
Sa gabime kemi bërë duke ndjekur “lidershipe” apo dhe individë të demokracisë?
Por njeriu ka empati dhe arrin të kuptojë menjëherë mendimet dhe gjendjen shpirtërore të një tjetri, qoftë dhe lider, dhe harron që kjo gjë nuk mund të jetë automatizëm dhe sidomos projekt politik. Sa faje janë bërë dhe në këtë vend të mbushur me “mitomanë” politikë – në mënyrë transversale dhe padyshim dhe në vertikalen njerëzore!?
Po, janë bërë shumë, e ka faje të mjafta edhe pjesa më e mirë e shoqërisë, ajo më e arsimuara, më e studiuara me aq sa na ka lejuar si sistemi dhe statusi shoqëror joni. Nuk kemi kuptuar se individi në krye është produkt i klaneve dhe fiseve, por dhe mentalitetit aspak normal urban, por kjo i përket sigurisht si zgjidhje ecjes përpara në emancipimin shoqëror, dhe këtu as kemi mundësi të shpejtojmë as të ndryshojmë, sepse është proces kohor dhe asgjë tjetër. Në fakt, në vetë krijimin e shtetit më të madh demokratik të botës që me George Washington u caktuan qartë dhe mirë modelet e njeriut drejtues në shtetin që nuk ishte as monarki, as trashëgimi hyjnore e çfarë do lloji në botë. U vunë bazat jo vetëm të zgjedhjes dhe shtetit të së drejtës, por u parapa dhe mori formë ligjore fundi i aktivitetit në drejtim madhor (madhërishëm) të shtetit dhe institucioneve të tij nga individi. Përndryshe çfarë kuptimin kishte ndryshimi i regjimit dhe llojit të tij, për të dalë pikërisht në demokraci moderne.
Ne na ka ndodhur se njerëzit që kryesojnë lidershipet, nuk lëshojnë në asnjë mënyrë jo lidershipin, por modelin sundim dhe drejtim, në të gjithë profilet që përcaktojnë drejtimin dhe që fillojnë që te partia. Kjo është dhe e “qarta” e madhe jona, e shtrirë kudo dhe për këdo. Shembulli “par exelance” dihet se kush është në këtë çerek shekulli të keq, më të keqin e mundshëm në raport me demokracinë dhe sundimtarin politik të përjetshëm?! Edhe në opozitë sigurisht kjo “formulë” vazhdon dhe nuk ka dallime as nga “Monarkia dhe as nga Diktatura” në sundim dhe projektimin si “unipronar” të përfaqësimit personal në demokraci. Kur them “demokraci” nënkuptoj këtë tonën. Më kujtohet Andreotti, i cili në pyetjen se – çfarë do të ndryshoje në karrierën tënde politike u përgjigj “nuk do të vazhdoja kaq gjatë lidershipin dhe qeverisjen”. Normalisht që e gjithë ajo karrierë politike dhe gjithë ato poste, do të mblidhnin sigurisht veprime të mira, por do të ngjallnin dhe aksione të mëdha kundër si njeriut dhe figurës së tij. Prandaj demokracia është akoma dhe sot rendi apo regjimi më i mirë, sepse ndërron njerëz dhe parti, për të bërë dhe momentin e ri, apo dhe të një koncepti në dukje në fund të fundit – të ri. E kjo gjë arrihet dhe me ligje dhe makinacione ligjore ku më i qarti është ai i kohëzgjatjes së Presidentit të SHBA-ve vetëm me dy mandate. Në demokraci nuk ka gjë më të mirë dhe reale, por dhe të drejtë se sa të kuptosh se kur është momenti për “mos ta zgjatur më”?! Ai shembulli jonë “par exelance” që dihet se kush (lideri maximus demokrat) është dhe vazhdon të jetë për keq në Shqipëri, i ka mësuar politikës shqiptare të jenë në funksion të tij dhe ka pjellë si te të vetët – dhe te kundërshtari individë që i ngjajnë pikërisht atij. I ka mësuar “demokracisë” tonë të prishë zgjedhjet dhe ti dyshojë ato përfundimisht në këtë vend – tanimë të bërë pis si moment i demokracisë së zbatuar me votë. Po pse? Sepse të tillë njerëz të lidershipve të përjetshëm dhe të drejtimit të pa ndërprerë, e dinë veten në “demokraci por dhe në trashëgimi hyjnore dhe për këtë regjim”?!
