
Njeriu që ka ëndërr kapjen e sistemit të drejtësisë dhe shndërrimin në ajatollah të Shqipërisë vijon të mashtrojë ndërkombëtarët dhe të mbajë peng reformat. Ai ka mbetur peng i mandateve të Rakipit e Valentinës dhe shpalli se negociatat me BE-në s’duhet të ngatërrohen me fatin politik të kusarëve të tij. Dialogu politik pa sjellë kushtetutshmërinë në Kuvend, një mashtrim i hapur për ndërkombëtarët dhe një rrezik permanent për destabilizimin e vendit
Edi Rama e shfrytëzoi daljen për shtyp me Komisionarin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn për të rreshtuar disa rrena që tregojnë se vendi përpos krizës ekonomike, po zhytet në një krizë të shtetit ligjor. Për reformën në drejtësi, ai ka gënjyer sy më sy, kancelaren Gjermane Angela Merkel, sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry dhe dje komisionarin Hahn. Kancelares Merkel i tha se reforma në drejtësi do të miratohej vjeshtën e shkuar, ndërsa sekretarit Kerry ashtu si dhe komisionerit Han i tha se do të mbyllet brenda pranverës. Por, çka e bën më të madhe ketë gënjeshtër është se Rama ka folur për një pranverë pa tryezë politike, sa i përket takimeve me Merkelin dhe Kerry-in. Pra, ai ka shkaktuar një kakofoni mbi kinse vullnetin e tij për të miratuar reformën. Madje, ky vrull i gënjeshtërt i Ramës për t’u dukur si dashnori i vetëm i reformës duket se u vu re edhe nga vetë Komisioneri Hahn, i cili u shpreh se ka edhe shumë punë për të bërë dhe se miratimi është gjysma e punës duke vënë kështu theksin tek zbatimi.
Natyrisht, kjo nuk ishte retorike, porse z.Hahn kërkon që reforma në drejtësi të mos ketë të njëjtin fat si dekriminalizimi. Mungesa e zbatimit të dekriminalizimit e ka nxjerrë rrenacak para SHBA-së dhe BE-së, të cilët e mbështetën drejtpërdrejtë këtë reformë, madje duke e ulur përveshi Ramën për të firmosur marrëveshjen e 24 dhjetorit. Kësisoj, ashtu si me dekriminalizimin, po zbardhet se Edi Rama i bën punët sa për sy e faqe, i gjithë vullneti i tij pro reformës në drejtësi është një fasadë me lloj-lloj zbukurimesh. Njëherë angazhohet fuqishëm për një reformë në drejtësi pa tryezë politike, ndërsa sa zbresin ndërkombëtarët ai e lustron vetën si njeriu i konsensusit, i tryezave politike dhe i besës. Ky Edi Rama i konsensusit zgjat sa vizita e zyrtarëve të huaj. Refuzimin ndaj reformës në drejtësi ai po e tregon tek grisja që i ka bërë Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, duke mbrojtur deputetët hajdutë. Sy më sy, ai gënjeu para komisionarit Hahn duke thënë se do të kërkojë interpretim në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me mandatet e deputetëve të tij në një kohë kur sapo ka dalë një vendim i Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se Kuvendi është i detyruar t’i dërgojë në këtë gjykatë rastet e papajtueshmërisë se deputetit me detyrën. Mesa duket, Rama do të vazhdojë të kërkojë interpretim derisa t’i dalë e vetmja. Pra, zbardhet se kryeministri është kapur në 3 vizita të rëndësishme si një kryerrenacak, duke u tallur jo vetëm me ndërkombëtarët, por me shqiptarët dhe vendin. Reformës në drejtësi dhe dekriminalizimit ai po i vë shkelmin duke grisur Kushtetutën për të mbrojtur deputetët hajdutët të licencuar prej tij. S’mund të ketë garanci për zbatimin e reformës në drejtësi që do të ndryshojë pothuajse të gjithë Kushtetutë, kur Rama nuk zbaton thjesht një nen të tij