Po si nuk u pamë? Ne shihemi tre herë në ditë, në çdo edicion lajmesh, si nuk mbeti pakëz kohë edhe dje, shpirti im i pakuptuar?
I dashur, ti prite golin e vetëm të Kombëtares sonë, edhe unë prita nipin e vetëm të fisit tonë që kthehej nga misioni në Afganistan.
Nuk kisha përgatitur fjalim si ti, se ato “i qan” vetëm ti, po edhe sikur ta kisha përgatitur, u mallëngjeva aq shumë, sa nuk do ta lexoja dot, as në shqip, jo më në italisht, siç i qëndise ti me raste hovesh djaloshare, për t’u argëtuar. (Ma come parla bene Lei! – ma kujtoi Mimoza Koçiu Totò-në e famshëm!)
Vapë ishte, xhani im, si durove dje, më raftë një pikë, se unë s’kisha dert, më freskoi malli dhe lotët në sytë e nipçes që u kthye gjallë, pa asnjë “gol”- plumb- në ballë.
Eh sa hoqi nipçja im të shkonte në Afganistan! Pa i duheshin pare për shtëpi, për fëmijë, për bukë, për spital…. Por t’u bëftë dita 99 mijë që ia bëre mbarë ti dhe ajo Mimìja e Mrojtjes, se ja, mori një dorë të mirë paresh dhe e shtyn gjysmë viti.
Ah, shpirti im, të kuptoj sa ke vuajtur kur ke firmuar për shpërblimin e madh 1 milion euro për çunat e golit të vetëm si drita e syrit! Se vetëm ti e di sa halle ka ky vend! Po kur të shajnë! Qelbsat! I bëjnë qejfin Saliut dhe Lulit! Mos i luajte bixhoz ato miliona? Mos ia dhe dembelëve që i ka çuar dembëllëku në pavijonin e kancerozëve? Jo. Për djemtë e Kombëtares i sakrifikove! Ah, sa të kuptoj, o nositi im mendjeartë! Gjithë dynjaja bën qejf nëpër shtëpitë e tyre, hanë mish e bakllava, janë në hall- t’i shpien fëmijët me studime në Francë si ministrja e Arsimit shqiptar apo në Angli si ministri i Shëndetit tonë! Injorantët! Popull që, siç e thua ti, ose është dele, ose është dele! Nuk e kuptojnë që ministrat e tu i çojnë kalamajtë jashtë si zotërinj të vërtetë, na nderojnë atje ku shkojnë, jo si çup’ e Xhikes, që iku me burr e kalama në Gjermani e rri nëpër azile emigrantësh. Pa pikë turpi! Ja, prite kur të kthehen, me avionin e radhës. Dhe, jam e bindur, do të shajnë dashakeqët ty, se, sikur i nise ti, gjasme.
Po kalamajtë e qeverisë që shkollohen jashtë, janë ambasadorët e këtij vendi! Pse të lëndojnë aq shumë ndjenjat e tua atdhetare, nuk e kuptoj.
Zemra ime, do të ishim takuar dje, por na ngatërruan djemtë. Ata të tutë dhe nipçja im. E di, xhan, nipçja im dhe shokët e tij janë budallenj me brirë. Ç’patën që erdhën pikërisht dje! Si do mbaje ti edhe një fjalim tjetër… Në gjuhën afgane? Të kuptoj shumë mirë, ndaj të dua.
Miranda Haxhiaj.
