
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka kritikuar qeverinë dhe kreun e Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhaga për reformën duke e krahasuar me parullën e njohur të diktaturës së proletariatit “në emër të popullit”
“Për 45 vjet kemi folur në emër të popullit, – tha Mediu. – Në emër të popullit dilnin turmat dhe thërrisnin “Tradhtarët në litar!”
Po në emër të popullit morët pronat.
Po në emër të popullit i shpallët pronarët, kulakë.
Po në emër të popullit i morët pronat në 1991!
Nuk është çështje populli. Populli kërkon një reformë, një pushtet që i shërben për të drejtën e tij, po kë pushtet doni ju atë? Atë që dhunoi atë gruan që u dhunua në Vlorë se po mbronte pronën e vet?! Kjo është marria e interesave të veçanta korruptive!
Kjo është drejtësia juaj që të përcaktoni me dorë kush është gjyqtar dhe prokuror, për të mbledhur këshillat e lagjeve.
Në emër të popullit janë burgosur 29 mijë gra e burra, u internuan 59 mijë dhe u pushkatuan dhjetra klerikë në emër të popullit. Le të mësojë njëhërë deputetë popull këtu si është ky draft
E sa për atë që thotë Majko nëse jemi me amerikanët apo me Evropën, ne e kemi provuar se jemi me ata po nuk ecim symbyllur, na erdhi një draft që ta votojmë pa e leëxuar. Nuk jemi këtu për të ngritur vetëm dorën, kukulla të pavlera, se ndryshimet kushtetuse kërkojnë konsesus politik edhe sikur të kishit 2/3, prapë ju duhet konsesus se ndryshime janë për tërë kohën.”
“Drejtësia”, Topalli: S’mund ta bëjnë ndërkombëtarët, por shqiptarët, ndryshe nuk e votoj kurrë!

Ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi sot në Kuvend se nuk do të pranojë dhe nuk do të votojë kurrë që reforma në drejtësi dhe procese të tjera të rëndësishme kushtetuese të bëhen nga ndërkombëtarët.
Topalli theksoi se ndërkombëtarët duhet që të asistojnë dhe të japin ndihmën e tyre, por jo që ndryshime kushtetuese të bëhen prej tyre, por nga klasa politike shqiptare. Ish-kryeparlamentarja kritikoi edhe deputetë të mazhorancës, por pa përmendur emra, të cilët janë shprehur se do votojnë çdo propozim të ndërkombëtarëve edhe pa e lexuar fare fillimisht draftin.
Sipas deputetes demokrate, nëse ndodh që të tilla procese të rëndësishme të bëhen nga ndërkombëtarët, atëherë klasa politike shqiptarë ka “kapitulluar” dhe të gjithë duhet të largohen.
“KLGJ, KLP, GJK, kush e di se çfarë janë këto? Kjo është reforma. A duan shqiptarët këtë apo duan mos të ketë korrupsion. Kush i ka propozuar ato anëtarët e Gjykatës Kushtetuese? Me kë talleni? Kujtoni se shqiptarët nuk i dinë? A kemi ne një sistem meritokracie? Pse shitet cdo vend pune, pse shitet vendi në administratë? Sepse çdo gjë bëhet me të njohur, me para.
Problemi më i madh është se Shqipëria është bërë Lazarat në çdo cep, në çdo qoshe, ka vetëm drogë. Ku do e çojmë këtë vend? Të turpërojmë të gjithë shqiptarët, t’i vrasim ata me njëri-tjetrin? Po do ndërrohen qeveritë, do ndërrohen politikat fiskale. Droga është luftë, droga është mafie, prandaj nuk besoj te reforma në drejtësi. Sepse shtet ligjor me mafie që bën politikë nuk ka.
Unë mbështes atë që tha ish-Kryeministri Berisha, nuk do të votoj kurrë që në Kushtetutë të ketë një nen që të shkruhet se procese të ndryshme të bëhen nga ndërkombëtarë. Këtë proces nuk mund ta bëjnë ndërkombëtarët para shqiptarëve. Nëse e bëjnë ndërkombëtarët do të thotë që sistemi politik ka rënë. Nëse sistemi politik ka rënë, atëherë të ikim të gjithë në sekondë. Nuk bie kurrë dakord me ato kolegë që thonë ma kanë sjellë këtu dhe unë e votoj pa e parë. Bashkë me të huajt po, vetëm të huajt kurrë!”, u shpreh ish-kryetarja e Parlamentit.