Kategori
Uncategorized

Dështimi Rama-Basha, si fillim i suksesit të reformës.

Arion SuloNga Arion Sulo

Duket si paradoks apo provokim të thuash sot se Reforma në Drejtësi ka më shumë shanse se dje për t’u votuar me konsensus. Pas dështimit të takimit Rama-Basha, të gjithë nxituan të merreshin me rezultatin më shumë sesa me pozicionet e palëve, duke mos i kushtuar vëmendje faktit se tanimë ka vetëm një pikë mosdakordësie, ndër 58 nene të paketës kushtetuese.

Dita e djeshme largoi shumë mjegull nga qielli i Reformës për Drejtësi. Pas deklarimeve të Bashës se PD kishte rënë dakord me ambasadorin amerikan për “vendet e rezervuara” (e vetmja kërkesë e mbetur e PD) peshorja e deritanishme e së drejtës që anonte nga Rama, përkundër skepticizmit dhe frenimeve të Bashës është ekuilibruar jo pak.

Diferenca mes dy palëve është vetëm një në parim; si do të votohen një pjesë e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë? Varianti i “vendeve të rezervuara”, fatmirësisht është i shkruar nga Komisioni i Venecias dhe jo i nxjerrë me magji të zezë nga opozita në çastin e fundit si pretekst.

Mjafton që Rama ta pranojë parimin e Venecias, të cilin opozita e ka zgjedhur mes pesë mënyrave të votimit dhe ambasadori amerikan (sipas Bashës) e ka pranuar, dhe të gjitha implikimet me bojkot e djegie mandatesh, me kriza politike apo përjashtime nga integrimi, do të mbeteshin kujtime.

Para interesit për të ndryshuar sistemin e kapur dhe të korruptuar të drejtësisë, s’ka më pikë rëndësie se çfarë historie dashurie apo urrejtjeje kanë pasur në zemër Basha, Rama, Meta dhe Berisha për Reformën në Drejtësi. Rëndësi ka fakti që paketa mund të kalojë për një javë në Kuvend dhe të miratohet. Njësoj siç ndodhi me dekriminalizimin, që PS dhe sot e kësaj dite nuk e do, por s’bën dot asgjë për të ndalur rënien “dëshmor” njëri pas tjetrit të kryebashkiakëve të saj.

Po pse palët janë sot më afër se dje për Reformën në Drejtësi?

Së pari, propozimi i opozitës është i certifikuar nga Venecia, që është arbitër i ndryshimeve kushtetuese. Madje, nuk është as propozim, por zgjedhje mes pesë alternativave që i janë paraqitur nga ekspertët e huaj.

Së dyti, opozita ka të drejtë dhe si e tillë nuk mund të hidhet poshtë apriori. Ajo kërkon një garanci, një siguresë për mos kapjen e sistemit të drejtësisë qysh në letër nga shumica e sotme. Me draftin që është, çdo votim për institucionet (kryesoret janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë) bëhet me 2/3 sipas premtim-lëshimit që bëri Rama, por me mekanizëm zhbllokues, siç edhe rekomandon Venecia. Dyshimi i arsyeshëm i opozitës kërkon zgjidhje juridike, sepse jemi si në situatën e zgjedhjes së presidentit, ku duhen në fillim 84 vota, por në raundin e fundit, kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë. Atëherë, çfarë garancie ka opozita se PS-LSI nuk do të bëjnë të njëjtën gjë kur të vijë puna për të zgjedhur anëtarët e qeverisë së gjyqësorit dhe ajo të rrijë e të vështrojë? Çfarë vlere ka ‘lëshimi” i Ramës për 2/3-at, kur mazhoranca hipotetikisht mund t’i marrë të pesë anëtarët?

Së treti, opozita nuk kërkon të përmbysë skemën, me të cilën zgjidhen qeveria e gjyqësorit dhe ajo e prokurorisë. Zgjedhja e saj e ruan procesin e nominimit të kandidatëve, derisa vijnë në Kuvend. Ajo i lë siç janë shumicën e tyre, jashtë politikës; 6 për KLGJ dhe 6 për KLP.

Përzgjedhja e dy anëtarëve s’do të jetë e opozitës, ajo është në dorë të Këshillit të Emërimeve dhe më parë në dorë të avokatëve, shoqërisë civile, pedagogëve dhe noterëve, që në Shqipëri më shpesh anojnë nga qeveritë.

Në mbështetje të këtij argumenti, në shkurt, Komisioni i Venecias shkruante se “Në lidhje me anëtarët jo gjyqtarë, procesi inominimit (kandidimit) të tyre është po aq i rëndësishëm sa metoda e zgjedhjes së tyre.”

Kundërshtimi kryesor i shumicës për zgjedhjen e opozitës ka të bëjë se me këtë parim, ku nëse ca do të zgjidhen nga PS e ca nga PD, reforma politizohet. Në fakt, s’është kështu. Sepse Kuvendi zgjedh pakicën e gjyqësorit dhe të Këshillit të Prokurorisë dhe PD nuk po kërkon t’i propozojë vetë emrat, siç është rasti i KQZ. Ajo po kërkon të vërë një siguresë, pikërisht që sistemi të mos kapet lehtësisht apo që të gjithë anëtarët të jenë zgjedhje e shumicës.

Së katërti, s’mund të shkohet në zgjidhje unilaterale për një reformë që do të këtë pasoja për të paktën disa dekada. Opozita s’mund të jetë vetëm për dekor dhe të japë votat, pa qenë pjesëmarrëse në proces.

Së pesti, kërkimi i kompromisit në orët që kanë mbetur është një detyrim, përballë cirqeve me “bindje nga jashtë” dhe blerje votash nga opozita. Pasojat e një plani të tillë do të jenë më keq sesa shtyrja e reformës.

Së fundmi, me dështimin e reformës edhe Rama del i humbur. Reformimi i drejtësisë përbën sot një domosdoshmëri për vendin dhe një ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së tij, suksesi i së cilës do t’i ngrinte aksionet një pushteti që nuk po del dot nga përkufizimi se “të gjitha fajet i ka Saliu”.

Reflektimi i ambasadorit amerikan pas takimit Rama-Basha dhe davaritja e mjegullës se kush janë të mirët dhe të këqijtë e reformës, ka hapur rrugën për një negociatë të fundit të vërtetë, pa fjalime të parapërgatitura dhe ndoshta, me një kurs të ndryshuar në dobi të Reformës në Drejtësi

Lini një koment