Nëqoftëse “lideri maximus demokrat” na paska qenë i nevojshëm dikur, ai gjatë sundimit të tij ka kujtuar dhe e kujton dhe sot e kësaj dite vetën të domosdoshëm ose më qartë të pa zëvendësueshëm?! Kështu e di veten ai – dhe kështu një pjesë që janë poshtë tij apo edukohen nga shembulli i tij, trajtojnë demokracinë në çdo moment dhe çdo element të saj si shtylla të shtetit dhe shoqërisë. Kurse në demokraci në fakt, mund të jesh i nevojshëm por asnjëherë i domosdoshëm apo i pa zëvendësueshëm. E kjo është e qartë për ta ndërtuar atë, përndryshe kemi bërë gabim që kemi rrëzuar Enverin, sepse ai ishte i “pazëvendësueshëm” deri sa vdiq rehat rehat në shtratin e tij, pa i hyrë ferrë në këmbë dhe pse kishte mbushur jetën e tij me krim. Ato që e zëvendësuan mund të ishin akoma më të këqinj se ai, por poshtë e dinin apo e kuptonin se “Enveri ishte i pa zëvendësueshëm”?! Të tillë njerëzve ju merr mëndja të bëjnë çfarëdo eksperimenti me popullin e tyre, sepse e dinë që ai ka “kuptuar domosdoshmërinë e tyre të përjetshme” dhe pse mosha biologjike dhe ajo politike – ju ka përfunduar?! Sepse në fund fare kështu duhet bërë dhe kushtetuta dhe rregullat dhe që sipas Washingtonit – në bazë të sistemit tonë politik është e drejta e njerëzve për të bërë ndërrimin të kushtetutës dhe të qeverisë së tyre?! Imagjinoni njerëzit?!
Por unë jam dakord me Roberto Gervaso-n që thotë se: në demokracitë, qeveritarët shumë rrallë janë më të këqinj se sa të qeverisurit?! Kjo normalisht që vërtetohet dhe te ne. Në bazë të mentalitetit të tyre poshtë në shoqëri, sundimtarë që shiten për demokratë dhe që veprojnë në demokraci, që shiten për anti regjim dhe jetojnë në regjim autokratik, vijojnë të qeverisin të zgjidhen dhe të sundojnë dhe nga “empati” për disa, kthehen në pothuaj – tirani autokratike?! E këtu as që pendohem pse e them, sepse kështu tenton dhe vazhdon të tentohet në këtë soj vendi dhe soj-demokracie krejt pa kuptim.
Kjo vjen se edhe për demokracinë është akoma herët që shoqëria jonë të ketë qëndrim dhe “trashëgimi” (në fakt ku do ta merrte, kur nuk ka kaluar dy ditë të mira bashkë) të jetuar disa dekada rresht! Edhe për të lexuar – pjesa më e madhe nuk e bëjnë për shumë arsye, prandaj më duhet të kujtoj Oscar Wilde që thotë: demokracia nënkupton thjesht goditje bastuni nga njerëzit për njerëzit?! Hahaha, nuk është e vështirë ta kuptosh nëqoftëse sigurisht do ta kuptosh pa pasur nevojë ta – keq interpretosh. Në fund po e mbyll me frazën e madhe të Alexis de Tocqueville që thotë se “demokracia është fuqia e një populli të informuar”!
E këtu qëndron dhe sekreti i “madh” te ne?! Prandaj te ne, sundimtarët paraqiten për të “zgjedhur të vazhdueshëm” të popullit?! Nga një popull jo i informuar, pritet “empatia” idiote dhe pa kuptim për delirantë dhe tiranë të vegjël të institucioneve dhe partive. Pikërisht nga një popull i tillë, pritet dhe modeli i të zgjedhurve të përjetshëm ose biologjikisht të përjetshëm si drejtues?! Kurse demokracia në fakt, nuk ka nevojë për “hyjnorë” dhe për të ekzaltuar ideologjikë dhe po ashtu politikë. Ato e dinë pikërisht veten të pazëvendësueshëm dhe nuk bëjnë asgjë tjetër, por një “klan” të tillë populli, që i mban me veprim demokratik të pazëvendësueshëm – sigurisht me votë! Po me votë, dhe mund të them se shumica e diktaturave ose vinë me votë, ose rikonfirmohen me votë, kur mungon koncepti në popull se lideri nuk është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm.
Nga Besi BEKTESHI