Kategori
Uncategorized

Stanislav Petrov, historia e heroit të harruar që shpëtoi botën nga apokalipsi bërthamor.

Stanislav Petrov, historia e heroit të harruar që shpëtoi botën nga apokalipsi bërthamor

Është njeriu që ka shpëtuar botën, por nuk jeton aspak si i tillë. Ai jeton në një pallat parafabrikat të stilit Hrushovian dhe po shkon për të mbushur një bombol gazi. Kur i thonë se ai është heroi i globit marrin këtë përgjigje: “Joo! Çfarë kam bërë unë? Asgjë të veçantë, thjesht kam bërë punën time”. Pastaj përsërit atë që ka thënë në fillimin e viteve 1990, kur u publikua për herë të parë historia e tij: “Isha njeriu i duhur në vendin e duhur”.

Por duke lënë mënjanë modestinë e tij, planeti i duhet t’i ndihet borxhli kolonelit sovjetik, Stanislav Petrov, i cili nuk ishte një ushtarak i zakontë.

Ai ishte një analist, i cili atë natë u gjet rastësisht duke bërë rojen e turnit. Një tjetër ushtarak, thjesht do kishte kontrolluar sinjalet që i vinin (gjë që ai e bëri) dhe do ishte mjaftuar duke zbatuar vetëm protokollin, duke informuar eprorët e tij me mesazhin: “Po vijnë raketat termonukleare amerikane. Do të godasin territorin e Bashkimit Sovjetik brenda 25-30 minutave”.

Por në këtë moment, ai reagoi ndryshe. Petrov nuk besonte se SHBA-ja do të godiste me të vërtetë. “Dhe po ta kishin bërë, nuk do na hidhnin vetëm disa raketa”. Mendoi se mos bëhej fjalë për një avari në sistem, kështu që nuk raportoi asgjë dhe shpëtoi planetin.

Nata për të cilën po flasim është ajo e 26 shtatorit 1983 dhe për të qenë të saktë ora 00:15. 25 ditë më parë, më 1 shtator, një avion sovjetik kishte rrëzuar një “jumbo jet” korean me 269 persona në bord, i cili ishte hyrë në hapësirën ajrore të BS-së. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Jurij Andropov, ndodhej përkohësisht në spital dhe në ato momente ai që kontrollonte radarët ishte Petrov, i cili raportoi se një avion spiun amerikan kishte dhunuar hapësirën ajrore e nënës Rusi.

Gjeneralët dhe politikanët zbatuan rregulloren. Në pak minuta, majori Genadij Osipoviç, i cili po shoqëronte avionin civil me Sukhoin e tij, merr urdhërin për ta rrëzuar. “Nuk i thashë bazës se bëhej fjalë për një ‘Boeing’, sepse askush nuk ma kërkoi”, u justifikua atëherë piloti.

Ishin minuta tensioni dhe alarmi se raketat amerikane ishin drejtuar nga Moska erdhi shumë shpejtë. Dhe ndaj një sulmi amerikan, përgjigja e Moskës do të ishte me një tjetër sulm që do të shkaktonte reprezalje dhe që për globin do të ishte fundi.

Petrov ishte në qendrën e kontrollit “Serpukhov-15”, pranë Moskës kur erdhi sinjali që të gjithë kishin frikë: “U ndez një dritë e kuqe, sinjal që ishin nisur raketa. Të gjithë u drejtuan drejt meje, duke pritur urdhrin. Unë isha totalisht i paralizuar. Nisëm të kontrollojmë operativitetin e sistemit. Pak minuta më vonë u ndez një tjetër dritë, më pas një tjetër dhe nuk kishte asnjë dyshim. Sistemi thoshte se po niseshin raketa njëra pas tjetrës nga e njëjta bazë. Një komunikim i yni do të kishte ngritur në këmbë vendin për maksimumi 12 minuta dhe pastaj do të kishte qenë tepër vonë”, tregon Petrov.

Ai thotë se ishte i sigurt që sinjalizimi ishte i rremë. “Unë isha një analist dhe e dija që bëhej fjalë për një gabim, por këtë e thosha me intuitë. Kështu që raportova se bëhej fjalë për një defekt në sistem. Ato 15 minuta ishin më të gjatat e jetës time. Po sikur të kisha gabuar? Asnjë raketë nuk e goditi Bashkimin Sovjetik”, thotë Petrov, i cili mendonte se do të shpërblehej, por pas kësaj historie atij nuk i dhanë as gradën e kolonelit.

Petrov ka marrë mirënjohje nga jashtë Rusisë, por kurrë në atdheun e tij. Dhe sot e kësaj dite që është 76 vjeç, vazhdon ende të bëjë jetën e tij të thjeshtë në pallatin “Fryasino”. Askush nuk kujtohet për njeriun që shpëtoi botën… /360 grade

Lini një koment