
Rama kryqëzon ministrat: Ptu, s’dini të paraqisni punën e vyer
Një ngjarje dramatike ka ndodhur brenda qeverisë shqiptare, raportojnë Gojët e Liga.
Në përgjigje të kërkesës së disa deputetëve socialistë që ministrat të japin llogari për punën e tyre para komisioneve parlamentare, kryeministri i ka marrë zvarrë disa prej ministrave.
“Shpejt, para deputetëve të jepni hesap deri më një”, urdhëroi kryeministri Rama.
Në vijim, ai i kapi për veshi ministrat dhe i uli në një tryezë të lodhur e të rrjepur, duke u thënë: “Çojeni kokën, shikojini në sy kolegët! Mistreca”.
Pa u lënë kohë deputetëve të bënin ndonjë pyetje, Rama shpërtheu ndaj ministrave: “Po si ka mundësi, more jezitër? Si është e mundur që bëni një punë kaq të mrekullueshme në dikasteret tuaja, dhe nuk dini t’ja përcillni publikut kryeveprat që nxirrni përditë nga duart?”
Atë çast, ministri Tahiri bëri të flasë, por Rama ja preu shkurt: “Gëk! Asnjë fjalë, zullap!”
Rama vazhdoi: “Deputetët tanë kanë të drejtë. Juve duhet t’ju vijë zor nga vetja. Punoni ditë e natë, po i transformoni radikalisht sektorët që ju janë besuar, shifrat dhe parametrat ekonomiko-financiarë po çudisin Orientin dhe Oksidentin, por ç’e do: Nuk dini si ta prezantoni punën tuaj të vyer!”
Ministrja Kumbaro, nisi të flasë, “zoti kryeministër, në fakt…”.
“Boll moj, mbylle moj të thashë!”, ndërhyri Rama bëri gati t’i flakë stilolapsin, “nuk e ke dëgjuar ti këngën, Gabimi i Mirelës të motrave Libohova? Po e di unë ç’doni ju. Ju doni që t’ju zëvendësoj me ca ministra totalisht të paaftë, që s’bëjnë asgjë gjithë ditën dhe vetëm vjedhin, por ama dinë të shiten sikur bëjnë hatanë! Turp!”
Në fund, Rama u kthye nga deputetët: “Kishit ndonjë pyetje?”
“Joo”, thanë ata, “aq shumë sa u bërtite ti, neve po na vjen keq që donim t’i kritikonim!”