Shqiptarët po preken çdo ditë e më shumë nga sëmundjet mendore. Ky fenomen shqetësues tashmë është i dokumentuar. Statistikat e 10 viteve të fundit për pacientët e prekur nga diagnoza të shëndetit mendor, që janë kuruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tregojnë numurin e madh të këtyre pacientëve.Por, për të gjykuar mbi përmasat e vërteta të shtrirjes së sëmundjeve mendore, shifrave të QSUT-së duhet t’i shtojmë edhe numrin e pacientëve të vendosur në katër spitalet psikiatrike në të gjithë vendin. Një numër të konsiderueshëm zenë edhe qendrat ditore, ku shkojnë persona në fazën e parë të sëmundjes.
Alarmi për rritjen e të prekurve nga sëmudjet mendore është dhënë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Shkaqet
Specialistët që kanë kontakt të drejtëpërdrejt me pacientët, evidentojnë disa nga shkaqet që vijnë si pasojë e këtyre sëmundjeve. Doktoresha Psikiatre, Arjana Rreli shprehet se faktorët që ndikojnë në shtimin e të sëmurëve janë të shumtë. “Shkaqet janë biologjike, përshembull pacientë që e kanë të trashëguar gjenetikisht. Por, mund të ketë lidhje edhe me sëmundje të tjera, si p.sh një kancer, i cili sigurisht që shoqërohet me një problem mendor.
Nuk mbeten pas shkaqet sociale, të cilat mund të jenë probleme të ndryshme si papunësia, migrimi i popullsisë, konfliktet, divorcet e prindërve, pamundësia për një jetesë normale, siç mund të jetë strehimi”, shprehet doktoresha Rreli. Sipas saj, i dhimbshëm është fakti kur një personi të predispozuar nga ana biologjike i mbivendoset edhe ana sociale. Ky rast nuk ka shpëtim nga një sëmundje mendore.
Adela Lamçja, psikologia e spitalit psikiatrik në Elbasan “Sadik Dinçi”, i grupon në një mënyrë tjetër arsyet që nxisin sëmundjet mendore. “Janë shkaqe predispozuese. Faktorë mund të jenë terreni ku rriten si dhe hapësira në të cilën ata kalojnë kohën e lirë. Ndërsa shkaqet percipituese kanë të bëjnë me keqjetesën, abuzimin dhe traumat që mund t’i kenë kaluar në një moshë të vogël, por që shfaqen më vonë. Së fundmi është edhe faktori gjenetik, pacientët që e kanë të trashëguar sëmundjen”, shprehet psikologia.