
Referendumi britanik u dha të gjithë shqiptarëve leksionin se sovraniteti kombëtar është i panegociueshëm dhe interesi i tyre më i lartë. Ky mësim kombëtar duhet të lexohet mirë në Tiranë nga të gjithë faktorët që e kanë shndërruar Evropën si një gjethe fiku që u mbulon të pabërat në dogana, tatime e investime, duhet të lexohet nga të gjithë ata që po durojnë hanxharin e qeverisë, vetëm se u thuhet se ky hanxhar ka leje nga Brukseli dhe Uashingtoni. Në Britaninë e Madhe 60 milionëshe asnjë votë nuk u intimidua, e rrjedhimisht askush s’mund të besojë në Tiranë se grishja për të blerë votat e deputetëve është një certifikatë evropiane
Rezultati i referendumit të djeshëm në Britaninë e Madhe ka kapur gafil analistët e mbarë burokracisë së Brukselit, e cila po flinte mbi dafina dhe po mendonte se interesat e saj gjithsesi do të prevalonin mbi vullnetin e anglezëve, skocezëve, uellsianëve e irlandezoveriorëve. Pasojat e para politike janë dorëheqja e kryeministrit britanik si dhe pasiguria që ka mbërthyer kancelaritë e mbarë BE-së. Por interesi kryesor i shqiptarëve në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin e gjetkë është i orientuar drejt leksionit demokratik që dha Britania e Madhe si demokracia më e vjetër e qytetërimit perëndimor. Anglia u dha të gjithë shqiptarëve (edhe evropianëve – por secili nxjerr mësim për vete) leksionin se sovraniteti kombëtar është i panegociueshëm dhe interesi i tyre më i lartë. Ky mësim kombëtar duhet të lexohet mirë në Tiranë nga të gjithë faktorët që e kanë shndërruar Evropën si një gjethe fiku që u mbulon të pabërat në dogana, tatime e investime, duhet të lexohet nga të gjithë ata që po durojnë hanxharin e qeverisë, vetëm se u thuhet se ky hanxhar ka leje nga Brukseli dhe Uashingtoni. Jo, asnjë realitet i keq rajonal s’ka izëm nga asnjë autoritet evropian. As prishja selektive e ndërtimeve pa leje, as shndërrimi i Shqipërisë në një burg gjigant me afro 50 mijë të ndaluar në vit dhe as shndërrimi i maleve e kodrave tonë (të cilat fatmirësisht i kemi me shumicë) në plantacione kanabisi nuk ka asë izëm perëndimore. Referendumi i djeshëm i Anglisë duhet të lexohet si një mësim i madh kombëtarist për shqiptarët. Interesi i tyre është interes primar, prandaj edhe kur Shqiptaria është mirë, edhe Evropa do të jetë më afër. Dhe shqiptaria është mirë kur në familjet tona jemi më mirë, kur pak e nga pak do dalim nga dara e varfërisë (të cilën çdo raport e nxjerr në një nivel edhe më të lartë) e kur shteti na tregon dorën e përkujdesit dhe jo hanxharin e ndëshkimit. Ky lexim sovranist solli edhe votën që tronditi burokracinë e Brukselit, e cila s’po kuptonte se interesat e saj fati e desh të mos ishin edhe interesat e anglezëve, e siç po duken bathët nuk janë të përputhshme fort as me interesat e holandezëve, suedezëve, etj.
Prej këtij leximi sovranist, mund të kuptojmë se asnjë reformë në drejtësi s’mund të jetë në favor të shqiptarëve, nëse ajo do t’i jepte Edi Ramës të drejtën të bëhet edhe kryehetues, edhe kryeprokuror, edhe kryegjykatës i Shqipërisë. Izma që mund t’i jepet një reforme të tillë prej ndonjë burokrati që Brukseli ka sjellë në Tiranë s’është izma e BE-së, e bile edhe në qoftë izma e konfirmuar e burokracisë së BE-së, natyrisht që s’është një leje për të shkallmuar edhe atë pak rrugë që institucionet e shtetit shqiptar kanë kryer në rrugën drejt integrimit në Evropë. Ky lexim i gjendjes në Shqipëri ndihmohet shumë nga guximi që anglezët përçuan përmes ushtrimit të votës së lirë. Në Britaninë e Madhe 60 milionëshe asnjë votë nuk u intimidua, e rrjedhimisht askush s’mund të besojë në Tiranë se grishja për të blerë votat e deputetëve në parlamentin shqiptar është një izëm evropiane. Ky artikulim është thjesht një mjerim i burokratëve që Brukseli ka dërguar në Tiranë dhe një përpjekje për të mos i prerë rrugën babëzisë së kryeministrit për sa më shumë pushtet.
Referendumi i djeshëm i Britanisë së Madhe është jo vetëm një mësim kombëtar, por edhe integrues. Hapësira shqiptare në Ballkan mori një leksion për forcën e votës së gjithsecilit për të kryer reforma, reforma që afrojnë bashkimin mes tyre, por edhe përshpejtojnë rrugën e tyre drejt hapësirave euroatlantike. Çdo reformë, sado evropiane qoftë, buron së pari nga vullneti i shqiptarëve, prandaj, sado paradoksale ngjan, vota e Brexit, është në fakt një votë që reformat e mëdha të shqiptarëve të gëzojnë një konsensus sa më të gjerë e mundësisht të certifikohen me demokracinë e drejtpërdrejtë dhe jo atë përfaqësuese.
Ilir Nikolla
One reply on “Anglia, mësim kombëtar dhe integrues.”
Çfardo qe te ndodhe, populli shqiptar nuk kupton gje sepse eshte i goditur psiqikisht nga historia e tij e trishte! Çdo shqiptar lind sindromatik (sipas meje) nga pikpamja psikike; shpetojne vetem nje pjese mjaft e paket te te cilet ne menyre probabile nuk eshte percjelle sindroma ne fjale dhe fale vullnetit e veçimit qe i bejne vetes se tyre nga perzjerja me komunitetin kane vullnetin dhe deshiren per te qene dikush ne kete jete dhe tentojne te bejne diçka per t’iu permendur emri pas vdekjes se tyre; ndersa te tjere i kane dhene drejtim ekzistences se tyre per te gjalluar matane deteve dhe oqeaneve prej ku shkruajne per ‘memedheun’ dhe bejne kritzerin pa dorashka tue qene se e dine se nuk i’u ndodh asgje e keqe.; -Faleminderit artikullshkruesit!
PëlqejeniPëlqejeni