
Pas publikimit të formularëve të dekriminalizimit, ku shumica prej zyrtarëve rezultuan të inkriminuar ose nën hetim, kanë ardhur dhe dyshimet e para. Mendohet se këto formularë po paraqesin të dhënat e sakta të politikanëve, por nga hetimet e para duket se nuk rezulton kështu.
Kreu i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko, rezulton se nuk ka treguar të vërtetën në formularin e vetëdeklarimit sipas ligjit për dekriminalizimin.
Themelko pretendon se nuk ka qenë nuk ka qenë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e veprave penale, nuk është ndaluar dhe as arrestuar dhe as i është caktuar ndonjë masë sigurie.
Por në fakt në shkurt të vitit 2016, Prokuroria Speciale në Maqedoni përfshiu në hetimin për çështjen “Titaniku” edhe Edmond Themelkon, i cili u lajmërua zyrtarisht se u arrestua së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë maqedonas.
Themelko u akuzua për manipulim të zgjedhjeve në Maqedoni pasi rreth 400 banorë të kësaj bashkie që mbajnë dhe pasaportë maqedonase votuan në shtetin fqinj.
Themelko, në zgjedhjet e fundit nga kandidat i të djathtës doli si përfaqësues i koalicionit PS-LSI në zgjedhje lokale të vitit 2015, kur u zgjodh sërish kryetar bashkie.
