Ndarja absurde e territorit që zvogëlon rëndësinë e votës. Numri i organeve të qeverisjes vendore në qarqet
e jugut të vendit është më i lartë se në ato të qendrës apo të veriut të vendit pavarësisht numrit të popullsisë
Absurditeti më i madh i reformës territoriale të hartuar nga Rama-Meta qëndron në ndarjen e pabarabartë të qeverisjes vendore. Edhe pse rindarja është bërë me të njëjtat kritere në të gjithë Shqipërinë, numri i organeve të qeverisjes vendore në qarqet e jugut të vendit është më i lartë se në ato të qendrës apo të veriut të vendit.
—Kështu, në jug të Shqipërisë do të funksionojnë 31 kryetarë dhe 31 këshilla bashkie, ndërsa qendra dhe veriu i Shqipërisë do të kenë së bashku 30 kryetarë dhe 30 këshilla bashkie.
—Po kështu, Qarku i Tiranës do të ketë 5 njësi, ai i Durrësit vetëm 3, ndërsa ai i Gjirokastrës do të ketë 7 të tilla, edhe pse shumë më i vogël si popullsi se Durrësi dhe shumë herë më i vogël se Qarku i Tiranës.
—Kjo sjell një pabarazi të madhe jo vetëm në raport me kryetarët e bashkive, por mbi të gjitha në raport me këshillat dhe raportin këshilltar/banorë midis këtyre këshillave.
—Bazuar në formulën e parashikuar nga Ligji 8652/2000 për numrin e këshilltarëve në bazë të popullsisë, raporti është plotësisht i deformuar. Kjo cenon rëndë barazinë e përfaqësimit, për rrjedhojë peshën e votës.
Eshtë thyer parimi kushtetues i barazisë së votës.
—Kështu, në bashkitë e vogla, një këshilltar do të përfaqësojë më pak banorë sesa në njësi të mëdha si Durrësi, Elbasani, Shkodra, etj., dhe shumë herë më pak se një këshilltar i Bashkisë së Tiranës.
— Kështu vota për këshillin bashkiak e një zgjedhësi në Tiranë ka vlerë disa herë më të vogël se vota e një zgjedhësi në Roskovec. Nga ana tjetër, Durrësi dhe bashki të tjera të reja, bazuar në kriterin kushtetues të shtetasve dhe jo të Censusit 2011, e kanë kaluar fashën e parafundit prej 100.000–200.000 banorësh, të cilës i përket një këshill me 45 anëtarë.
Pra, qytetarët e Durrësit janë të nënpërfaqësuar në raport me qytetarët e njësive që janë pak mbi 100.000 banorë dhe kanë po ashtu si Durrësi 45 këshilltarë për t’i përfaqësuar. Nga ana tjetër, banorët e bashkisë së re të Tiranës, përveç një shtrirjeje shumë të madhe gjeografike që cenon subsidiaritetin, janë edhe më shumë të nënpërfaqësuar, sepse numri 55 i anëtarëve të këshillit është krejtësisht jopërfaqësues për popullsinë e madhe të Bashkisë së re të Tiranës, sidomos në krahasim me njësitë e tjera. Kjo është një formë e dukshme dhe e rëndë e gjeometrisë aktive zgjedhore dhe cenon rëndë parimin e barazisë së votës.
Po kështu, ndarja e miratuar me ligjin e ri ka aplikuar edhe fenomenin tjetër negativ, atë të “gerrymandering”. Shembull flagrant për këtë është Bashkia e Shkodrës. Në të njëjtën situatë është edhe Bashkia e re e Tiranës. Territori i saj është shtrirë duke përmbledhur sa më shumë njësi të favorshme për mazhorancën në pushtet, përfshirë ish-Komunën e Shëngjergjit pas malit të Dajtit në mënyrë që të sigurohet një rezultat i qëndrueshëm zgjedhor në favor të mazhorancës parlamentare që ka miratuar këtë ligj. Për më tepër, bashkisë së re i është bashkuar edhe ish-Komuna e Zall-Herrit. Kjo komunë nuk ka lidhje tokësore të drejtpërdrejtë me Bashkinë aktuale të Tiranës dhe mund të bashkohet me to vetëm nëpërmjet Bashkisë së Kamzës, Komunës së Paskuqanit ose asaj të Dajtit. Nga analiza e materialeve të përdorura për miratimin e ligjit të ri të ndarjes territoriale-administrative, rezulton se kriteri i përdorur për rishikimin e kufijve, përcaktimin e kritereve demografike dhe ekonomike të eficencës së njësive të reja të vetëqeverisjes, është përdorur kriteri i popullsisë rezidente të përpunuar nga legjislacioni për Censusin e popullsisë të vitit 2011. Ky kriter është plotësisht në kundërshtim me Kushtetutën. Të gjithë shqiptarët, nga Veriu në Jug të vendit kundërshtuan prej muajsh të tërë hartën elektorale Rama-Meta.