Kategori
Uncategorized

Letër e hapur Ambasadorit Donald Lu/ Na ndihmoni të “çajmë rrethimin”

lu

Nga Dr. Albano Zhapaj

I nderuar zoti Ambasador,

Ju më shumë se të tjerë, i keni pëlqyer këtij populli qysh në fillim, kur keni ardhur këtu, së pari sepse flisnit shqip. Ne shqiptarët e çmojmë shumë kur i huaji na flet në gjuhën tonë, jo vetëm sepse mendojmë se na kupton më mirë, por, në pozicionin që keni Ju si përfaqësues i një vendi të madh demokrastik, i besojmë faktit se miku që të flet në gjuhën tënde, ka shkaqe më shumë të të ndihmojë, se sa një tjetër që të flet në gjuhën e vet.

Ju flisni shumë mirë shqip, zoti Ambasador, por ajo që na përlen më tepër ne shqiptarëve tek ju, është se flisni “vënçe”, siç i themi ne këtej, ose hapur, pa dorashka. Praktika e ka treguar se ato herë që keni folur “vënçe”, ca gjëra kanë ecur për mirë në këtë vend. Aq shumë i besojmë ne shqiptarët ato që thoni Ju, saqë në disa media online, për t`i dhënë rëndësi diçkaje, e vënë fjalën në gojën Tuaj, pra sikur është e thënë nga Ju.

Kanë plasur shkrime, këto kohët e fundit, në mediat e shkruara, për paburrërinë e shqiptarëve dhe indiferencën e tyre, ndaj padrejtësive, dhe ndaj së keqes dhe krimit në ndonjë rast. Ndoshta këtë indiferencë, veç Jush, mund ta kenë vënë re edhe miq të tjerë ndërkombëtarë, dhe në heshtje mund edhe të çuditen me ne, por mendoj se edhe kjo heshtje dhe mosreagim i shqiptarëve e kanë një shpjegim.

Duket se këtë radhë, me shumë shkrime e prononcime nëpër rrjetet sociale, ne shqiptarët po kërkojmë të vetëvihemi në sedër, për t`u vetënxitur dhe reaguar  ndaj padrejtësive. E thënë ndryshe, po vetëquhemi popull indiferent, frikacak dhe jo reagues, gjë që bie ndesh me disa vyrtyte historike të shqiptarit, siç mund të jetë vyrtyti i trimërisë së këtij populli.

Unë mendoj se historia na mëson se ky popull e ka treguar veten me fakte e vepra, aq shumë herë, që është trim, punëtor dhe i besës, sa do të duheshin netë dimri, e libra pafund për t`i rrëfyer. Por faktet flasin qartë, që shumë shqiptarë po braktisin vendin dhe arsyet janë të dukshme aq sa është i dukshëm një qiell pa re. Ajo që mbetet të kuptohet është nëse ikim se s`jemi trima, apo ikim se nuk e vlerësojmë vendin tonë.

Fjala “Trim”, në fjalorin tonë do të thotë një njeri i fortë, guximtar, i besës dhe fisnik. Unë personalisht dhe shumë shqiptarë të tjerë, dhe shumë të rinj e të reja, jemi kthyer të jetojmë e të kontribuojmë në këtë vend, mbas shumë vjet emigrimi (afro 17 vjet i nënshkruari), sepse besojmë tek ky vend, besojmë tek e drejta për të jetuar dhe ndërtuar lumturinë tonë, në tokën tonë dhe me punë të ndershme, ashtu siç Zoti na e ka shkruar.

E bëra këtë parantezë zoti Ambasador, pasi Ju keni folur shqip e “vënçe”, se ne shqiptarët duhet të dimë të largojmë të keqen me votë, dhe duhet të dimë të zgjedhim në krye persona me integritet dhe të refuzojmë të votojmë persona me të shkuar kriminale.

