Kategori
Uncategorized

KOKËDHIMA? – TRE PISTA PËR DEKLARATËN SURPRIZË.

Kokedhima rama meta
(Ish)Deputeti socialist Koço Kokëdhima ka bërë sot një deklaratë zyrtare surprizuese.

Ai është shprehur se reforma në drejtësi nuk duhet të miratohet pa konsensusin e opozitës. Kokëdhima është shprehur kundër lobimit apo blerjes nominale të deputetëve të opozitës duke kërkuar një konsensus politik të menduar mirë.

Po cili është motivi dhe shtysa e kësaj deklarate të Kokëdhimës?

Disa media e kanë interpretuar këtë qëndrim të Kokëdhimës si një afrim të tij me LSI-në. Ky është vetëm njëri prej tre opsioneve logjike.

Një tjetër mundësi është që Kokëdhima ta ketë bërë këtë deklaratë në koordinim me Edi Ramën, për të nisur tërheqjen nga pozitat aktuale dhe për të pranuar kushtet e PD-së.

Alibia e socialistëve se PD-ja po bënte kapriço bllokuese me nenin 88, në fakt rezultoi e pavërtetë, pasi tashmë është sqaruar teknikisht se PD-ja po kërkon thjesht një garanci që ja ka njohur dhe Komisioni i Venecias. Kjo situatë mund të justifikojë një tërheqje të Ramës dhe Kokëdhima mund të jetë ngarkuar prej kryeministrit që të nisë skemën e tërheqjes graduale.

Opsioni i tretë, mund të jetë se Kokëdhima e ka qëndrim personal të pandikuar nga askush. Edhe më herët Kokëdhima ka dhënë prova për të tilla qëndrime, duke i pasur të gjithë kundër.

Siç ishte rasti kur në vitin 2011 Edi Rama kandidoi për të katërtën herë për kryetar bashkie në Tiranë dhe humbi. Kokëdhima këmbënguli që Rama të mos kandidonte vetë, madje u ftoh me Ramën për disa muaj për shkak të debatit të ashpër që ata patën me njëri-tjetrin.

Të treja opsionet janë potencialisht të mundshme, por pavarësisht kësaj, qëndrimi i Kokëdhimës, thyen pa kushte, tabunë që ekzistonte në PS për të vënë në dyshim pagabueshmërinë e liderit Edi Rama me qëndrimin e vetë për votimin e kësaj reforme pa konsensus. / HashtagAL


STATUSI I PLOTË I KOKËDHIMËS NË FACBOOK:

Shqipëria ka nevojë për një reformë të suksesshme të drejtësisë, ashtu siç ka nevojë për reformimin e institucioneve të tjera kushtetuese, me qëllim që sistemi ynë politik dhe kushtetues të dalë nga agonia 25-vjeçare. Nevoja ulëritëse për një drejtësi funksionale dhe të besueshme, nuk duhet t’u shërbejë si alibi palëve të përfshira, vendase dhe të huaja qofshin, për të bërë secila interesat e veta dhe për t’i imponuar vendit gabime të reja, po aq të rënda sa ato që janë bërë në të shkuarën. Reformën në drejtësi, ne nuk mund ta miratojmë në parlament jashtë konsensusit me opozitën, apo duke menduar për të rekrutuar deputetë të saj. Qeveria dhe opozita duhet të merren vesh me njëra-tjetrën.

Është e pashëndetshme dhe e papërshtatshme për Shqipërinë, që shumica jonë parlamentare ta çojë reformën për drejtësi në Parlament, me idenë se do t’i “kaparosim” dy-tre deputetë besëthyer nga grupi i opozitës. Reforma për drejtësi duhet të shkojë në parlament me konsensus të opozitës dhe vetëm pasi drafti i ndryshimeve të kushtetutës të jetë në përputhje me standardet e kushtetutave të demokracive të tjera parlamentare të BE-së. Kjo do t’i shërbejë forcimit të paqes dhe integrimit real të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rruga që kërkojnë disa për ta bërë reformën pa opozitën, është rruga e rrezikimit të paqes së vendit dhe e shkatërrimit të bashkëpunimit dhe dialogut politik. Kështu do të komprometohej edhe arsyeja e supozuar se, urgjenca e miratimit të reformës është e lidhur vetëm me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Reforma duhet të bëhet në rrugë kushtetuese dhe legjitime. Kjo nuk do të thotë se Saliu dhe PD-ja kanë të drejtë të mbajnë peng vendin. Kur ka vullnet dhe strategji për t’i bërë gjërat si duhet, dhe kur palët u dalin për zot, secila përgjegjësive të veta, janë ose gjenden edhe rrugët e mira për ta realizuar edhe reformën në drejtësi, edhe reformat e tjera. Drafti i reformës së drejtësisë duhet të jetë në përputhje me kriteret e mirëpranuara ndërkombëtarisht për ndërtimin e kushtetutave të vendeve demokratike dhe në respekt të kulturës, përvojës, traditës dhe të sovranitetit të vendit.

Lini një koment