Policia e Durrësit ka shpërndarë sot nje njoftim për shtyp, duke theksuar se ka kapur vrasësin e 50-vjeçarit Leonard Murataj, një personazh i njohur në qytetin bregdetar.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës… kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Bedri Haka 22 vjeç, banues në Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po në të njëjtin njoftim shpjegohet edhe arsyet e kapjes së 22-vjeçarit:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vendimin Penal Nr.1014, datë 23.11.2014, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale” Vrasja me paramendim” dhe ”Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar në nenet 78 /1 dhe 278/2 të Kodit Penal. Haka, më datë 18.11.2014, në një lokal në qendër të qytetit në Durrës, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Leonard Murataj 51 vjeç, banues në Durrës”, njofton policia.
Por nga një verifikim i HashtagAL rezulton se historia është ndryshe nga sa e përshkruan policia.
Bedri Haka është gjykuar në mungesë jo si autor i dyshuar për vrasjen e Leonard Muratajt, por për përkrahje të autorit të krimit dhe është dënuar me 6 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë në Durrës.
Gjykimi është bërë në mungesë, ndërsa prokuroria duket që ka ndryshuar akuzën me të cilën është mbrojtur masa e arrestit nga “vrasje’ në “përkrahje të autorit pas vrasjes”.
Ndërkohë, avokatët e 22-vjeçarit e kanë apeluar këtë vendim, në kushtet kur Bedri Haka ishte i shpallur në kërkim dhe Gjykata e Apelit të Durrësit ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.
Ky vendim ka marrë formën e prerë dhe Bedri Haka aktualisht as nuk është i akuzuar dhe as i dënuar.
Në këto kushte, arrestimi i tij duket i paligjshëm dhe aq më shumë amplifikimi i “suksesit’ në mëdia.
Po si ka mundësi një lajthitje e tillë (ose mashtrim) i policisë së Durrësit?
Duket se policia është nën presion pas ngjarjeve të fundit dhe sidomos pas akuzave të opozitës se po bëhet mburojë e kriminelëve dhe trafikantëve.
Qoftë ky një gabim njerëzor, qoftë kjo një lajthitje e prokurorisë që nuk ka njoftuar për të hequr Bedri Hakën nga lista e personave të shpallur në kërkim, qoftë një ngutje e drejtuesve të policisë për të ‘dhënë sihariqin’, nga mënyra se si u njoftua arrestimi duket se policia ka nevojë për suksese, qofshin edhe imagjinare. / HashtagAL
