
Pas fjalës së Ministrit të Financave, Ahmetaj, në foltoren e Kuvendit është ngjitur deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka kritikuar deputetët socialistë në lidhje me sulmin që po i bëjnë Ben Blushit.
Këtu nuk jemi në Kongresin e Partisë Socialiste. Keni të drejtë ta shani Blushin sepse bëri gabimin më të madh mbeti socialist kur të gjithë u shndërruat në rilindas alla-Rama. Blushi e ka ngritur stekën në lartësinë e kryeministrit si për nga gjatësia ashtu edhe argumenti dhe nuk mund të përballeni me të.
Më pas ai ka lëshuar edhe një paralajmërim për socialistët për mënyrën sesi po qeverisin duke theksuar faktin se nuk mund të shpëtojnë nga humbja e zgjedhjeve duke u fshehur pas Sali Berishës.
Sali Berisha është lakuar në këtë foltore që prej ardhjes tuaj në pushtet më shumë se kurdoherë. As në periudhën e 21 janarit emri i tij nuk është përmendur kaq shumë. Ju mendoni se Sali Berisha do të jetë komerdarja e shpëtimit tuaj. Kjo nuk mund të ndodhë. Ai e mori përgjigjen në zgjedhjet që humbi, tani është radha juaj. Nuk ka alibi të tipit alla-Sali Berisha që mund t’iu shpëtojë më.