Brenda një dite ndaj kryeministrit Edi Rama kanë zbarkuar nga përtej Atlantikut dy goditje të forta. E para është një shkrim në gazetën “Washington Time”, në të cilin ai cilësohet hapur si një kryeqeveritar, nga njëra anë arrogant në mënyrën si ushtron pushtetin e tij dhe nga ana tjetër si një individ në shërbim të krimit të organizuar.
Vetëm pak orë më pas agjencia prestigjoze e lajmeve “Reuters” njofton për një proces hetimor në SHBA, i cili është mbyllur pas më shumë se 3 viteve, me akuzën ndaj shqiptaro-amerikanit Bilal Shehu për fshehjen e burimit të 80 mijë dollarëve të përdorura si dhuratë në fushatën presidenciale të presidentit në ikje Barak Obama.
Bilal Shehu ka pranuar në zyrat e FBI, se ato para të cilat u konvertuan në një ftesë për atë dhe bashkëshorten e tij në një nga pritjet e presidentit Obama, e kanë burimin nga Shqipëria. Në atë pritje pronari i një agjencie të vogël taksish në New Jersey, faktikisht nuk ka marë pjesë me bashkëshorten e tij siç ishin edhe ftesa, por me vetë kryetarin e opozitës shqiptare në atë kohë dhe kryeministrin hije Edi Ramën.
E gjithë kjo intrigë tipike shqiptare, është finalizuar me një foto mes Ramës dhe Obamës, imazh aq shumë i përdorur prej të parit në fushatën e sapo nisur për zgjedhjet e vitit 2013 që dihet si përfunduan.
Në SHBA, është mjaft e përhapur një shprehje “urbane”: Këtu më mirë dhe më lehtë është të vrasësh një njeri, i sesa ti fshehësh shtetit burimin e parave që përdor, për çdo gjë. Kjo ka ndodhur edhe me taksixhiun Bilal, i cili është kapur pas 3 vitesh nga qerja e FBI, për burimin e 80 mijë dollarëve-donacion për fushatën e Obamës. Sipas mediave lokale amerikane shqiptaro-amerikani duke e ditur shumë mirë se çfarë e pret për atë “nder” që i ka bërë Ramës atëherë, është kthyer në një “të penduar” për të zbutur sadopak dënimin e rëndë dhe ka bashkëpunuar me FBI.
Në 5 tetor të këtij viti ai do dëgjojë verdiktin e gjykatës dhe pritet të dënohet të paktën me 5 vite burg dhe 250 mijë dollarë. Por çfarë ndodh pas kësaj? Kushdo që e njeh sadopak sistemin e drejtësisë amerikane, e di që çështja nuk mbyllet këtu. Thelbi i hetimit të FBI, nuk është mashtrimi që ka bërë Bilal Shehu me donacionin, por burimi i 80 mijë dollarëve që rezulton të jetë në atë kohë një individ me vetëm 2500 euro pasuri të deklaruara.
Por fakti si ku i gjeti ato para Rama është çështje e prokurorisë shqiptare. Në SHBA ndërhyrja e donacioneve të huaja në fushatat presidenciale, është një akt tejet i rëndë dhe ndiqet nga agjencitë ligjzbatuese me alarm dhe prioritet të lartë. Nëse hetimi për taksixhiun Bilal sapo është mbyllur për ideatorin dhe ekzekutuesin e këtij akti të rëndë për ligjin në SHBA, Edi Ramën, sapo është hapur. Qerrja e FBI, është e ngadaltë por mbërrin gjithmonë në destinacion.
