e familjes së “nënës dhe babës”, si bërthama themelore e shoqërisë sonë shqiptare, është dhe duhet të mbetet në qendër të konceptimit tonë për vendin.
Në Evropë si shqiptarë dhe jo si imitim i dikujt tjetër
Kushdo e di fort mirë se slogani i Bashkimit të vendeve Evropiane është “Të bashkuar në diversitet”, çka është fort e qartë dhe nuk lë hapësira për keqkuptime apo keqinterpretime. Popujt evropianë janë bashkuar në një, por duke ruajtur secili vlerat dhe traditat e veta.
Kushdo që kërkon ta shesë ndryshimin me kushtetutë të kuptimit të institucionit të familjes, si një parakusht për hyrjen në Bashkimin Evropian, mashtron dhe mashtron rëndë. Evropa nuk ka nevojë të pranojë në gjirin e vet popuj që imitojnë popuj të tjerë, apo popuj që braktisin vlerat e tyre tradicionale për të huazuar ato të popujve të tjerë, pasi sipas kësaj llogjike, kush popull tradhton vlerat e veta, e ka akoma më të lehtë të tradhëtojë vlerat e kopjuara.
Familja tradicionale shqiptare, ajo e “nënës dhe babës”, ajo familje që bën sakrifica për të respektuar rrënjët dhe traditat shqiptare, ajo familje që bën sakrifica për edukimin e fëmijëve, nuk mund të ndryshojë për vullnet të “ustallarëve të ligjeve”, qofshin të vendit apo të huaj, është mirë që përpara se të ndërmarrin një marrëzi të tillë, të dëgjojnë zërin e këtij populli, skalitur në këngë, se: …”këtu që përpara hënës…. gur i babës dhe i nënës/ dhe loton, dhe ia merr këngës….këtu dega i ngjan rrënjës; Këtu besa dhe betimi…. trimëria dhe guximi/ këtu i pari çlirimi….ku pi foshnja qumësht gjiri.”
Më qartë se kaq s`ka çtë flasë ky popull, o miq.