Në 4 muajt e parë, qeveria e Edi Ramës ka arritur të krijojë 1.38 miliardë lekë ose afro 10 milionë USD detyrime të papaguara. Megjithëse pati premtuar se historia e qeverisjes së Sali Berishës me borxhet ndaj biznesit nuk do të përsëritej gjatë qeverisjes së tij, faktet tregojnë se në të vërtetë ka ndodhur krejt e kundërta. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për listën e institucioneve që kanë detyrime, konstatohet se nga këto, 560 milionë lekë janë detyrime që kanë lindur nga vendimet gjyqësore dhe 822 milionë detyrime të tjera. Konkretisht, Ministria e Transportit ka detyrime nga vendimet gjyqësore në masën 146 milionë lekë; Ministria e Arsimit dhe Sportit 8.3 milionë lekë; Ministria e Drejtësisë 93.7 milionë lekë; Ministria e Shëndetësisë 30.7 milionë lekë; Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes 248 milionë lekë; Ministria e Financave 3.9 milionë lekë; Ministria e Kulturës 1.2 milionë lekë; Ministria e Mjedisit 27.2 milionë lekë; Ministria e Integrimit Europian 1.1 milionë lekë. Një pjesë e mirë e vendimeve kanë të bëjnë me largimet nga puna të punonjësve të administratës.
Kontrolli
Megjithëse qeveria jo vetëm i ka monitoruar detyrimet e prapambetura, por madje ka vendosur dhe një mekanizëm kontrolli i cili është në thesar, sërish borxhet e reja janë një fakt që megjithëse kanë tronditur dhe ndërkombëtarët, në vend që të reduktohen sa vijnë e shtohen. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave, Geraldina Prodani pohoi pak ditë më parë në një studio televizive se vlera e detyrimeve të papaguara që ka krijuar qeveria, deri më tani ka arritur në 2.3 miliardë lekë, ose afro 20 milionë USD. Prodani sqaroi se nga këto, 1 miliard janë vendime gjyqësore dhe 1.3 miliard janë punë të kryera të progresuara nga investitorët të cilat do të rialokohen me buxhetin e rishikuar të këtij viti. “Këto detyrime janë detyrime kundrejt … domethënë, biznesmeni duke qenë se e ka makinerinë në rrugë, ai vazhdon progreson pavarësisht se është një punë e kryer, e cila mund të jetë jashtë planit. Është një risk që ai e ndërmerr vetë. Përsa i takon pushtetit vendor, po është e vërtetë që pushteti vendor me reformën e re është gjendur në të njëjtin kolaps që u gjend, ka trashëguara detyrime të prapambetura. Ne po i monitorojmë”, është shprehur Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave.
FMN zbardhi skandalin
Ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar ai që pak ditë më parë zbardhi skandalin e qeverisë me krijimin e borxheve të reja. Shefja e misionit të FMN për Shqipërinë, Anita Tuladhar, në një konferencë të përbashkët me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko si dhe ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, lëshoi “bombën” që nuk pritej. “Rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në qeverisjen qendrore, kryesisht në projektet e investimeve publike, paraqet një sfidë kryesore. Qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve të reja të prapambetura dhe për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve”, apeloi Tuladhar. Alarmi i saj të kujton kohën kur qeveriste Sali Berisha, i cili për 8 vite pushtet la një borxh kolosal për shërbime dhe investime të papaguara në vlerën 72.6 miliardë lekë. I gjithë borxhi u shlye në 2 vite e gjysmë qeverisje të Ramës por kjo mesa duket nuk ka shërbyer si reflektim për shmangien e një politike të tillë diskriminuese por dhe shkatërrimtare për ekonominë.