Ne shqiptarëve zoti Ambasador, në shqipen Tuaj na është zgjuar shpresa, dhe kemi filluar të reagojmë, Ju sigurojmë se nuk jemi frikacakë, dhe nuk i trembemi së ardhmes tonë këtu, por reagojmë me ngadalë e me kujdes, dhe për këtë Ju duhet të na mirëkuptoni, sepse ne jemi një “popull i rrethuar”. Po, po, jemi një popull i rrethuar!

Jo të rrethuar për të qenë të mbrojtur, fizikisht, ashtu siç mund të jenë muret e Ambasadës Amerikanë në Tiranë, por të rrethuar nga keq qeverisja, nga varfëria, nga trysnia e përditshme, nga terrori se mos kur kalojmë tek korridori i pallatit, nuk gjejmë dot faturën e energjisë, dhe mospagesa në kohë, na gjen të përfunduar në ndonjë qeli burgu.

Kemi frikë se po të flasim, ndonjë i afërmi ynë që është në punë, hiqet nga puna, dhe na vret ndërgjegja për këtë. Kemi frikë se po të flasim, mund të shkelim ndonjë “të fortë” në kallo, dhe ju e dini se ata të “fortët”, ta bëjnë gjëmën tek fëmijët apo familjarët, me mënyra nga më të ndryshmet, si ato që dëgjojmë përditë në televizion.

Po ku do të ishte trimëria e shqiptarit, nëse heshtim, do të thonit ju? Në fakt, sikur të na pyesnit, do kishit shumë të drejtë, sepse nuk jemi aq trima, kur stepemi nga ky “rrethim”.

Më vjen në mendje një nga baballarët e filozofisë së lashtë, i madhi Aristotel, i cili kur përkufizonte virtytet e njeriut, ndër të cilat edhe trimërinë, bënte disa ndarje edhe brenda konceptit të trimërisë, ku edhe thoshte: “Trimi që nuk tregohet i tillë, kur armiku i ka rrethuar dhe mban peng, familjen dhe fëmijët, nuk do të thotë se nuk është trim. Ai thjesht është njeri fisnik, që nuk rrezikon familjen për të treguar trimërinë e tij.” Kësaj në një farë mënyre i thonë njerzillëk, humanizëm dhe fisnikëri, pra të rrezikosh/sakrifikosh veten, por jo të tjerët.

I zgjuar Aristoteli, zoti Ambasador, aq sa këto kohët e fundit, disa historianë të shquar evropianë, mendojnë se ishte me origjinë shqiptare. Ç`krenari do të ishte sikur të ishte e vërtetë, pasi listës së gjatë të figurave të shquara të kombit tonë, duke filluar nga Aleksandri i Madh dhe deri tek Nënë Tereza, do ti shtohej edhe një kolos i filozofisë. Por a do të na nxirrte kjo nga rrethimi? Unë them se jo.

Kur ky popull është gjendur në udhëkryqe historike, i ka dalë zot vetes dhe ka luftuar për të përmbysur të keqen dhe të këqinjtë, por tanimë kohët kanë ndryshuar. Qeveritë nuk përmbysen më me revolucione, e as me armë, por vetëm me votën e lirë. Dhe kur kjo e fundit nuk është as e lirë, përsëri nuk i drejtohemi armëve, jo sepse s`jemi trima, por sepse jemi fisnikë.

Ju flisni hapur, shqip dhe “vënçe”, dhe ju përgëzojmë si popull për këtë, kur shikoni se punët e qeverisjes apo të politikës nuk shkojnë siç duhet, por ju keni një avantazh të madh, jeni i “rrethuar” nga miqëqeverisja dhe demokracia e vendit tuaj, dhe jo siç jemi të “rrethuar” ne.

