Kategori
Uncategorized

Histori : Fshatrat e Malit të Thatë Pogradec.

mali i thate 1

Nga Gjergji Gusho

Për fshatrat Bratomirë e Blacë të kësaj zone, më mungojnë të dhënat toponimike, si dhe ato gojore. Për fshatin Blacë po përmend praninë e Kalasë së Blacës, që ndodhet mbi një kodër pranë fshatit. Ajo ka qënë një kështjellë e periudhës antike, gjë që dëshmon për një vendbanim të lashtë.

1. Fshati Peshkëpi
Sipas të dhënave që kam grumbulluar del se Peshkëpia ka qënë dikur një qendër episkopale, d.m.th., qendër kishtare rajonale, e cila shtrinte ndikimin e saj në një teritor të gjerë. Vetë emri “Peshkëpi”, vjen nga fjala Peshkopatë ose Episkopatë, selia ku rinte e punonte episkopi (Peshkopi).
Në dokumentet turke, në Defterin e taksave për Sanxhakun e Ohrit të vitit 1583, ku bënte pjesë dhe krahina e Gorës, është regjistruar me emrin “Piskopija”. Në këtë fshat janë regjistruar 67 subjekte që duhet të paguajnë taksa; prej tyre 5 familje myslimane dhe 1 beqar, ndërsa nga të krishterët 53 familje dhe 8 beqarë. Nga fiset e vjetra vendase përmenden fiset: Pilinçi, Karoli, Kaçorri. Në historikun e fshatit përmendet si figurë e shquar Bendo Shapërdani, hero í rezistencës kundër sundimit otoman, fillim í shekullit XIX.
Banorët e fshatit tregojnë se kanë dëgjuar nga të parët e tyre, që dikur fshati ka qënë shumë i madh dhe shtrihej diku mbi fshatin e sotëm. Popullsia arrinte në disa mijëra banorë. Prania e 5 vendeve me emra kishash, dëshmon për madhësinë e fshatit dhe e mbështet supozimin e qendrës së dikurshme kishtare.
Sipas të dhënave gojore të banorëve, fshati i dikurshëm është djegur nga turqit dhe një pjesë e banorëve janë larguar.
Në gravurën e bakërt të H. Zhefaroviçit(1743), bie në sy pamja e një fshati me simbolin e një kishe që mban emrin Episkopi. Fshati është vendosur mbi Manastirin e Shën Naumit. Pranë këtij fshati ndodhet edhe figura e një fshati tjetër me emrin Allvanisht, që mendoj se është fshati Lubanisht.

mali i thate

• . Kishat dhe vendet me emra kishash
1.Kisha e Shën Maries
Eshtë e vetmja kishë ekzistuese e fshatit. Sipas të dhënave të At Todi Jovanit, është rindërtuar në vitin 1850, por nga struktura e stilit bizantin duket se është me e vjetër se kaq. Banorët e fshatit thonë se është kishë 700 vjeçare, pra e viteve 1300, por është rindërtuar disa herë. Sipas banorëve të moshuar të fshatit, në murin e kishës ka pas qenë í gdhendur në një gur viti 1460. Ky gur u thye dhe u hoq nga muri nga njerëz të panjohur, jo nga banorët e fshatit, në vitin 1967. Mbase kanë menduar se prapa atij guri mund të fshihej ndonjë thesar.
Kisha ka qenë një ndërtesë e madhe me një kopësht të gjerë për rreth saj. Kisha dhe kopshti kanë qenë të rrethuar me një mur të trashë. Vetë ambienti í brendshëm í kishës ka qenë tepër í madh dhe í gjerë, me stola druri, ku mund të uleshin besimtarët gjatë ceremonisë kishtare. Në muret ka patur mjaft piktura murale, si dhe ikona të pikturuara, të cilat u prishën dhe u zhdukën gjatë vitit 1967. Muret u suvatuan dhe u lyen me kërqele, ndërsa kisha u kthye në depo për kooperativën bujqësore. Në sallën e kishës ka patur edhe një fron të vjetër të lartë prej druri, ku ulej episkopi.
Në kambanoren e kësaj kishe ka patur edhe dy kambana: njëra e madhe me zë të trashë dhe tjetra më e vogël me zë më të hollë, që e shoqëronte të madhen me kumbimin e saj. Banorët thonë se kumbimi í kambanave dëgjohej mjaft larg, bile edhe deri në Çërravë. Edhe këto kambana u zhdukën.
Të moshuarit tregojnë se në fshat bëhej një festë e madhe ditën e Shën Mërisë, më 15 gusht. Në fshatin Peshkëpi vinin një natë më parë të krishterë të zonës përreth për pelegrinazh e për ta festuar këtë ditë të shenjtë. Kështu vinin nga fshatrat: Alarup, Tushemisht, Rëmënj dhe nga Pogradeci. Përveç ceremonisë fetare, që bëhej brenda në kishë, festa bëhej edhe në oborin e kishës.
Nga toponimia dalin emrat e disa kishave të tjera:
2.Shën-Thanasi
Vendi ndodhet nga e majta e rrugës që shkon nga fshati për në Shën-Naum, rreth 600 metra larg fshatit. Banorët thonë se atje ka qënë një kishë. Pranë saj ndodhen edhe sot varrezat e vjetra të fshatit. Vendi mban emrin Tanasicë.
3. Shën-Ilia (Shëndëlli)
Ka qënë dikur kishë. Vendi ndodhet prapa ndërtesës së postës kufitare, 20-30 metra pranë kufirit te sotëm me Maqedoninë.
4. Shën-Kolli
Vendi ndodhet rreth 100 metra pranë kufirit. Ka mbetur vetëm emri, se kisha nuk ekziston më.
5. Shën e Djela
Vendi ndodhet rreth 20 metra larg rrugës që vjen nga Pogradeci në Peshkëpi, para se të hysh në fshat. Eshtë një ndërtim i vogël, tip kupolje, që mban një ikonë dhe ku mund të hidhet ndonjë monedhë. Më parë duhet të ketë qenë kishë, sepse fshati dikur e vizitonte dhe nderonte shumë.

2. Fshati Alarup
Sipas të thënave, fshati Alarup, ka qënë dikur i banuar vetëm me banorë të fesë së krishtere. Në dokumentet e Turqisë për vitin 1583 në këtë fshat figurojnë gjithsej 15 familje të fesë së krishtere dhe vetëm 1 familje e 3 beqarë të fesë myslimane. Më vonë kanë ardhur familje myslimane nga fshatrat pranë si nga Bratomira e Blaca, që krijuan një lagje të vogël. Më pas familjet e krishtera zbritën gradualisht në Pogradec, ose shkuan në emigracion. Prej shekullit të XIX-ë e më vonë kanë zbritur në Pogradec fiset: Mato, Ristollari, Josifi, Angjo, Angjellari …
Nga toponimia e fshatit kanë mbetur këto emra:
1. Në Kisha
2. Përroi i Janit
3. Lëmi i Markut
4. Guri i Naumit
5. Guri i Kolës
6. Koria e Shën Kollit …
Kisha e Shën Kollit
Kisha e Shën Kollit në fshat është ndërtuar në vitin 1896. Prifti i parë i kësaj kishe u bë At Dhimitër Misha, i cili punoi këtu për disa kohë. Në këtë kishë u bë edhe ceremonia e dasmës së tij, kur u martua me Katerinën. Më vonë ai shkoi të shërbejë në kishën e Shën Pandelimonit në Tushemisht, ku u vendos edhe me banim.

Lini një koment