Kategori
Uncategorized

MORALI PA MORAL I ARTAN LAMES.

edi_rama_endri_fuga_artan_lame_artan_shkreli_8184Artan Lame po bënte moral.

Kishte marrë rolin e njeriut që kishte vizituar Zotin në atë pak kohë që ndenji “matanë” (dhe gëzojmë që u kthye për fëmijët), dhe ky takim e kishte ndryshuar, e kishte kthjelluar, e kishte shpirtëruar, e kishte shndërruar në një budist.

Fliste për jetën që është e shkurtër. Për paratë që nuk duhen mbledhur se nuk kanë ç’duhen. Për pushtetarin (ta ketë me dikë në veçanti?!) që ngjitet e ngjitet, por edhe do zbresë një ditë.

Fliste për moral, për parime, për shpirt, për dashuri… Po po. Kur sheh fijen e jetës gati në të këputur, patjetër që ke refleksionet e tua.
Por pa mendo zoti Lam: Çfarë refleksionesh mund të kenë ata që nuk kanë mundësi si ty të paguajnë mijëra euro për t’u kuruar në një spital privat dhe presin që refleksionet t’i ndajnë veç me të Madhërishmin?

Çfarë refleksionesh mund të kenë ata që prej moshës 35-vjeç kërkonin pronat, e që sot në moshën 60 vjec të shohin ty që shpërndan fletë legalizimesh si “S”-të e dikurshme në aksione.

Flet dhe moralizon shumë zoti Lam, por nuk kërkon ndjesë: Ke tre vjet që nuk e ke përmendur “shabantapinë”.

Sepse je ti në këmbë të tij. Ke tre vjet që s’të kemi dëgjuar të cicërosh tek Fevziu, do kesh qenë shumë i zënë me legalizimet besoj.

Ke tre vjet që s’ke mbrojtur një vepër në Shqipëri. Ke tre vjet që s’je ndjerë për pyjet që u zhdukën në Shqipëri, kur dikur gdhiheshe e ngryseshe tek parku për dhjetë pemë.

Na flet për shpirtra, qiej e Perëndi, por harron ata që i përdore sa më s’ka dikur, të varfërit, mijëra e qindra mijëra të varfër. Harrove mijëra e qindra mijëra socialistë.

Sigurisht këta do t’i harroje, sepse ti nuk je socialist. Ashtu si shumë të tjerë si ty. Sepse socialistët nuk tradhëtojnë edhe kur i tradhëton. Zhgënjehen, por nuk tregohen të pabesë, të të hanë pas shpine, siç po hedh ti vickla sot ndaj Ramës.

Nuk mund të bësh moral zoti Lam pa kërkuar një ndjesë, pa hequr dorë nga posti, pa dhuruar ndopak nga pasuria jote shoqatave të fëmijëve e shtëpive të Zotit.

Sot bën moral gjithë Shqipëria e më tutje, sepse kanë sy, vesh e mendje, kanë dhe lëkurë ku po provojnë arritjet e asaj çka predikoje ti dikur.

Ti mund të jesh një i penduar, por kjo nuk të lan. Për çfarë parimesh të larta ti sot flet me figura letrare kundër njeriut që të mbajti afër, të ngriti e të shpërbleu? Ky nuk është moral. Kjo është mosmirënjohje.

Njerëzit që ndërrojnë lëkurën si gjarpri, janë ata me të rrezikshmit. E këtu nuk hyn as Zoti, e as brazda e jetës. Është thjesht çështje karakteri. Ke, apo nuk ke. Të tjerat janë hipokrizi. Dhe besoj, jemi të ngopur me hipokrizi.

Nga Edmond Arizaj.

Lini një koment