
Më bëri përshtypje një dialog pensionistësh në qytetin tim për reformën në drejtësi, ku njëri thoshte: “Duhet ta kishte mbiemrin S’Lu që fjala ti shkojë në vend, ky e ka Lu e fjalën nuk po e thotë troç” !- Përnjimend, thirrja e Ambasadorit Lu për rëndësinë e kryerjes së reformës në drejtësi, kritikën dhe rekomandimet e njëpasnjëshme, takimet me krerë të politikës dhe me ata që nuk duan të heqin dorë nga diktimi politik, prezenca përkrah ambasadores Vllahutin, përsëri nuk po jep frytin që aq shumë e duan shqiptarët.
Reforma në drejtësi, prej nyjeve e kurtheve që po e pengojnë për të ecur përpara, po na kthehet si “kafja 900-she” kur mungonte në diktaturë. Njëri thumbit e tjetri patkoit, ky e lagu e ky se lagu, ky kriminel e ai i korruptuar, ky hajdut e ai vrasës, ky burgaxhi e ai drogaxhi e prapë ngelëm pa reformë…!
Si rregull e sipas protokollit, një ambasador ka për mision pasqyrimin e politikës së shtetit nga vjen dhe në raste të veçanta mund të rekomandojë nisma apo marrëveshje social-ekonomike mes shtetesh. Zakonisht ato janë të tepër të kujdesshëm dhe diplomatikë në komunikimin e tyre me publikun.
Por në Shqipëri, ambasadorët janë aktorë politikë në qeverisjen e vendit! Këto 25 vite pluralizëm, ambasadorët i kanë hyrë në “thela” politikës tonë… Ata dijnë se çfarë ndodh, çfarë politikanësh kemi, ku kryhet korrupsion, kush është kriminel, cili ka vënë pasuri kriminale, kush vjedh tenderat, cili ka vrarë e kush vlen për të ecur ne rrugën e duhur shteti ynë.
Njëri nga ambasadorët që “ia di hilet” këtij vendi, është edhe Ambasadori LU, përfaqësues dinjitoz i shtetit të lirive themelore. Ai ka ndikim të fortë në politikën shqiptare. Zhvillimet politike në arenën shqiptare dhe diktimi europian në bërjen e reformave që s’mbarojnë kurrë, ka bërë që durimi popullor të arrijë kulmin, por edhe përqindja e atyre që besojnë në ndikimin euro-amerikan të ketë rritje vertikale.
Kjo si pasojë e mungesës së besimit në kampin politik shqiptar e mosndëshkueshmërisë së krimit e korrupsionit gjithëplanësh.
Gjithë shoqëria shqiptare është kthyer në një “llafazane” kafenesh, kudo flitet për reforma, flitet për korrupsion, flitet për varfëri e pabarazi shoqnore, për papunësi e mungesë zanatesh, paga të ulëta e pasurim politikanësh, majmëri ish-bashkiakësh e komunarësh e mosndëshkueshmëri e tyre, flitet për gjithçka që e shqetëson këtë vend… Por kemi edhe nga ata qytetarë që kanë frikë të flasin edhe pse dijnë gjithçka, pasi politika ka edhe “të fortët” e vet, ata që i mbyllin gojën me dhunë kundërshtarit. Të gjithë e dijmë që politika e mbrapshtë shqiptare ka rritur “cubat” e vet, të cilët me një fjalë i marrin jetën kujtdo për hesap të “kapove” në politikë. Pasojat e “cubave” po i shohim çdo ditë e po i vuajnë shumë njerëz e investitorë.
Miliona euro e dollarë të shkuara dëm për emancipimin e politikës, pastrimin e radhëve të saj, zgjedhjen e atij që vlen, krijimin e besimit në popull e ndalimin e korrupsionit masiv.
Rezultati zhgënjyes, aspak bindës! Në vend të “peshkaqenit” shkon në burg “cironka”, në vend të vrasësit politik shkon në burg “ushtari”. Pa folur për mijëra ish-komunarë e ish-bashkiakë që kanë mbirë si kërpudha rreth e përqark metropolit e bregdetit, që zotërojnë biznese pafund të ngritura nga korrupsioni me tendera e fonde që nuk shkuan kurrë në shërbim të qytetarit, e tash 25 vite askush prej tyre nuk “vuajti” shkeljen e ligjit!
Ka kuadro policë e ish-drejtues policie që zotërojnë pasuri marramendëse e ndërsa kolegët e tyre me zor shtyjnë muajin me pagën që marrin.
Ka dhe ligje që ndëshkojnë korrupsionin, por kush e ka në dorë ta zbatojë?!
“Ibrahimi” që ngrohte vezët e korrupsionit në Gjykatën e Tiranës apo “Haxhiu” që shiste akuzën për “pare makine”?! –Sa e sa “ibrahimë” e “haxhirë” që po i marrin frymën e fundit drejtësisë e akuzës shqiptare. Kush guxoi e tha fjalën “troç” në Shqipëri ? Vetëm ai që humbi gjithçka, pasi ne që kemi duruar e durojmë padrejtësitë, heshtim e presim fjalën e Ambasadorëve Lu e Vlahutin! Gjithçka po e bëjnë ambasadorët euro-amerikanë, që reforma të kryhet e ligji të mbizotërojë në Shqipëri, por një gjë nuk po e thonë: Fjalën troç ! – Tu thonë shqiptarëve se kush është bllokuesi i reformës në drejtësi e mos të merren me ecejake nëpër zyra e parti.
Sa më parë ti vihet gishti “bllokuesit” të reformës në drejtësi, aq më shpejt kryhet ky mision jetik për integrimin europian të shqiptarëve, rritet ekonomia e besimi i qytetarëve tek ligji dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Flitni troç për të mirën e shqiptarëve të nderuar Ambasadorë! Nuk mund të jeni të përfshirë në çdo qelizë të jetës politike të vendit, dhe të heshtni mbi ata që mbajnë peng reformën apo flisni me kode diplomatike.
Valentin Micaj.