“Panama Papers” ka tërhequr me të drejtë vëmendjen e publikut shqiptar për të mësuar se kush janë shqiptarët që kanë përdorur “parajsat fiskale”?
Sa prejt tyre janë politikanë?
Sa para kanë depozituar?
A ka informacion mbi burimin e krijimit të këtyre parave?
Janë një varg pyetjesh pa fund që vërtet do të ishte mirë t’i dinim përgjigjet. Thjesht, do të na ndihmonte për të kuptuar se kush janë këta rrufjanë politikë, që kanë përdorur këto rrugë të sofistikuara për të fshehur pasurinë e tyre, që besoj se në çdo rast ka patur burim korrupsionin.
Ajo çfarë presim të vijë nga kontinenti amerikan, nuk mund të na trullosë kaq shumë dhe të mos kërkojmë për të njëqindën herë përgjigje mbi pyetjet që dalin nga skandali i “Surreli Papers”. Ka vite që shqiptarët presin që kryeministri Edi Rama të bëjë transparencë për pronat e tij, për Sarajet e Surrelit, për vilat në Durrës, Voskopojë, Vlorë, Sarandë, për “pallatin në pajë”, për 200 milionë eurot që ka transferuar në parajsat fiskale.
Dhe pse jo të mos bëjë transparencë për pronën që ka blerë dy javë më parë në qendër të Tiranës. Për një nga vilat më të vjetra dhe karakteristike të Tiranës, Rama thuhet se ka paguar 5 milionë euro para të thata në dorë.
Pasuritë e Ramës dhe metodat e përdorura prej tij kam frikë se do të turpëronin edhe Putinin. Rama njihet për taksën 20 për qind që i vinte çdo lejeje ndërtimi që dha për ndërtime në Tiranë gjatë 11 viteve që ishte kryetar i Bashkisë së Kryeqytetit. Rama është denoncuar publikisht nga biznesmenë të njohur në vend për gjobat që i vinte kujtdo që i duhej një firmë apo vulë nga zyra e tij. Këto gjoba të lëshuara nga zyra e Ramës fillonin nga 1 milion euro.
Gjatë tre viteve si kryeministër janë me qindra skandale që kanë mbuluar çdo zyrë të shtetit që është nën kontrollin e tij. Përveç biznesmenëve është buxheti i shtetit që rripet barbarisht çdo ditë prej tij me tendera dhe koncesione korruptive. Një grup i vogël pranë tij të dirigjuar nga vëlla OLSi janë në krye të një operacioni që grabit fonde publike, prona dhe pasuri të shqiptarëve.
Një grup tjetër i dirigjuar nga Sajme qorri grumbullon miliona e miliona euro të tjera për llogari të Ramës, nga prodhimi, shpërndarja dhe trafiku i drogave, që e kanë shndërruar Shqipërinë në një Kolumbi të Europës.
Një grup tjetër i njohur për vrasje dhe krime të tjera të rënda i dirigjuar nga Shullazi mbledh miliona të tjera për llogari të Ramës nga shantazhi dhe terrori që ushtron ndaj komunitetit të biznesit në Shqipëri. 200 milionë eurot që ka transferuar në parajsat fiskale nuk janë asgjë me qindra milionë të tjerë që Rama dhe banda e tij kanë krijuar në Shqipëri vitet e fundit.
Nuk ka dyshim se me të inkriminuar dhe ushtarë që kanë vënë në polici dhe në institucionet e tjera që merren me verifikimin dhe kontrollin e pasurive dhe të pastrimit të parave, Ramës nuk i duhet më të transferojë para dhe të kujdeset që të fshehë luksin dhe pasuritë e tij. Shqipëria e qeverisur prej tij është një parajsë jo vetëm për Ramën, por edhe për të gjithë të korruptuarit dhe kriminelët e këtij vendi. As Panama, as ishujt Virxhin, asnjë nga këto vende të ashtuquajtura parajsa fiskale nuk kanë deputetë vrasës në Parlament dhe anëtarë bandash në qeveri dhe administratë sa ka në Shqipëri. “Surreli Papers” duhen hapur sa më shpejt për të kuptuar edhe pse Shqipëria është sot një parajsë për krimin, por edhe pse është një ferr për qytetarët e thjeshtë.