Ne flasim, por nuk dëgjohemi. Amplifikatorët e pushtetit shkojnë vetëm në ato zëra që bëjnë komod pushtetit. Ne shkruajmë, kritikojmë, denoncojmë, japim edhe alternativa, sugjerime dhe këshilla, por amplifikatorët nuk na amplifikojnë zërin, shumica e gazetave nuk na botojnë, televizionet nuk na përfillin. Kurse me ju nuk ndodh kjo.

Kemi parë se si Ambasada Amerikane çdo javë fton dhe pret grupe të tëra të rinjsh, shkolla fillore apo të mesme, private apo publike. Vërejmë se shumë nga këto shkolla pritjen tuaj, e përdorin më shumë si reklamë për të shtuar nxënësit e vitit pasardhës. Fotot tuaja zbukurojnë stendat e shkollave. Mendoni pak se si e përdorin politikanët një takim me Ju. Ndoshta edhe unë po të mund të bëja një foto me ju, me siguri që do më kishin ofruar ndonjë punë të mirë.

Mbështetja që mund t`i jepni Ju intelektualëve shqiptarë, do ta forconte rolin e këtyre të fundit në mirëqeverisjen e vendit, pasi intelektualët janë oponentët më të mirë të sipërmarjeve apo reformave që mund të ndërmarrë një qeveri.

Po të ftonit herë pas here në ambasadë, ndonjë grup intelektualësh shqiptarë, historinë, sociologë, apo pedagogë, do të zgjuanit kurajon intelektuale për reagim. Po të ftonit ndonjëherë në ambasadë, ndonjë grup specialistësh të larguar nga Administrata Publike, që janë me tituj shkencorë e me grada të fituara jashtë vendit, dhe megjithatë janë flakur nga administrata, për t`u zëvendësuar me të diplomuar në universitetet kioska, që vet kjo qeveri i ka mbyllur, me siguri që do të konfirmonit faktin që gjendemi “të rrethuar”.

Mendoni pak zoti Ambasador, se sa do të amplifikohej zëri i intelektualëve, të braktisurve nga pushteti, apo edhe zërave ndryshe, në qoftë se do ftoheshin dhe dëgjoheshin nga Ju.

Mbështetja Juaj do ti jepte më shumë zë dhe më shumë forcë këtyre njerëzve dhe këtij populli, dhe do të shërbente si një shtysë e mëtejshme për të “çarë rrethimin” ku jemi mbyllur, dhe jo të mjaftohemi vetëm duke e vënë në sedër këtë popull, duke i thënë vetëm ngrihu, reago dhe voto.

Ne shqiptarët e dimë shumë mirë se ku qëndron e keqja e këtij vendi, se kush janë politikanët që e mbajnë peng këtë vend, e dimë mirë që në kushtet aktuale s`kemi se çtë bëjmë, prandaj ju shikojmë ju ambasadorëve të perëndimit si “idhuj”.

Mendoni zoti Ambasador, se sa politikanë e keqpërdorin një përqafim apo shtëngim duarsh me Ju, e transmetojmë dhe amplifikojnë këtë në mediat e tyre, si sukses dhe si arritje të punëve të tyre, duke aluduar se Amerika apo Evropa i mbështet. Populli i thjeshtë këto lloj mesazhesh i merr të mirëqena, dhe kësisoj, edhe kur ka diçka që nuk shkon, populli nuk reagon, pasi mendon se ndërkombëtarët i mbështesin këta individë.

I nderuar zoti Abasador, për aq sa unë mund të përfaqësoj dëshirën e shqiptarëv për një shtet më të drejtë, për një ekonomi e jetë më të mirë, Ju lutem të na ndihmoni të dalim nga “ky rrethim”, duke vazhduar të flisni shqip e “vënçe”, dhe duke mbështetur intelektualët shqiptarë, zërat ndryshe, zërat kundër së keqes, ato zëra që janë pjesë e asaj shoqërie që mund t`i japë një shtysë të shëndoshë trenit që do të na shpjerë drejt evropës dhe botës së demokratizuar./

Lini një koment